“Na ka ardhur në majë të hundës nga këto grindje, na ka ardhur në majë të hundës nga thyerja e muslimanit prej muslimanit… Nga këtu u bëj thirrje të gjithë vëllezërve të Gjirit, udhëheqësve dhe qytetarëve të Gjirit u bëj thirrje: nuk ka të fituar nga grindja mes vëllezërish, nuk shkohet askund me shpifje. Palë e fituar nga kjo grindje do të bëhen qendra që ushqehen nga paqëndrueshmëria, nga tensioni, nga gjaku dhe lotët në rajonin tonë.”
Me këto fjalë u është drejtuar president turk Rexhep Tajjip Erdogan të pranishmëve në një iftar të shtruar nga dega e Stambollit e AKP-së, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.
Edhe një herë tjetër ai ka shprehur mbështetjen për Katarin në përplasjen më të fundit mes vendeve të Gjirit Persik. Edhe një herë tjetër ai u është drejtuar vendeve mike në rajon, më së pari sauditëve, për t’i dhënë fund bllokadës ndaj Katarit.
“Unë them që kjo [bllokada] të hiqet e tëra; nuk duhet të ketë diçka të tillë mes vëllezërish,” deklaroi Erdogani, i cili që në krye të herës ka qenë për shmangien e një përplasjeje të tillë që nuk e çon askund rajonin, por, në të kundërt, shton kaosin në të.
“Ne nuk do t’i braktisim vëllezërit e Katarit,” ka premtuar presidenti turk. “Katarit do të vazhdojmë t’i japim çdo lloj ndihme.”
E sa për fondacionet e shpallura se kanë lidhje me terrorizmin, Erdogani ka nënvizuar me forcë në fjalën e tij në iftarin e së premtes: “Nuk ka diçka të tillë. Dhe unë i njoh ato fondacione. Nuk jam bërë deri më sot dëshmitar i dhënies nga Katari të mbështetjes për terrorin.”
Turqia, e posaçërisht Erdogani, vijojnë të luajnë një rol pajtues në krizën mes një numri vendesh arabe dhe Katarit. /tesheshi.com/