Forca më e re ushtarake që ka krijuar Putini, e ashtuquajtura “Garda Kombëtare”, që përbën një organizim paramilitar, është dekretuar për të vepruar jashtë Rusisë, dhe një pjesë e saj pritet të instalohet edhe në Ballkan.
Si pasojë e një marrëveshje mes qeverisë së Beogradit dhe asaj të Moskës për “të luftuar së bashku terrorizmin dhe krimin e organizuar”, një efektiv i “ushtrisë për jashtë” do të instalohet në të ashtuquajturën Qendër Humanitare të Nishit.
Siç bën të ditur gazeta ruse Sputnik, presidenti Vladimir Putin ka dekretuar pjesëmarrjen e trupave ruse në misione jashtë vendit.
“Garda Kombëtare do të përdoret me urdhër të presidentit për operacione jashtë vendit, për të rikthyer paqen dhe sigurinë në botë,” theksohet në tekstin zyrtar të dekretit për krijimin e forcës ushtarake.
Garda Kombëtare, e krijuar me trupa të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përbëhet nga tre kontigjente: forcat e mbrojtjes së rendit nga Ministria e Punëve të Brendshme, të përbëra nga 170 mijë trupa, policia speciale dhe forca e reagimit të shpejtë, prej 45 mijë trupash, dhe personeli i mbrojtjes jashtë sistemit qeveritar, prej 200 mijë vetësh.
Numri i anëtarëve të Gardës Kombëtare do të arrijë së shpejti në 300 mijë.
Garda Kombëtare do të ketë të drejtat e trupave të mbrojtjes të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe do të përdorë pajisjet më moderne në veprimtarinë e saj.
Analistët bëjnë të ditur se personeli i mbrojtjes jashtë sistemit qeveritar do të përbëhet nga ushtarakë të dalë në pension. Aftësitë profesionale të këtyre trupave janë më të mira se ato të policisë rrugore, po ashtu dhe pajisjet e tyre.
Sipas urdhrit të presidentit Putin, detyrat e Gardës Kombëtare janë: të ruajë rendit publik dhe administrimin e tij në situata emergjente, të luftojë terrorizmin dhe ekstremizmin, dhe të garantojë luftën kundër terrorizmit, sipas ligjit. Kjo forcë do të marrë pjesë në mbrojtjen e territorit rus dhe do t’i ndihmojë organet e mbrojtjes së kufirit shtetëror në rast nevoje. Gjithashtu, kjo forcë do të ruajë pajisjet dhe objektet e rëndësisë së veçantë brenda vendit, do të administrojë transportin e armatimeve dhe do të monitorojë zbatimin e ligjit të rojeve private.
Përveç këtyre, në situata emergjente, Garda Kombëtare gëzon lirinë e veprimit brenda 48 orëve pa autorizim nga autoritetet përkatëse.
Një tjetër arsye e krijimit nga presidenti Putin të Gardës Kombëtare, nënvizojnë analistët, është dhe për të luftuar armiqtë brenda vendit. Sipas kushtetutës së vendit, në kohë paqeje, qeveria ruse nuk mund të përdorë forcat ushtarake në luftën kundër terrorizmit brenda vendit. Për këtë arsye, duhet të ekzistojë një organizëm i fortë dhe i ligjshëm për përballjen me këto kërcënime.
Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/