Emëron katër komandantët e policisë në komunat e veriut, mund të kundërshtojë vendime të qeverisë së Kosovës, si dhe mund të marrë para dhe nga Serbia. Por nuk paguan taksa në buxhetin e Kosovës. Këto janë vetëm disa nga kompetencat e Asocacionit të komunave që u miratua nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Dokumenti i Plotë
Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet bazë/elementet kryesore
1) Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si asociacion/bashkësi e komunave, e paraparë me Marrëveshjen e Parë, ligji mbi miratimin e Marrëveshjes së Parë, si dhe ligji i Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë që njeh karakterin e saj special, Qeveria e Kosovës do ta miratojë një vendim drejtpërdrejt të aplikueshëm, që do të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. Asociacioni/Bashkësia do të jetë një entitet ligjor që do të definohet nga Statusi i vet, që parashihet të përmbajë të paktën elementet e shkruara më poshtë.
3) Statusi do të miratohet nga një Kuvend Kushtetues, që do të përbëhet nga anëtarët e zgjedhur të asambleve të komunave pjesëmarrëse.
Objektivat
4) Në pajtim me Marrëveshjen e Parë, Asociacioni/Bashkësia do t’i ketë objektivat e veta kryesore me të cilat shpërndan funksionet dhe shërbimet publike, siç janë:
- a) konsolidimi i demokracisë lokale;
- b) ushtrimi i të drejtave të plota për zhvillimin e ekonomisë lokale;
- c) ushtrimi i të drejtave e plota në fushën e edukimit;
- d) ushtrimi i të drejtave të plota për përmirësimin e shërbimeve primare dhe sekondare shëndetësore, si dhe për kujdesin social;
- e) ushtrimi i të drejtave të plota për planifikim urban dhe rural;
- g) miratimi i masave për përmirësimin e kushteve të jetesës në komuna për të kthyerit në Kosovë;
- h) drejtimi, koordinimi dhe lehtësimi i aktiviteteve për zhvillim dhe hulumtim;
- i) promovimi, shpërndarja dhe avokimi i çështjeve të interesit të përgjithshëm i anëtarëve të saj dhe përfaqësimi, deri tek autoritetet qendrore;
- j) sigurimi i shërbimeve për anëtarët e vet në pajtim me ligjet e Kosovës;
- k) vlerësimi i shpërndarjeve të shërbimeve publike tek anëtaret e saj, banorët dhe mbështetja e Asociacionit/Bashkësisë në themelimin e pozitave të interesit të përgjithshëm për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore;
- l) kryerja e monitorimit, ashtu siç kërkohet për implementimin e objektivave të veta;
- m) krijimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me asociacione të tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.
5) Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca tjera shtesë, siç do të delegohen nga autoritetet qendrore
6) Asociacioni/Bashkësia do të ketë këto organe:
- a) një Kuvend si organin më të lartë, i përbërë nga përfaqësues të caktuar nga asambletë e komunave pjesëmarrëse, që janë të zgjedhurit e tyre. Parlamenti do të ketë të drejtë të nxjerrë amendamente për Statutin, rregulla procedurale si dhe vendime administrative për Statutin dhe objektivat;
Të gjitha amendamentet e Statutit, rregullat procedurale dhe të gjitha instruksionet e nevojshme dhe vendimet e miratuara nga Kuvendi do të jenë të aplikueshme tek anëtarët e vet, me përjashtim nëse ndonjëri prej anëtarëve zyrtarisht shpreh një vendim ndryshe.
- b) një President, që do ta përfaqësoj Asociacionin/Bashkësinë, para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të asistohet nga një zëvendës/president. Presidenti dhe zëvendës/presidenti do të zgjedhën nga Kuvendi që përbëhet nga anëtarë të komunave pjesëmarrëse dhe kryetarët e tyre.
- c) një Këshill që do të përbëhet nga një numër maksimum prej 30 anëtarëve, disa prej të cilëve do të jenë qytetarë nga komunat pjesëmarrëse në Asociacion, si dhe të gjithë kryetarët e komunave pjesëmarrëse. Këshilli do të jetë një organ këshillëdhënës që jep udhëzime në punën e Asociacionit/Bashkësisë.
- d) një Bord që do të përbëhet prej 7 anëtarëve, të cilët do të zgjedhën nga kryetarët dhe qytetarët e komunave pjesëmarrëse. Përbërja e saktë do të definohet në Statut, me të drejtën që të marrë vendimet e nevojshme për menaxhimin ditor të Asociacionit/Bashkësisë. Anëtarët e Bordit do të asistohen në punën e tyre nga kolegë ekspertë, të cilët do të përkujdesen për fushat që janë objektiv dhe detyrë e Asociacionit/Bashkësisë. Statuti do ta definojë numrin e kolegëve profesionistë dhe qasjen e tyre ndaj anëtarëve të bordit.
- e) një Administratë, që do të udhëhiqet nga Shefi i Administratës, i caktuar nga Bordi për të cilin edhe raporton, duke i dhënë mbështetje punës së Asociacionit/Bashkësisë, në veçanti Bordit dhe Presidentit. Stafi i administratës do të përfitojë nga statusi i të punësuarit, në pajtim me ligjet kosovare, përfshi ligjin e punës dhe ligjin për shërbime civile, duke u mundësuar atyre që të kryejnë detyrat e tyre. Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë mund të vendosin që të shfrytëzojnë një numër të të punësuarve që të ndihmojnë Asociacionin/Bashkësinë në ekzekutimin e objektivave të veta.
- f) një zyrë të ankesave që ka mandat të ekzaminojë ankesat në raport me objektivat
7) Selia e Asociacionit/Bashkësisë do të determinohet në Statut.
Marrëdhëniet me autoritetet qendrore
8) Asociacioni/Bashkësia do të punoj me autoritetet qendrore në baza të bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbimit të informatave.
9) Asociacioni/Bashkësia do t’i promovojë interesat e serbëve të Kosovës në raport me autoritetet qendrore
10) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë që të propozojë, në pajtim me liget e Kosovës, amendamente në legjislacion dhe njësi të tjera relevante për performancën e objektivave të veta
11) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë që të iniciojë apo marrë pjesë në procedime para gjykatave, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo veprimi apo vendimi nga një institucion tjetër që ndikon në ushtrimin e pushtetit të Asociacionit/Bashkësisë në pajtim me Statutin e vet
12) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë të drejtë që të nominojë përfaqësues në organet kompetente të qeverisë qendrore, përfshi edhe Këshillin e Bashkësisë Konsultative. Në saje të monitorimit të funksionimit sipas Marrëveshjes së Parë, përfaqësuesit e Asociacionit/Bashkësisë kanë të drejtë që të kenë qasje dhe të marrin informata nga autoritetet qendrore në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës.
13) Në emër të Asociacionit/Bashkësisë, katër kryetarët e komunave veriore, do t’ua dërgojnë Ministrisë së Brendshme një listë të kandidatëve të nominuar për Komandantët regjionalë të Policisë, siç specifikohet në nenin 9, në Marrëveshjen e Parë.
Kapaciteti ligjor
14) Asociacioni/Bashkësia do të jetë e pajisur me kapacitet ligjor të nevojshëm, në bazë të ligjeve kosovare që të zbatojë objektivat e veta, përfshi të drejtën për poseduar pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, për ta qenë bashkëpronare e kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit/Bashkësisë, dhe për të lidhur kontrata, përfshi edhe kontrata punësimi.
15) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, Asociacioni/Bashkësia konsiderohet e themeluar, pas miratimit të dekretit, për qëllimin e objektivave të veta.
Buxheti dhe mbështetja
16) Asociacioni/Bashkësia do ta ketë buxhetin e vet, që do të administrohet në pajtim me parimet për transparencë dhe llogaridhënie, si dhe dispozitat ligjore për prokurim publik.
Këto parime në veçanti do të aplikohen në kanalizimin fondeve, përfshi edhe në nenin 17.d
Shpenzimet duhet të jenë subjekt auditimi nga organet kompetente, përfshi Auditorin Gjeneral.
17) Asociacioni/Bashkësia do të financohet nga:
- a) kontributet e anëtarësisë së vet
- b) të ardhurat nga shërbimet e mundësuara nga Asociacioni/Bashkësia , nga kompanitë e veta apo tërheqjet nga asetet e luajtshme apo të paluajtshme
- c) transferet nga autoritetet qendrore
- d) kontributet, grandet, donacionet si dhe ndihmat financiare nga organizatat e tjera vendore dhe ndërkombëtare, gjithashtu edhe nga Republika e Serbisë; Asociacioni/Bashkësia është e liruar nga detyrimet dhe taksat gjatë zbatimit të objektivave të veta, në baza të njëjta sikurse komunat e tjera.
Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare
18) Asociacioni/Bashkësia do të jetë e hapur me çdo komunë tjetër me kushtin që anëtarët të jenë të përfshirë në marrëveshje
19) Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të anëtarëve të vet, me miratimin e 2/3 të shumicës së anëtarëve
20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të ketë simbolet e veta (shenjat dalluese dhe flamurin), në pajtim me ligjet e Kosovës.
21) Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do të dërgohet në nivelin e lartë të bisedimeve brenda 4 muajve, që nga data e marrëveshjes për parimet/elementet, nëse është e nevojshme me lehtësim, së bashku me Ministrinë e Pushtetit Lokal. Çdo amendament do të përfaqësohet nga Asociacioni/Bashkësia, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
22) Brenda një viti, që nga miratimi i Statutit të Asociacionit/Bashkësisë, një rishqyrtim i implementimit duhet të kryhet, në lidhje me nenin 5 të Marrëveshjes së Parë. /tesheshi.com/