Një shprehje e dalë nga goja e Lulzim Bashës dhe e Monika Kryemadhit këto ditë, ka kaluar thuajse fare pa u analizuar, pavarësisht se ka qenë një nga më të rëndësishmet.
Në turravrapin politik të opozitës me aksionin e një ri- “revolucion”-i për rrëzimin e Edi Ramës, shpallur një ditë më parë dhe nga Flamur Noka, për t’u pasuar natyrisht nga Basha-Kryemadhi, bie në sy fraza e tyre se “reforma në drejtësi ka dështuar dhe se nuk mund të flitet për reforma me këtë qeveri”!
Është një frazë që duket jashtë kontekstit, pasi tashmë vettingu shumë i përfolur ka filluar dhe grupi që rivlerëson gjyqtarët dhe prokurorët ka nisur të fusë në sitë të gjitha dosjet një nga në.
Por ka një “kleçkë” juridike në këtë mes, ku duket se ata që e kanë kundërshtuar dhe vonuar reformën në drejtësi, ia kanë arritur qëllimin: nuk është ngritur ende Këshilli i Prokurorisë, institucioni i ri që do të emërojë të gjithë trupën e njerëzve të rinj që do të përbëjnë organin e akuzës, që nga Prokurori i Përgjithshëm, Kryeprokurori i SPAK-ut e kështu me radhë deri tek prokurori më i thjeshtë.
Prokuroria është një organ totalisht i amortizuar dhe në skadim mandati, pasi ajo me Kushtetutën e vjetër është institucion vertikal që varet nga Prokurori i Përgjithshëm. Adriatik Lallës i mbaron mandati muajin e ardhshëm dhe komisioni parlamentar i Ligjeve nisi procedurat për të zëvendësuar kreun e organit të akuzës. Pikërisht këtu fshihet “lepuri i madh” i “revolucionit” opozitar për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Lulzim Basha e ka thënë shkoqur dje se PD-ja do të japë qëndrimin e vet në lidhje me këtë çështje, që sipas të gjitha gjasave do të jetë i thjeshtë: të zgjasë mandatin e Adriatik Llallës, të paktën deri kur të nisin organet e reja të drejtësisë. Një aksion politik që duket se opozita do ta bëjë me këmbëngulje, duke i dhënë Edi Ramës vetëm një zgjidhje: ose ta pranojë ose të largohet.
Pra i gjithë ky aksion që nisi me Tahirin dhe po vazhdon me ngulm duke rritur pjacën e akuzave, është vetëm një instrument për të arritur tek synimi që e tha vetë kreu i opozitës dje: “t’i lëmë prokurorët aktualë që të vazhdojnë punën e luftës”.
Sipas opozitës, Llalla dhe bashkëpunëtorët e tij janë të besueshëm pasi nuk pëlqehen nga qeveria, e si pasojë mund të jenë të paanshëm. Po a janë vërtetë të paanshëm Adriatik Llalla dhe grupi i tij i prokurorëve?
Vetëm dje, Prokuroria kërkoi mbylljen e hetimeve dhe pushimin e një prej çështjeve më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, e ashtuquajtura “Afera CEZ”. Nëse Prokuroria nuk do të kërkonte që të pushohet çështja, atëherë dosja do të kalonte automatikisht në duart e SPAK apo Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pse nxitoi Prokuroria ta mbyllë, kur mund ta lërë ashtu, të hapur, që në kohën kur t’i vijë prioriteti të rinisë sërish hetimi?
Përveç çështjes së besueshmërisë, apo thënë ndryshe besueshmërisë për paanshmërinë politike, Prokuroria aktuale ka dy kleçka të tjera: njëra është ligjore dhe tjetra është e liudhur me ndërkombëtarët.
Në aspektin ligjor, Adriatik Lallës i mbyllet mandati 5-vjeçar dhe nuk ka përse që të krijohen artifice juridike, kur zgjidhja më normale është në tavolinë: zgjedhja e shpejtë e Këshillit të Prokurorisë dhe konsensusi nëpërmjet një procesi mes mazhorancës dhe opozitës për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri. Mundësinë që Llalla të qëndrojë përtej mbylljes së mandatit 5-vjeçar e ka rrëzuar vetë opozita e sotme kur ishte në mazhorancë me precedentin “Ina Rama”.
Kryeprokurorja e Përgjithshme ishte zgjedhur nga Parlamenti në vitin 2007-n me një mandat të pakufizuar, por në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese Berisha-Rama, i vendoset mandati 5-vjeçar Prokurorit të Përgjithshëm, duke mos miratuar një dispozitë kalimtare, sipas të cilës duhej sqaruar statusi i kreut në detyrë. Kjo çështje ishte e kontestueshme juridikisht, por kur në krye të shtetit u zgjodh Bujar Nishani, ai shkarkoi Ina Ramën pa e çuar në Gjykatën Kushtetuese për intepretim çështjen se ç’ndodh kur një Prokuror është në detyrë me mandat të vjetër. Duke mos e çuar në Kushtetuese, ne nuk kemi një dispozitë që mund të përdoret si legjislacion për çështjen në fjalë, por kemi vetëm precedentin “Nishani” që i ndërpreu Ina Ramës detyrën, për të filluar një mandat nga fillimi Prokurori i Përgjithshëm i ri që u zgjodh, Adriatik Llala. Këtij të fundit tani i mbaron mandati dhe nuk mund të qëndrojë asnjë minutë në detyrë, pasi rrezikon institucionin, që edhe kështu ndodhet në vakum ligjor.
Nga ana tjetër, vetë Llalla me të gjithë trupën besnike të prokurorëve është cilësuar “non grata” nga qeveria e SHBA-së, duke dhënë kështu një qëndrim të qartë në lidhje me besueshmërinë ndërkombëtare, pikërisht kur agjenci ndërkombëtare si FBI-,a DEA, NCA britanike dhe Policia gjermane e Guardia di Finanza italiane, janë pjesë e një superoperacioni për kapjen e “peshqve të mëdhenj” në Shqipëri.
Pra, me të gjithë këtë panoramë të komplikuar në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm aktual mandatmbyllës, PD-ja ka një alternativë mjaft më të mirë dhe rezultative: të imponohet në negociata, qoftë edhe me ndërkombëtarët, që të gjendet një kandidaturë e duhur për Kryeprokuror të ri, i cili nuk zgjidhet nga Rama.
Nëse ka dëshirë opozita të kyçet në proces, sipas të gjitha gjasave mund të arrihet në zgjedhjen e një Kryeprokurori të paanshëm. Por opozita po kërkon që të shtyjë Llallën si zgjidhje emergjence, e cila nuk mban, edhe në mbajti nuk zgjat, edhe nëse zgjat nuk bind. Megjithatë, duket se çështja është më e komplikuar se kaq. Po rikthehet kontestimi i vjetër, pra i një viti më parë, i tërë reformës në drejtësi, ndaj shpallet ajo e vdekur. Po rikthehet sulmi ndaj ndërkombëtarëve.
Pasi u sulmua Donald Lu e Romana Vlahutin sërish, Rilindja Demokratike sot ka vënë në dyshim edhe ardhjen e agjentëve të FBI-së, të cilët sipas RD-së: “janë paguar nga fonde të panjohura për taksapaguesit amerikanë”.
Ja ç’shkruan RD-ja ndër të tjera:
“Evidencat flasin që qeveria e SHBA-së nuk kanë alokuar dhe nuk kanë kontraktuar asnjë kompani amerikane për këtë qëllim. Deri më tani edhe pse OPDAT, USAID, ICITAP apo agjenci të tjera të qeverisë amerikane kontraktojnë kompani të specializuar për shërbimet që kryejnë për interesa të politikës së SHBA-së, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur…
Nëse kjo kompani dhe këta agjentë janë kontraktuar, lind natyrshëm pyetja kush i financon, taksapaguesit amerikanë apo ata shqiptarë? Kosto e përafërt e një agjenti shkon në minimalisht 200,000 USD në vit, në një kohë që për këtë kosto nuk ka asnjë angazhim kontraktual nga qeveria e SHBA-së. Por sikur kjo shumë të shumëfishohet me 80 që është numri i përfolur i agjentëve, shkon në rreth 16 milionë USD…”
Por RD shkon edhe më tej: në faqen e saj të parë publikon foton e kreut të misionit të FBI-së në Tiranë që i fsheh fytyrën edhe pse duket se është ai, me distiktiv të FBI në dorë, por që mbi të gazeta e PD-së ka shkruar fjalën “fake”, pra fals.
Siç duket lufta politike e opozitës po synon të ndalojë instalimin e Prokurorisë së re, duke penguar në këtë mënyrë edhe superoperacionin e “peshqve të mëdhenj”.
Arsyeja? Mbetet për t’u parë, por vetëm ka gjasa që me këtë kontestim të ndërkombëtarëve Lulzim Basha ta humbasë sërish besueshmërinë si një alternativë e mundshme për të drejtuar vendin. Apo mos nuk është ky misioni i tij politik? Ndoshta… /tesheshi.com/