Ndryshe nga Partia Socialiste, që kishte një sërë kandidatësh që duhet të kalonin proçesin e përzgjedhjes, LSI kishte vetëm një emër, si kandidate për “Bashkinë e re” të Gjirokastrës. Mbyllja e negociatave ndërmjet dy liderëve të mazhorancës, e fashitën tymnajën e “thashethemeve”, që kishin muaj që gëlonin dhe kandidatja zyrtare e së majtës është prefektja aktuale Zamira Rami.
Po kush është kandidatja e parë femër që synon kreun e Bashkisë së Gjirokastrës, e cila me ndarjen e re territoriale do të administrojë tanimë edhe 6 komuna, përkatësisht Cepo, Picar, Odrie, Lunxhëri, Antigone e Lazarat?
E ardhur nga bota akademike, me një eksperiencë 18- vjeçare si lektore pranë universitetit “Eqrem Çabej”, Zamira Rami, në vitin 2011 bëhet pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si anëtare e Lëvizjes së Gruas për Integrim.
Në vitin 2012 merr drejtimin e kësaj strukture (LGI). Dalja e parë publike në këtë detyrë ishte në Konventën e LGI-së Gjirokastër zhvilluar në vitin 2012.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013, emri i Zamira Ramit ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Gjirokastrës, forcë e cila aktualisht përfaqësohet në Parlamentin Shqiptar nga Vangjel Tavo.
Në 9 tetor të vitit 2013, Zamira Rami merr drejtimin e Institucionit të Prefektit të Qarkut Gjirokastër, post të cilin vazhdon ta është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Gjirokastrës.
Prej muajit tetor të vitit 2013 mban postin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër, detyrë të cilën pritet ta mbajë edhe për pak kohë, deri në momentin kur do të japë dorëheqjen, për të startuar më tej zyrtarisht fushatën elektorale.
Duket se kjo detyrë e parë drejtuese u përballua me sukses nga Rami, duke qenë se vlerësimet positive si nga ana e mazhorancës, ashtu edhe nga komuniteti nuk kanë munguar.
Prej më shumë se një jave, LSI, dega Gjirokastër ka “ndezur” motorrët dhe ka nisur përgatitjet e para për fushatën elektorale, që pritet në fakt të jetë e ashpër, por edhe e vështirë, nisur edhe nga konfigurimi i ri i hartës së bashkisë së Gjirokastrës.
Gjithsesi përkundër kundërshtimeve të para të ardhura nga baza socialiste për lënien e bashkisë më të madhe në jug të vendit, Lëvizjes Socialiste për Integrim, fushata do të jetë kontribut i përbashkët i forcave të koalicionit.
Vizita dhe takimi i kreut të PS, Edi Rama me bazën e kësaj force në Gjirokastër, me praninë edhe të kandidates Rami si dhe një tjetër takim i zhvilluar në fundjave i ministrave Arben Ahmetaj e Erion Veliaj dhe deputetëve Anastas Angjeli, Vangjel Tavo, prefektes Zamira Rami, kryebashkiakut aktual Flamur Bime me strukturat socialiste e konfirmojnë këtë fakt. Nuk dihet ende strategjia që do të ndiqet, megjithatë ditët në vijim do ta tregojnë.
p.s. Lënia në administrim e qyteteve të mëdha femrave, po është kohët e fundit një fenomen mbarëshqiptar.
Në Kosovë, Gjakova iu besua Mimoza Kusari Lila-s; në Maqedoni, Tetova iu besua Teuta Arifit; ndërsa në Shqipëri, dy qytete të mëdh, historike dhe me rëndësi mbarëshqiptare, po u besohen femrave: Shkodra Keti Bazhdarit, e Gjirokastra Zamira Ramit. Sigurisht, nëse do të fitojnë në zgjedhje. /tesheshi.com/