Nga Humza Yousaf, The Guardian
Ndërsa shumë njerëz nëpër botë, janë me të drejtë shumë të shqetësuar për rritjen e ndjeshme të populizmit, pak prej tyre janë të gatshëm të përballen me faktin, se është urrejtja ndaj myslimanëve ajo që po nxit kryesisht populizmin në Evropë dhe Perëndim.
Këtë vit shkon në zgjedhje gati gjysma e popullsisë së botës. Shumë vende kanë votuar tashmë, dhe në një numër vendesh, sidomos në mbarë Evropën, fituesit më të mëdhenj janë ata që e sigurojnë jetesën përmes fyerjes së muslimanëve.
Unë jam me shumë krenari një musliman perëndimor. Kam pasur nderin dhe privilegjin e madh të isha udhëheqësi i parë musliman i një demokracie perëndimore. E megjithatë, është gjithnjë e më e vështirë t’i bindësh muslimanët e tjerë, se Evropa nuk e ka problemin me vetë ekzistencën tonë këtu.
Në Britaninë e Madhe, shkalla e fitores së pritshme të Laburistëve, ka të ngjarë të jetë historia qendrore. Megjithatë pritet të marrë jo pak vota edhe partia Reforma në Mbretërinë e Bashkuar e Najxhëll Farazh. Një sondazh i fundit i YouGov, e vendos atë një për qind mbi konservatorët që kanë qeverisur deri më sot vendin.
Farazh që gjatë kësaj fushate ka thënë se muslimanët nuk ndajnë vlerat britanike, ka një histori të gjatë me komente islamofobike. Në vitin 2015, ai tha se njerëzit kishin frikë nga muslimanët si “kolona e pestë” në vend. Ndërkohë në vitin 2013, deklaroi se emigrantët muslimanë “po vijnë këtu që të na pushtojnë”.
Farazh ka dështuar shtatë herë në garën për deputet, por pavarësisht kësaj dhe pavarësisht faktit se e ka garantuar jetesën duke ndezur flakët e tensioneve fetare dhe racore, mediat britanike janë ende të fiksuara pas platformës së tij elektorale.
Ndërkohë, në anën tjetër të Kanalit kemi rezultatet e zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian, ku në shumë vende fituese ka qenë e djathta ekstreme. Në Francë, triumfi i Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen ishte aq i madh, saqë presidenti Macron u detyrua të shpallte zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Njeriu që mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Francës pas një muaji, politikani 28-vjeçar i TikTok, Jordan Bardella, e përshkroi Trapes, një komunë në perëndim të Parisit, si një republikë islamike, vetëm sepse pati guximin të rizgjidhte një kryebashkiak musliman.
Në Gjermani, një vend që e di shumë mirë se çfarë mund të shkaktojë demonizimi i një komuniteti të tërë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë doli e dyta në zgjedhjet evropiane, duke përmirësuar ndjeshëm rezultatin e vitit 2019. Ajo është një parti që gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, i kushtoi një kapitull të tërë në manifestin e saj elektoral, shpjegimit pse sipas fjalëve të saj “Islami nuk i përket Gjermanisë”.
Ndërkaq, Partia për Liri (PVV) e Gert Vilders në Holandë, ka negociuar një listë ministrash me partnerët e koalicionit, duke i hapur rrugën atij që të luajë një rol qendror dhe udhëheqës në qeverinë e këtij vendit. Në një botë të mbushur me islamofobë, Vilders është djali biond me lëkurë të bardhë.
Ai ka bërë thirrje që Kur’ani, të cilin e krahasoi me librin e Hitlerit “Mein Kampf”, të ndalohet së bashku me xhamitë, dhe e ka përshkruar Islamin si një “Kalë Troje” në Evropë.
Analistët dhe politikanët i kanë karikaturuar shpesh njerëz si Farazh dhe Vilders si “xhaxhallarë” të padëmshëm, të modës së vjetër, që pasi kanë rrëkëllyer ndonjë gotë me tepër në barbekjunë e familjes, do të bëjnë deklaratën e çuditshme të radhës.
Por kjo vetëkënaqësi, kjo tendencë për të injoruar dhe hedhur poshtë urrejtjen anti-muslimane, e ka lejuar atë të kalojë nga periferia në qendër të diskursit tonë politik. Politikanët në të gjithë spektrin politik, kanë qenë përgjatë dekadave shumë shpërfillës ndaj islamofobisë që ka gjalluar brenda politikës sonë.
Por në vend se ta sfidojnë dhe përballen me retorikën nxitëse anti-muslimane, në mënyrë të pashpjegueshme politikanët e kanë lejuar atë të përshkallëzohet. Ata kanë lejuar predikuesit e urrejtjes anti-muslimane ta përhapin ideologjinë e tyre tinëzare dhe ta lënë atë të përçajë komunitetet tona.
Ndërkohë, gjatë dy dekadave të fundit ne jemi përballur me sfida të rëndësishme globale:një krizë financiare globale, një pandemi, luftëra dhe ngjarje klimatike ekstreme. Kur politikanët kanë synuar të fajësojnë të tjerët për dështimet e tyre, muslimanët kanë qenë një objektiv i lehtë për shumë njerëz.
Më kujtohet dikur, kur politikanët më të njohur flirtuan me islamofobinë. Ata u përpoqën, në mënyrë të mjerueshme, të përdorin argumente delikate dhe të nuancuara, duke folur shpesh me eufemizëm për rreziqet e “emigrimit masiv”. Megjithatë, islamofobia është bërë aq e pranueshme për ta, saqë tani mezi përpiqen ta maskojnë atë.
Për këtë le të kujtojmë rastin e ish-ministres së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Suela Braverman, e cila shkroi një artikulli në një gazetë, duke u shprehur se “islamikët, ekstremistët dhe anti-semitët janë tani në krye të vendit”.
Si rezultat i rritjes së popullaritetit dhe integrimit të së djathtës ekstreme, muslimanët me të cilët bisedoj shpesh janë të frikësuar, dhe shumë prej tyre nuk e dinë se ku do të jetojnë në të ardhmen. E djathta ekstreme dëshiron që muslimanët të largohen nga Evropa, pra sipas fjalëve të tyre “të kthehen në shtëpi”.
Megjithatë, ne nuk kemi shtëpi tjetër përveç vendeve ku kemi lindur, jetojmë, rrisim fëmijët, punojmë, paguajmë taksat, dhe në të cilat kontribuojmë. Rezultati? Rrezikohet që dhjetëra miliona njerëz në të gjithë Evropën të ndihen të privuar nga e drejta e tyre, duke u ndjerë sikur nuk i përkasin vendit të tyre.
Dhe nuk është vetëm e djathta ekstreme, ajo që do të përpiqet të përfitojë nga ndjenja të tilla zhgënjyese, por edhe ekstremistët e frymëzuar nga Shteti Islamik. Ata priren të rekrutojnë njerëzit e pambrojtur, ata që nuk ndihen se i përkasin shoqërisë ku jetojnë.
Propaganda e tyre e shtrembër, mbështetet në krijimin e një dikotomie të rreme, duke e ndarë botën në dysh: dar al-harb (vendi i luftës) dhe dar al-Islam (bota islame). Ata u thonë atyre që ndihen të lënë pas dore se i përkasin bokës islame, se Perëndimi është shndërruar në një fushëbetejë në të cilën çdo taktikë vdekjeprurëse është e pranueshme për ta ndëshkuar armikun.
Nuk është ende vonë që politikanët e të gjitha bindjeve, të përballen me urrejtjen e shfrenuar anti-muslimane në diskursin tonë politik. Por rreziku i vërtetë, është se duke u sjellë butë me të djathtën ekstreme, ne rrezikojmë të inkurajojmë edhe ekstremistët e frymëzuar nga ISIS. Nëse e lejojmë këtë gjë, pasojat mund të jenë shumë të rënda.
Shënim: Humza Yousaf, ish-kryeministër i Skocisë dhe udhëheqës i Partisë Kombëtare Skoceze.