Nga Ermir Hoxha
Është shtuar akoma dhe më tepër misteri “Shullazi” pas deklarimit të një dite më parë të dyshes së profesorëve Koni – Kule se nuk e mbajnë mend kërcënuesin e tyre, që me gjasë ka qenë Shullazi, por që ata zgjedhin të mos ia thonë emrin, pra të mos e denoncojnë. Dhe siç mbyllej kronika e gazetares Anila Hoxha në lajmet e Top Channel-it, pikëpyetje e madhe mbetet se kujt iu referua Berisha kur denoncoi kërcënimet e pazakonta të Shullazit karshi profesorëve?!
Mister tashmë nuk është Shullazi si profil kriminal, por statusi “politik” i tij, terrenet e interesave ku endet, nën hyqmin e supozuar të politikës.
Po ta shohësh me vëmendje, të dy kahjet politike kanë si argument të mospasjes së Shullazit ushtar të tyre, faktin se e kanë burgosur, Berisha dje dhe Rama sot; ndërkohë që post-burgjet e deritanishme ndaj tij e kanë bërë atë më trim, më të vendosur, më sypatrembur(!!!).
Pra, a vlen kjo?!
A vlen nëse sillet si precedent edhe rasti i personazhit të “kujdestarit” tek filmi “Lulëkuqe mbi murre”?!
Kur kuestori dhe drejtori vendosën ta rrasin brenda kujdestarin pas vdekjes së Sulos si pasojë e plumbave të patrullës, ata e bënë këtë për të pastruar imazhin e tyre. Por kuestori shtoi dhe diçka tjetër, duke thënë se “tipa të tillë na duhen shumë”; që do të thotë se për vetë karakterin e ulët që kishte, për faktin se profili i tij ishte ai një servili ndaj pushtetit fashist, vendosën që burgosja e tij të ishte jo ndëshkim, por një lloj investimi për shërbimet që ata do i kërkonin më vonë.
“Le të rrijë ca kohë brenda, tipa të tillë na duhen shumë….bile kështu bëhen dhe më të vlefshëm”, do thoshte kuestori.
Dhe a mos ngjan fati i Shullazit pikërisht me atë të kujdestarit në këtë rast?!
Shullazi vërtet bëri ca vite burg nën qeverisjen e Berishës, por ca ama, pesë e gjashtë vite, aq sa tipologji të tilla i kanë variacione jete. Dhe, fakti që kur doli ishte më i karikuar për aktivitet ku përzihej krimi ordiner me atë politik, hedh shumë dyshime mbi ndëshkimin që i kishte bërë pushteti. Aq më tepër kur është fjala për një qeverisje që vërtet ishte treguar dorëhekur me bandat dhe krerët e tyre famëkëqinj, duke u dhënë dënime deri dhe në të përjetshme. E pra, përse duhej të diferencohej Shullazi nga, fjala vjen, Aldo Bare e Lul Berisha, ndërkohë që bëmat e tyre ishin afërsisht të së njëjtës masë e nivel?!
E tani të vijmë tek pushteti aktual. Dhe ky rreh gjoksin se e ka rrasur brenda Shullazin; por fakti që ky i fundi ka patur kaq kurajo për aktivitet kriminal, mu në kohën e investimit të fuqishëm të frikës ndaj ligjit dhe promovimit të “kthimit në detyrë” të policisë, apo promovimit me bujë se po vjen era shtet, përbën një akuzë të rëndë ndaj qeverisjes “Rama”.
Këto 25 vite na është dhënë dhe leksioni që, nëse nuk ke një mbështetje diku, sidozot nga qarqe politike, vështirë të gjesh të atillë guximi për t’i bërë zullumet ditën për diell; siç dhe Shullazi i ka bërë rregullisht prej sa ka dalë prej burgu, me një kreshendo të dukshme gjatë tre viteve të “Rilindjes”.
Ndaj pra, mos është Shullazi thjesht një “kujdestar” politikës?! Të të dyja kahjeve, kuptohet…
Ndiqeni këtë sekuencë filmike për ta kuptuar më mirë…
https://www.youtube.com/watch?v=kYW1yx81MkI&feature=youtu.be
/tesheshi.com/