Intervistoi: Blendi Gashi
Sami Kurteshi, ish-Avokat i Popullit në Kosovë, tashmë flet vetëm si politikan. I inkuadruar së fundi në radhët e Vetëvendosjes, ai në një intervistë dhënë për tesheshi.com tregon pse iu bashkua pikërisht VV-së dhe jo ndonjë partie tjetër; e për vendimin e fundit të Kushtetueses për Asociacionin; për arrestimin e deputetëve të opozitës, akte të pushtetit të cilat i quan të kopjuara nga fondi i Gestapos së Hitlerit pas ardhjes në pushtet. Ai thotë se protesta e 28 Nëntorit u nxit nga ish-kryeministri Thaçi dhe kryepolici Maxhuni, ndërkohë që beson fuqishëm se koalicioni PDK-LDK është në prag të shthurjes….
Le ta nisim fillimisht me atë çka keni qenë e jo çka jeni. Pra, keni qenë Avokat i Popullit, sa respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë e sa në Shqipëri?
Në Kosovë ka një degradim të jetës institucionale, një përpjekje të qartë për zhdukjen e demokracisë parlamentare, për një shndërrim të republikës në një autokraci qeveritare, me dëshmi të qarta të përkeqësimit të të drejtave të njeriut, dhe një shkarje në drejtim të diktaturës policore. Kjo tendencë e shprehur në mënyrë të theksuar në dy vitet e fundit në Kosovë, e dallon situatën me atë në Shqipëri. Megjithatë, edhe Shqipëria nuk është një vend që gëzon ndonjë reputacion të mirë dhe nuk përbën një shembull që duhet ndjekur kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut.
Sa ishte e vështirë për ju që për 5-vite të udhëheqni këtë institucion. A mund të na veçonit një moment kur jeni ndjerë mirë dhe një moment tjetër kur ka ndodhur e kundërta?
Çdo institucion i pavarur në Kosovë ballafaqohet me obstrukcione të natyrave të ndryshme nga ata që mbajnë pushtetin. Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), të cilin unë e kam udhëhequr mbi 6 vite, rregullisht, për çdo ditë, është ballafaquar me obstrukcione të tilla. Edhe sot vazhdon të ballafaqohet. Kjo ka të bëjë edhe me kulturën politike të elites pushtetmbajtëse. Këto obstruksione kanë shkuar deri në organizimin e ndjekjes penale nga gjyqësori Kosovar, respektivisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, që është ndër levat që mban gjallë dhe e mbron krimin e organizuar institucional në Kosovë.
Momentet kur jam ndjerë mirë janë të shumta. Edhe sot vazhdoj të ndihem shumë mirë kur takoj shumë njerëz që më drejtohen për çdo ditë me mirënjohjen e sinqertë njerëzore për ndihmën që u ka ofruar IAP në zgjidhjen e problemeve të tyre me institucionet e ndryshme shtetërore. Përshëndetja në rrugë, madje edhe ndonjë përqafim në shenjë falënderimi për angazhimin tim, nga njerëz krejt të panjohur, është kënaqësia dhe satisfakcioni më i madh për mua.
Mungesa e objektit për Avokatin e Popullit është një nga kriteret që nuk janë liberalizuar vizat. Pse Kushtetuesja nuk e lëshon objektin që i takon institucionit që ju keni drejtuar?
Përshembull, ky është një ndër obstrukcionet e lartpërmendura. Rasti konkret ka të bëjë me qëndrimin e hapur armiqësor të qeverisë së Kosovës nda IAP, në njërën anë, dhe me prepotencën arrogante të Gjykatës Kushtetuese, që vepron me bindjen se është mbi ligjin. Ky është një mjerim i llojit të vet. Pasojat e një sjellje dhe veprimi të tillë janë shoqërisht dhe politikisht shumë më të rënda sesa koncepti i gjithpranishëm liberalizimi.
Ju pas përfundimit të postit të Ombudspersonit kaluat në politikë. Pse vendosët të bëheni pjesë e VV-së e jo të bashkoheni me ndonjë parti tjetër?
Sepse unë jam njeri politik. Bashkëngjitja me një subjekt politik domethënë angazhim politik aktiv. Ndërsa bashkëngjitja me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ka të bëjë me ngjashmërinë e pikëpamjeve filozofike dhe politike. Thjeshtë, LVV përbën djepin më të përshtatshëm politik dhe filozofik për bindjet e mia mbi organizimin shoqëror dhe mirëqeverisjen.
Një bashkëngjitje me subjektet politike që motiv të vetëm kanë vetëm marrjen dhe mbajtjen e pushtetit si mjet dhune, me synim për realizimin e interesave personale, përmes shtypjes, korrupcionit, krimit të organizuar, sic bëjnë partitë politike pushtetmbajtëse sot, nuk ka qenë dhe as do të jetë ndonjëherë pjesë e filozofisë sime politike. Me subjektet politike që pushtetin e kanë pikësynim të fundit, dhe qeverisjen, e aq më pak mirëqeverisjen, nuk e njohin si koncept politik, unë as kam patur dhe as dua të kem asgjë të përbashkët.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë aktgjykimin se ‘Zajednica’ bie ndesh me Kushtetutën. Çka pas këtij vendimi?
Kjo është pyetja kryesore, çka? Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim jashtëzakonisht politik, duke tejkaluar dukshëm kompetencat e veta të përcaktuara me ligj, me sugjerimet dhe udhëzimet politike për dy pushtetet e tjera, legjislativin dhe ekzekutivin. Sidoqoftë, në pjesën përmbajtësore juridike, Gjykata Kushtetues, plotësisht, pa asnjë përjashtim, ka vërtetuar të gjitha vërejtjet përmbajtësore të opozitës së bashkuar në lidhje me këtë marrëveshje. Madje – madje, ajo ka gjetur edhe shkelje të tjera thelbësore, duke vërtetuar se qeveria ka bërë shkelje të rënda duke cënuar rëndë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës me këtë marrëveshje të nënshkruar.
Rrjedhimisht, të gjitha veprimet e deritanishme e të opozitës së bashkuar, qofshin ato edhe jo krejt demokratike, joligjore, joparlamentare, janë dëshmuar si të domosdoshme dhe produktive: kanë ndaluar cënimin e rëndë të rendit dhe sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Tani është momenti i fundit për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore dhe politike të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në përgatitjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Pa përgjegjësi nuk ka as shtet, as ligj, as drejtësi, as institucione. Duke filluar nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, por jo duke e u ndalur vetëm te këta, si promotorët e gjithë këtyre krimeve të rënda kundrejt shtetit dhe institucioneve.
Ka tre muaj që institucioni ligjvënës është në një krizë të thellë. Si t’i ipet zgjidhje kësaj situate në mënyrë që të kthehet normaliteti në skenën politike?
Zgjidhja mund të jetë kaq e komplikuar si tani, me këmbënguljen e pushtetit për të mbajtur dhe mbrojtur veprimet kundërkushtetuese dhe antidemokratike, rrjedhimisht edhe pushtetin me çdo kusht. Qoftë edhe duke shkatërruar institucionet shtetërore.
Zgjidhja mund të jetë edhe po aq e thjeshtë: respektim i procedurave ligjore dhe kushtetuese dhe tërheqja e marrëveshjeve të nënshkruara më 25 dhe 26 gusht 2015.
Zgjidhja merr rrugë: Së pari, diskutimi i tyre në Kuvend, dhe vetëm pastaj mund të nënshkruhen ato nga cilado qeveri. Me këtë do të rikthehej edhe rëndësia e vlera e mirëfilltë e Kuvendit të Republikës së Kosovës si embrioni i jetës institucionale në Kosovë. Pikërisht shkelja nga ana e qeverisë së Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit e procedurave të rregulluara me Kushtetë dhe ligje ka sjellë një gjendje të tillë pa rrugëdalje. Kjo shkelje e procedurave nga ana e qeverisë, në të vërtetë është një tendencë në vazhdimësi e qeverisë prepotente për degradimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht të demokracisë parlamentare.
Si e cilësoni hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament? Ju vetë, po të ishit deputet a do të gjuanit gaz?
Pjesa e dytë e pyetjes është hipotetike dhe e karakterit krejt personal, pa ndonjë rëndësi të përgjithshme. Unë nuk jam deputet.
Hedhja e gazit ngacmues në Parlament është një mjet specifik në rrethana po ashtu specifike. Më i përshtatshmi në këto rrethana. Është një mjet joparlamentar dhe jodemokratik, por i domosdoshëm, dhe gjithsesi i imponuar nga vetë pushteti. Hedhja e gazit ngacmues, sado që mund të kualifikohet si vepër e rëndë e çfarëdo natyre qoftë, është vepër më e lehtë se nënshkrimi i marrëveshjeve që cënojnë rendin kushtetues në Kosovës dhe integritetin territorial të Kosovës. Të dyja këto, ndër veprat më të rënda penale në Republikën e Kosovës. Të ndalosh një vepër të rëndë, me një vepër pakrahasimisht më të lehtë, është veprim krejtësisht proporcional, i vetmi i mbetur në duar të deputetëve opozitar, krejtësisht në përputhje me situatën e krijuar. Deputetet dhe deputetët opozitarë janë heronjtë e kësaj epoke politike në Kosovë.
Po mendimi juaj për burgosjen e deputetëve opozitarë, hyrjen e sigurimit dhe policisë në sallën kryesore të seancave dhe mbajtjen e seancave në sallë alternative?
Ky është veprim i kopjuar nga fondi i veprimeve të Gestaposë së Hitlerit pas ardhjes në pushtet. Rrjedhat dhe pasojat e mëvonshme të pushtetit hitlerian, pak a shumë i kemi të njohura. Pikërisht mundësia e përsëritjes së këtyre pasojave në Kosovën e shekullit 21 më ka shtyrë që t’i bashkëngjitem LVV dhe opozitës në këtë rast, sepse këtu kemi të bëjmë me rrëshqitjen në diktaturë policore. Tani ishte koha të ndalim diktaturën policore, më vonë do të jetë tepër vonë.
Gjithnjë kam parasysh thënien e priftit gjerman të periudhës naziste, Martin Niemöller, që arsyetonte mungesën e kundërshtimit qytetar me rastin e burgosjes së tij nga nazistët, sepse ai jo vetëm nuk kishte kundërshtuar burgosjet e kundërshtarëve politikë të nazizmit me kohë, por në një mënyrë apo tjetër, madje edhe i kishte arsyetuar burgosjet e Gestaposë, duke arsyetuar mungesën e solidaritetit me mungesën e përkatësisë partiake apo organizative. Në të vërtetë, Niemöller ka mohuar mungesën e kurajos qytetare dhe politike ndaj Hitlerit.
Në protestën e 28 Nëntorit edhe ju u arrestuat nga policia. A keni pritur që pak ditë pas inkuadrimit në politikë të përballeni me policinë dhe si e vlerësoni sjelljen e saj ndaj jush?
Asgjë e jashtëzakonshme në Kosovë. Sidomos në këto rrethana, kur kemi të bëjmë me një rrëshqitje në një diktaturë policore. Përballja me policinë në rrethana të vendeve autokratike me diktaturë policore, nuk është asgjë e re për mua.
Në rastin e përballjes sime me brutalitetin policor më 28 Nëntor, domosdo duhet të bëjmë një dallim cilësor. Këtu nuk kemi të bëjmë me Policinë e Kosovës si tërësi, por me bërthamat kriminale brenda Policisë së Kosovës, të organizuara, të nxitura dhe të udhëhequra nga individë të caktuar, në krye me Hashim Thaçin dhe Shpend Maxhunin dhe vartësit e tyre besnikë të krimit të organizuar institucional dhe jashtë-institucional. Nga kjo, momentalisht, deri në konfliktin e hapur politik të partive të koalicionit PDK-LDK, me qëllim të mbajtjes së pushtetit fiktiv, po përfiton edhe Isa Mustafa, për të arritur qëllimet e tij shtetshkatërruese. Por kësaj po i vie fundi.
Opozita a është vet përjashtuar apo përjashtuar nga Kuvendi (seanca plenare)?
Është një koncept i ri politik, jo vetëm për Kosovën por edhe për literaturën politike në përgjithësi. Është një marrëzi e llojit të vet, e cila në të vërtetë fsheh qëllimin e vërtetë – veprimet që shpiejnë në diktaturë policore dhe në një pushtet autokratik.
Si është të jesh brenda strukturave të VV-së e si ta shikosh nga jashtë këtë Lëvizje?
Është sikur një lum i madh që rrjedh rrëmbyeshëm. Ta shohësh nga jashtë mund të jetë edhe ndjenjë e bukur, madje edhe një mrekulli e frikshme, por nuk kalon dot matanë. Për të kaluar matanë, duhet të notosh brenda në të, të ballafaqohesh me vështirësitë e rrjedhës së rrëmbyeshme, në njërën anë, dhe kënaqësinë e daljes matanë, në anën tjetër.
Për fund, çfarë prisni të ndodh më 2016-të, vazhdim të protestave apo qetësim i situatës përmes zgjedhjeve të reja?
Nëse nuk tërhiqen marrëveshjet e muajit gusht 2015, që ato të mos jenë të vlefshme ligjërisht dhe politikisht, nuk do të ketë ndalje të veprimeve opozitare. Mund të ketë vetëm ndryshim të formave të veprimit. Megjithatë, unë jam i bindur se koalicioni i brishtë PDK-LDK është në prag të shthurrjes. Prandaj, Urime Viti i Ri 2016, pa këtë koalicion. Sidoqoftë, marrëveshjet e ‘Zajednicës’ dhe të Demarkacionit nuk kalojnë! /tesheshi.com/