Ligjërimi mediatik është baza e formësimit të idesë a përshtypjes mbi diçka.
Dhe bazuar në këtë ligjësi psikologjike, edhe përceptimi që kemi ne mbi vendin ku jetojmë, merr formë pikërisht prej ligjërimit mediatik. Këtij të fundit i është shtuar tashmë dhe një tjetër përmasë, ajo e rrjeteve sociale, që gati-gati e ka nxjerrë nga kontrolli. Dhe duhet thënë se bindja e thelluar sot mbi një Shqipëri keq e më keq, është dhe produkt rrjetesh sociale që deri dje nuk ekzistonin. Shqipëria kjo ka qenë, ç’prej kur u ndërruan sistemet, por është ligjërimi ai që, i rënë në dorë të masës së frustruar po ngjyros me linja akoma më të zeza tablonë e trishtimit, ku një dorë të mirë ka dhe situata e rënduar ekonomike.
Është i provuar tashmë sindromi që me xhepat plot, shqiptari ia hedh disi-disi mizeries sociale.
“Shqipëria tjetër” quhej një cikël i Marin Memës këtu e ca vite më parë, ku në çdo fillimjavë shfaqte një copëz realiteti të panjohur të 28 mijë kilometrave katrore, të pllakosur nga varfëria, harresa e trishtimi.
Por Shqipëri tjetër është “Hapësirë e Blertë” e Marash Mirashit në TVSH. Mirashi, një gazetar i fillimit të viteve ’90-të zgjodhi të qëmtojë fshatin përgjatë tranzicionit, aty nga vitet 2000 e këtej, duke ofruar atë çfarë e përgjithshmja nuk e ofronte: realitete njerëzish që punonin, fort e ndershmërisht, duke krijuar nga inteligjenca e vullneti oaze të një jetë normale, deri në të paturit zili. Por, pjesë e fashave transmetuese të TVSH-se më shkueshmëri të humbur nga privatët në ekspansion, “hapësira” e tij plot jetë nën gjëlbërim nuk e kishte impaktin e duhur në publikun e gjerë. Ti mund ta ndeshje a ta ndeshësh Marashin me mikrofon në dorë duke u endur fushave, ecur mes bagëtive apo fjalosur me fshatarë llërëpërveshur, vetëm aksidentalisht duke u englendisur me pult në dorë. Provoni ta shikoni dhe bindja se këtë vend e ka marrë lumi do iu pëson një krisje për mirë. Është ndër ato hapësira mediatike sot që ta heq stresin dhe të tregon vërtet një Shqipëri krejt tjetër, të paktën aq sa për të besuar se jo kudo e jo në çdo gjë, gjërat vejnë keq. Një model i ngjashëm është dhe Histori Shqiptare e gazetares Alma Çupi, dje në ABC News dhe së fundi në Klan. Edhe tek kjo e fundit, na shfaqet një tjetër Shqipëri e panjohur, ajo me heronj të heshtur që ofrojnë copëza realitetesh plot shkëlqim nga idetë, puna, vullneti.
Edhe përballë tyre, pos debateve televizive ku vërshojnë herëpashere dhe përrenj psiqikë, qëndron një tjetër model gazetarie, krejt i kundërt, prej së cilit Shqipëria ngjan me një tokë kriminelësh, trafikantësh, delikuentësh e njerëzish moralprishur e me dërrasa mangut: ajo e Artan Hoxhës. Nuk ka faj për këtë, sepse profili i tij profesional është pikërisht kronika e zezë (që jo më kot quhet dhe e zezë), por që duke qenë aq prezent në media me ligjërimin e tij të ankthshëm, e ka kriminalizuar vendin e tij – sigurisht, pa e dashur këtë gjë – deri në pikën e neverisë, e pa dyshim bindjes se krimi e droga janë sistem jete në Shqipëri. Që do të thotë se profesionalisht Artan Hoxha mund të jetë më i aftë se Marash Mirashi, ndonëse në lëmi të ndryshme informimi, por ky i fundit është shumë më i shëndetshëm për psiqikën e rënduar shqiptare. /tesheshi.com/