Bisedoi: Blendi Gashi
Emrije Tahiri, profesoreshë e Gjuhës Shqipe e diplomuar në Tetovë, e cila jeton në në “Lagjen e Kuvajtit”, në qytetin e Podujevës, plot dhjetë vite është duke kërkuar drejtësi. Një dekadë më parë ajo u largua nga sistemi arsimor edhe pse e kualifikuar.
Nuk ka të bëjë kjo me ‘shaminë’ apo veshjen prej besimtareje, por nuk e mohon faktin se një prej arsyeve pse nuk pranohet në katër vitet e fundit si mësimdhënëse është edhe shkaku i pamjes së saj.
Portali “Te Sheshi”, ka realizuar një bisedë me profesoreshën Emrije, e cila ka treguar në hollësi arsyet e largimit nga puna, mosrikthimin në vendin e saj të punës edhe përkundër se Ministria Arsimit mori vendim në favor të saj…
Profesoresha Emrije, ju përmes një letre publike keni treguar se janë bërë 10 vite që kur jeni larguar nga puna ku keni punuar si mësimdhënëse. Keni kërkuar drejtësi nga institucionet e vendit për rastin tuaj. Na tregoni më hollësisht, kur jeni larguar nga puna dhe pse ju larguan?
Më lejoni së pari t`ju përshëndes dhe t ju falënderoj për intervistën lidhur me padrejtësinë e madhe që është bërë ndaj meje.
Pra, unë jam Emrije Tahiri, profesoreshë e diplomuar e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Shkencave Humane dhe i Arteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Maqedoni ku jam diplomuar para 16 viteve.
Këtë shtator bëhet viti i dhjetë që jam larguar nga puna. Së pari kam punuar si profesoreshë e Gjuhës Shqipe në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “, me klasë të nënta, në vitin shkollor 2002-2003. Aty punova një vit me plotë zell dhe përkushtim si një kuadër i ri plotë vrull për punë.
Drejtoria e Arsimit në muajt e pushimeve verore shpalli konkurs të hapur ku më pas së bashku me drejtorin e shkollës më transferuan nga shkolla amë në qendër në paralelen e ndarë në fshatin LLuzhan, ku vazhdova punën si profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në vitin shkollor 2003-2004, poashtu me klasë të nënta. Mirëpo, unë bëra ankesën në Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe në Ministri të Arsimit, për këtë transferim, dhe fitova të drejtën për rikthim në vendin e punës në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “, në Podujevë. Por,
Drejtoria e Arsimit siç dukej ishte zemëruar me ankesën time dhe nuk më riktheu në vendin e punës, pra nuk zbatoi as vendimin e Ministrisë së Arsimit. Për këtë përgjegjës është ish-drejtori i atëhershëm i Drejtorisë komunale të Arsimit në Podujevë, Shpejtim Bulliqi.
Pse nuk është zbatuar vendimi, a keni marrë ndonjë përgjigje?
Këtë më së miri e di Drejtoria e Arsimit në Podujevë dhe ish-drejtori i Arsimit, Shpejtim Bulliqi, dhe drejtori i atëhershëm i Gjimnazit “Aleksander Xhuvani “, Avni Maloku, tani drejtor aktual i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë. Këta dy zyrtarë janë përgjegjës për moskthimin tim në vendin e punës.
Më pas klasët e nënta u rikthyen në shkollat e tyre dhe gjimnazi u shndërrua në një shkollë fillore, ku një pjesë e mësimdhënësve u sistemuan aty. Pa konkuruar fare, mua më pranuan në shkollën fillore “Rilindja”, në fshatin Herticë, ku kisha punuar dy vite si mësimdhënëse e ciklit klasor. Pra, edhe këtu më është bërë një padrejtësi, sepse unë kisha aplikuar në shkolla tjera për punë. Në këtë shkollë me cikël të ultë kam punuar dy vite (2004-2006).
Pra, më mohuan të drejtën e aplikimit nga shkaku se kërkonin nostrifikimin e diplomës sime procedurën e së cilës e fillova më 14 shtator 2006 .
Na shpjegoni pak çështjen e nostrifikimit të diplomës, që sipas Drejtorisë së Arsimit në Podujevë ky ka qenë problemi pse jeni larguar nga puna…?
Drejtoria e Arsimit kërkonte nostrifikimin e diplomës dhe unë e dërgova lëndën në Ministri për nostrifikim. Sikur, edhe atje ndërhyri dikush, pasi dy vite zyrtarët e Fakultetit Filologjik e mbajtën lëndën në sirtarë duke mos kthyer procedimin e mëtejmë. Pas shumë angazhimesh ia dola dhe shpërtheva këtë bllokadë 2-vjeçare që ishte bërë padrejtësisht ndaj meje. Ministria e Arsimit i dërgoi kërkesë me urgjencë Fakultetit Filologjik që të dërgoi të gjitha lëndët në procedim të mëtejmë në Ministri dhe filloi procedura në mes Ministrisë së Arsimit të dy shteteve për nostrifikim të diplomës.
Pas, tre muajsh, rikthehet vendimi i nostrifikimit të diplomës nga Maqedonia. E tërë kjo zhagitje zgjati dy vite e gjysmë dhe unë që nga viti 2006 kam mbetur e papunë, me një përjashtim. Pas marrjes së nostrifikimit të diplomës, Drejtoria e Arsimit më dërgoi për dy javë të zëvendësoi një mësimdhënës në shkollen fillore “Sheq Mirovci”, në fshatin Shtedim të Podujevës. Çuditërisht, as për ato dy javë nuk u kompensova asgjë materialisht dhe sërish mbeta e papunë.
Ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit, Zukë Xhemajli , poashtu mban një pjesë të përgjegjësisë për moskthimin tim në punë apo mos sistemimin në ndonjë vend tjetër të punës pas marrjes së nostrifikimit dhe basvlerësimit të diplomës sime nga Ministria.
Prej këtyre padrejtësive të mëdha që janë bërë ndaj meje dhe tmerrit që kam përjetuar më është rënduar edhe gjendja shëndetësore, dhe familja jonë është zhytur në mjerim të thellë.
Them publikisht se të gjithë drejtorët e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Podujevës, që prej vitit 2003 e këtej kanë bërë padrejtësi dhe shkelje ligji, shkelje dinjiteti të një profesoreshe të diplomuar, kanë bërë diskriminim të thellë njerëzor ndaj një femre, dhe ata duhet të përgjigjen edhe penalisht para drejtësisë.
Këtë shtator filloi viti i ri shkollor. A keni aplikuar edhe sivjet për punë në ndonjë nga shkollat e Podujevës?
Edhe këtë vit kam aplikuar për punë në dy shkolla, në Gjimnazin “Fan S. Noli”, në Podujevë dhe në shkollën fillore të mesme të ultë “Shaban Shala”, në Podujevë. Në gjimnazin “Fan S. Noli”, çuditërisht nuk më kishte dalur emri fare për intervistim edhe pse kisha aplikuar në orë profesioni, Gjuhë Shqipe . Sikur dëshiruan të më eleminonin. Pranimi i kuadrove arsimore më shumë po bëhet me ngjyrime politike, përmes njerëzve të afërt të pushtetit, po lihet drejtësia anash dhe kjo padyshim se nuk e ngritë cilësinë e arsimimit të nxënësve tanë, kjo vetëm shkakton degradim dhe rënie të arsimit në nivel vendi.
A mund të jetë pengesë shamia, mbulesa që keni? Pse ju si kuadër i diplomuar dhe me përvojë në arsim, nuk po pranoheni si mësimdhënëse në ndonjë prej shkollave të Podujevës?
Besoj se janë shume fakte dhe argumente që dëshmojnë padrejtësi ndaj meje. Unë e them publikisht se jam e mbuluar. Sivjet bëhet viti i pestë që jam mbuluar për Zotin. U mbulova, kur nuk isha edhe mirë me shëndetin si pasojë e gjithë padrejtësive që ishin bërë ndaj meje.
Në katër vitet e fundit unë nuk pranohem për të dhënë mësim në shkollat e Podujevës edhe shkaku i mbulesës. Këtë qartë ma ka shprehur edhe kryetari i Komunës, Agim Veliu, kur ia kam paraqitur rastin e mospranimit tim në punë. Ai qartë më tha: ‘Ku të vëjë unë para nxënësve këtu me këtë veshje’. Unë kam kërkuar edhe nëpër Ministri zgjidhje për këtë që mos të jetë pengesë për punësim, por ata thonë se është përgjegjësi e organeve të Drejtorisë komunale që të vendosin.
Pra, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës këtë e sheh si pengesë por nuk shprehet publikisht shkaku i opinionit për këtë çeshtje. U vërejtën edhe padrejtësi të tjera lidhur me rastin tim, por nëse nuk është problem shamia, atëherë le të më tregojnë cili është problemi.
Lënda juaj aktualisht është në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. A pritni ta dërgoni në EULEX?
Të jem e qartë për opinionin e gjërë. Bashkëshorti im ka dërguar një lënd të përbashkët tek kryeprokurorja e Kosovës, Laura Pula. Nga kryeprokurorja kam marrë një njoftim se lënda është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për procedim të mëtejmë. Mirëpo, ajo lënd që nga fillim tetori i vitit të kaluar ka mbetur në sirtarë sikur ka intervenuar politika që kjo lënd të mbetet aty, dhe të mos hapen hetime ndaj këtij rasti dhe rasteve tjera që kam përmendur.
Pra, për këtë problem ju kam adresuar të gjitha institucioneve tona shtetërore të Republikës së Kosovës prej Presidentes, kryeministrit, Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit, por pa përgjigje konkrete. I jam adresuar me një letër urgjente të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës nga të cilat kërkoj urgjentisht të merren me trajtimin e rastit tim. Ndryshe, këtë rast do ta dërgoi edhe në Prokurorinë e EULEX-it në Prishtinë brenda disa ditësh, që të merret me padrejtësinë që më është bërë dhe shkeljet e ligjit që kanë ndodhur. Këto padrejtësi, kanë shkaktuar edhe pasoja të paprashikuara për mua dhe familjen time.
A pritni të kompensoheni me mjete materiale për vitet që ju kanë larguar nga puna, siç thoni ju pa të drejtë?
Është e padrejtë të mos kthehem në vendin e punës si një punëtore e kualifikuar që jam. I përmbushi kriteret e konkursit dhe të mësimdhënies. Është e padrejtë të shpallet konkursi kur kam qenë e kualifiuar dhe me performacë të lartë në mësimdhënie.
Unë shpresoj që çështja, pas procedimit të mëtejmë para organeve të drejtësisë qoftë asaj vendore ose të EULEX-it, do të jetë në anën time, sepse kështu flasin argumentet dhe dëshmitë.
Unë pres kompensim të plotë material edhe pse nuk jam e dhënë pas ankimimit, por jam detyruar të bëj një gjë të tillë pas padrejtësive të mëdha që më janë bërë.
Cili është apeli juaj për institucionet, Ministrinë e Arsimit, Drejtorinë e Arsimit në Podujevë por edhe për organet e drejtësisë?
Apeli im, si profesoreshë e diplomuar e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës është që me urgjencë të merren me trajtimin e rastit tim, diskriminimit dhe padrejtësisë dhjetë vjeçare që është bërë ndaj meje si mësimdhënëse.
Pres që të ngritet sa më shpejt padi për kryerësit e këtyre padrejtësivve, që janë ish drejtorët e Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Shpejtim Bulliqi, Zukë Xhemalji , Nexhmi Rudari dhe drejtori aktual Avni Maloku.
Po ashtu, kërkojë rikthimin në vendin e punës , në shkollën ku kam aplikuar apo në ndonjë shkollë tjetër. Poashtu, pres kompenzim të plotë material.
Kam shpresën se kjo paraqitje ime publike drejtuar institucioneve tona do të vëjë në lëvizje tërë procesin, do të përshpejtojë zgjidhjen e këtij problemi dhe se përgjegjësit e tmerrit ndaj meje do të marrin dënimin e merituar.
Për fund, na flisni pak për familjen tuaj, sa fëmijë keni, ku jeton dhe në çfarë kushtesh jetoni?
Unë jetoj me bashkëshortin dhe tre fëmijët në strehimoren kolektive ish Lagjja e Kuvajtit tani lagjja “Dëshmorët e Kombit”, në Podujevë.
Nuk kemi as shtëpi, as tokë. Burri im punon si mësimdhënës me orar jo të plotë dhe merr vetëm 185 euro në muaj. Një pjesë e kësaj gjysmë page shkon për shlyrjen e një kredie që kemi marrë për nevoja të trajtimit shëndetësor familjar, kurse një pjesë tjetër bashkëshorti është i detyruar të shlyej dhunshëm borxhin ndaj KEDS-it. Një pjesë e parave i shkon për udhëtim në punë, dhe familjes sime për gjithë muajin, i mbesin vetëm 45 euro për nevojat familjare.
Nga viti i kaluar familja ime është duke jetuar me bukën që na e falin miqtë dhe njerëzit e vullnetit të mirë. Falë ndihmave, ka mbijetuar familja ime, pasi askush nga institucionet s’na ka ndihmuar.
Unë kam tre fëmijë të cilët janë të shkëlqyer në mësime, por janë duke u rritur në kushte të rënda ekonomike, shpeshherë nuk kanë as buk për të ngrënë. Po të mos ishin njerëzit e vullnetit të mirë, familja ime do të vuante edhe nga uria.
Këto që po i them janë të vërteta. Një fëmijë i imi që është në shkollë të mesme shpesh shkon në shkollë pa ngrënë bukë, pa asnjë cent në xhep, s’ka për të blerë as një kifle, as para për udhëtim, shkon pa veshmbathje të duhur dhe i mungojnë edhe mjetet mësimore për punë.
Sot, kur po më intervistoni ju them hapur dhe zemërthyer. Dje, familja ime ka marrë hua disa artikuj ushqimor për dy ditët e ardhshme.
Në këtë pozitë, familjen time e ka sjell Drejtoria e Arsimit në Podujevë. Familja ime është shkatërruar, degraduar dhe në telashe të mëdha me jetën dhe shëndetin.
Dita ime si mësimdhënëse e larguar nga puna është kjo: pasi zgjohem në mëngjes, përgatiti ushqimin për fëmijë. I ndihmoj fëmijët në detyra dhe mësime. Djalin e vogël e dërgoi shpesh deri në shkollë. Shoh kolegët e punës me ditar në dorë duke dhënë kontributin e tyre, dhe unë vërtet e zhgënjyer rikthehem në kontenjer me kushte tmerruese për jetë.
Ky është realiteti i krijuar për mua dhe familjen time, në dhjetë vitet e fundit.
Shpresa tek Zoti, dhe se drejtësia do të triumfoi pas padrejtësive që më janë bërë më japing kurajo që të mos dorëzohem
I lutem, Zotit, ajo që më ndodhi mua të mos i ndodh askujt!
Zot më dhuro punën time që e doja me zemër dhe shpirt, që pas gjithë kësaj padrejtësie të buzëqeshë fati dhe jeta edhe për mua dhe familjen time!
Mes jush jam të dashur nxënës duke ligjëruar me shpirt, edhe pse fizikisht më ndaluan një gjë të tillë. Urime të mbara për të gjithë ju nxënës të dashur!
Portalin tuaj e falenderoj shumë për hapësirën që më ka dhënë në tregimin e rastit tim. Ju uroj suksese në zbardhjen dhe pasqyrimin objektiv të ngjarjeve që na rrethojnë. /tesheshi.com/