Nga Yasin Aktay
Në një operacion që kryen dhjetë ditë më parë, luftëtarë palestinezë, të cilët jetuan nën një rrethim çnjerëzor për 16 vjet, shkaktuan disfatën më të madhe në historinë e Izraelit.
Kujtojmë se ky vend, i ngulur si thikë në zemër të Lindjes së Mesme, e konsideron veten si kombi më superior e më i privilegjuar në botë, falë privilegjeve dhe mbështetjes konstante ushtarake dhe politike, duke iu dhënë epërsi nga sistemi ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me kalimin e viteve, ajo është bërë një makinë lufte e pashembullt. Askush, brenda apo jashtë saj, nuk mund ta imagjinonte humbjen ose shkeljen e mbrojtjes së saj. Ajo e imagjinonte veten të sigurt, aq sa edhe sikur flakët të përfshinin gjithçka rreth saj, asnjë shkëndijë nuk mund ta godiste.
Izraeli ua shiti këtë ndjenjë iluzore sigurie kolonëve që solli nga e gjithë bota, nga vende ku nuk kishin probleme me sigurinë dhe ekzistencën dhe gëzonin privilegje. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata erdhën nga vendet e tyre të largëta për t’i larguar palestinezët nga shtëpitë e tyre dhe për të konfiskuar e plaçkitur pronat e tyre.
Kjo është një situatë e vështirë që nuk mund të shpjegohet me një fjali. A ju kanë bastisur ndonjëherë gjatë kohës që keni qenë duke fjetur, vetëm për t’u thënë nga vizitorët e natës se shtëpia juaj tani u përket atyre dhe ju duhet të bëni gati plaçkat dhe të largoheni? A mund ta imagjinoni këtë situatë për një moment? Kolonët në Palestinë e kanë praktikuar sistematikisht këtë lloj terrorizmi që nga viti 1948 e deri më sot.
Gaza në tërësi është një qytet i përbërë nga kampe për refugjatët që u detyruan të linin shtëpitë dhe pronat e tyre në vitin 1948. Ata përbëjnë 80% të popullsisë së qytetit, ndërsa popullsia e tij origjinale nuk i kalon 20%. Kjo shumicë refugjatësh shpresojnë të kthehen një ditë në pronat dhe shtëpitë e tyre nga të cilat u detyruan të largohen, ndërkohë që nuk munden të dalin nga Gaza.
Dhe a ishte i kënaqur me këtë shteti okupues terrorist i Izraelit? Jo, ai nuk u dha as komoditetin e qëndrimit në burgun e tyre të hapur në Gaza. Për 16 vjet, Izraeli vazhdon të bllokojë këtë rrip të ngushtë, i cili, nëse mendojmë ndryshe, nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e frikës së Izraelit ndaj popullit të Gazës, duke besuar se presioni dhe represioni i vazhdueshëm do të ishte i efektshëm për të vonuar fundin e saj.
Përvoja jonë tregon se frikacaku është më i rrezikshëm dhe më brutal në praktikën e tij terroriste, dhe kësisoj Izraeli ka rrethuar dhe burgosur vazhdimisht njerëz të pafajshëm dhe nuk ka ngurruar të vrasë fëmijë dhe foshnja, madje edhe fetusin në mitër, nga frika e ditës kur që fëmijët të rriten dhe të kundërshtojnë Izraelin.
Ringjallja e biografisë së faraonit
Ironia është se çifutët, në një moment të historisë së tyre, ishin viktima të një historie identike në të cilën sundimtari frikacak terrorist, Faraoni i kohës së Musait (Moisiut), paqja qoftë mbi të, praktikoi format më të këqija të vrasjes dhe abuzimit kundër tyre nga frika për veten e tij. Çifutët nuk morën mësim nga jeta e Musait, edhe pse pretendojnë se i përkasin atij. Musai, paqja qoftë mbi të, ishte makthi i faraonit që e përndiqte atë në ëndrrat e tij dhe më vonë u bë shkak për fundin e tij poshtërues.
Faraoni, i cili parashikoi ardhjen e Musait, për t’i dhënë fund mbretërimit të faraonit, mendoi se mund t’i shpëtonte fatit të tij duke vrarë të gjithë fëmijët meshkuj të izraelitëve, por Musai ishte “kamzhiku” i Allahut që do të binte mbi faraonin. Për më tepër, Musai, paqja qoftë mbi të, i cili gjykoi faraonin dhe sundimin e tij, u rrit në oborrin e faraonit. Po kështu, frika e Izraelit nga luftëtarët në Gaza nuk do të ndihmojë në vonimin e përfundimit të saj, ashtu siç nuk ndihmoi frika e Faraonit ndaj Musait, dhe të gjitha masat që ai ndërmori për të parandaluar që kjo të ndodhte.
Dekada më parë, filozofi hebre Herbert Marcuse i Shkollës së Frankfurtit besonte se koncepti i heroizmit në betejë kishte përfunduar me zhvillimin e teknologjisë së mbrojtjes. Fitorja në luftë nuk varej më nga guximi, aftësia apo heroizmi i kundërshtarit, por nga teknologjia që zotëronte. Kjo mund të thuhet me shprehjen: “Arma është shpikur, guximi ka vdekur”. Sot ne shohim se sa është zhvilluar teknologjia deri në atë pikë sa kush e zotëron atë mund të bëjë kërdi pa pësuar ndonjë rrezik. Pra, koncepti i heroizmit është kthyer në relike të historisë?
Realiteti është se kjo teori është shembur plotësisht përballë vullnetit të rezistencës palestineze lirikërkuese, pavarësisht burimeve të tyre të kufizuara.
Izraeli nuk heziton kurrë të përdorë teknologji shkatërruese, duke menduar se përdorimi i saj e çliron atë nga çdo rrezik, duke mos hezituar të shënjestrojë fëmijët, të moshuarit, gratë apo civilët. Por edhe sikur ta kthejë Gazën me kokë poshtë dhe të mos lërë gur pa lëvizur, Izraeli nuk do të jetë në gjendje të fshehë të vërtetën e pamohueshme, disfatën dhe turpin e tij.
E gjithë bota e di se Izraeli gjithmonë fillon agresionin, plaçkitjen, abuzimin dhe vrasjen e palestinezëve dhe vret fëmijët dhe gratë e tyre të pafajshme pa asnjë lloj vetëfrenimi njerëzor për t’u zmbrapsur nga këto sulme.
Sot, kur SHBA-të dërgojnë anijet e tyre luftarake për të mbështetur Izraelin kundër militantëve palestinezë, të cilët për herë të parë kanë treguar aftësi luftarake në një përballje të pabarabartë, kjo shpreh një frikë shumë më të madhe nga sa mendonim. Sa plumba, bomba dhe sulme ajrore u duhen izraelitëve për të vrarë një fëmijë palestinez që ka lindur për të shkatërruar faraonin e quajtur Izrael dhe për të shkatërruar fuqinë e tij?!
Ata, pa dyshim janë makth, ndaj ata po grumbullojnë me nervozizëm anijet e tyre luftarake, ushtritë e tyre, arsenalet e tyre mediatike dhe agjentët e tyre (spiunët) të shpërndarë nëpër tokat muslimane.
Mirëpo, ajo që shohim është se premtimi i Allahut patjetër do të realizohet, dhe nuk është ëndërr, por është shkruar qartë në Librin e Tij dhe ne besojmë në të: “Dhe atyre(shokëve të Pejgamberit) të cilëve dikush ju tha: ‘Idhujtarët janë tubuar që prapë t’ju sulmojnë, pra ruhuni’. Por kjo jua shtoi dhe më shumë besimin dhe thanë: ‘Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!’” (Ali Imran, 173.). /tesheshi.com/