Qeveria e re izraelite ka miratuar një marshim të diskutueshëm nga nacionalistët e ekstremit të djathtë dhe grupet pro-kolonëve përmes pjesës së vjetër të Jeruzalemit Lindor të okupuar, në një lëvizje që ka rritur tensionet me palestinezët vetëm disa orë pasi Benjamin Netanyahu i dorëzoi pushtetin kryeministrit të ri Naphtali Bennett.
Disa grupe të krahut të djathtë izraelit pritet të marrin pjesë në të ashtuquajturin “Marsh Flamuri” përmes Portës së Damaskut dhe Lagjes Muslimane, pavarësisht paralajmërimeve nga Hamas, grupi palestinez që sundon Rripin e Gazës, se mund të përshkallëzojë dhunën.
Vendimi i qeverisë vjen mes tensioneve në Jeruzalemin Lindor lidhur me dëbimin e planifikuar të Izraelit të familjeve palestineze nga Sheik Jarrah, por edhe gjatë një armëpushimi të brishtë në Rripin e Gazës pas një bombardimi 11-ditor izraelit të enklavës që vrau 253 njerëz, përfshirë 66 fëmijë.
Fraksionet palestineze kanë bërë thirrje për një “ditë tërbimi” kundër Marshimit.
“Ky është një provokim i popullit tonë dhe agresion kundër Jeruzalemit dhe vendeve tona të shenjta,” tha kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh.
Përgatitjet e policisë dhe ushtrisë
Ministri i ri i Brendshëm i Izraelit, Omer Barley, e mori vendimin pas një takimi me shefin e policisë dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë. Ai pretendon se policia do të jetë e gatshme.
Nuk është ende e qartë nëse marshuesit do të lejohen të hyjnë në lagjen muslimane në pjesën e vjetër të qytetit, e cila ishte ndaluar më parë nga policia izraelite. Më 10 maj, policia ndaloi marshimin e planifikuar fillimisht në minutën e fundit sepse tensionet në Jeruzalem ishin rritur.
Hamas paralajmëroi se, nëse organizohet, Marshimi mund të provokojë armiqësi të reja, ndërsa media izraelite pretendon se ushtria po bën përgatitjet për shkak të një përshkallëzimi të mundshëm.
Ambasada e SHBA në Jeruzalem ka ndaluar stafin e saj dhe anëtarët e familjeve të tyre të hyjnë në pjesën e vjetër të qytetit “për shkak të Marshit të Flamurit dhe kundër-demonstrimeve të mundshme”.
Marshimi është sfida e parë për qeverinë e Naftali Bennett. Një ndryshim i mundshëm në rrugën e marshit mund ta ekspozojë qeverinë ndaj kritikave nga Netanyahu dhe aleatët e tij të krahut të djathtë, për veton e Hamasit në ngjarjet në Jeruzalem. /tesheshi.com/