Kriza ekonomike në shtetin fqinj Greqi, nuk do të kalojë pa prekur edhe vendin tonë. Nëse deri më tani analistët tanë janë përqëndruar vetëm te sistemi bankar, për të cilin ofrojnë garanci dhe siguri të depozitave, pasi kjo gjë është rregulluar me ligj që në vitin 2010-të ajo që është harruar të përmendet dhe të analizohet, është çështja e emigrantëve shqiptarë atje.
Ku dhe si do jetojnë ata pasi të mbeten të papunë. Zgjidhja është kthimi në Shqipëri. Por sa e vështirë është kthimi dhe riintegrimi i tyre në atdhe, çfarë kostoje dhe barre është kjo situatë për qeverinë shqiptare dhe për ata vetë; si mund të përballohet dhe menaxhohet ky fluks emigrantësh që pritet të mbërrijë në Shqipëri? Për të gjitha këto çështje të ngritura mes pikëpyetjesh, flet në një intervistë eksperti i njohur i çështjeve sociale, dhe emigratore Kosta Barjaba.
Z.Barjaba çfarë po ndodh me Greqinë, dhe sa e rrezikuar është Shqipëria nga kriza ekonomike në shtetin fqinj?
Ajo që po ndodh sot në Greqi dhe që pritet të ashpërsohet në të ardhmen është një lajm i keq për Shqipërinë, pavarësisht se sa do të na prekë në zona të caktuara të jetës sonë, të ekonomisë. Ne prekemi nga kriza në Greqi pasi, kemi marëdhënie ekonomike me Greqinë, pasi është një ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, kështu që ajo që ndodh në ekonominë greke do të pasqyrohet edhe në investimet greke në Shqipëri por edhe në bilancin e import-eksporteve.
Por nëse sistemi bankar është i imunizuar për shkak të masave ligjore që janë marrë më herët nga qeveria shqiptare, ne nuk mund të pengojmë ndikimin që do ketë kriza greke te emigrantët shqiptarë por jo vetëm. Tani çfarë po ndodh me Greqinë? Nga pikëpamja e qëndrimeve politike dhe e politikave migratore në Greqi kemi pasur një qasje më pozitive të qëndrimit ndaj emigrantëve, përfshirë dhe ata shqiptarë, sepse qeveria greke avancoi edhe në çështjen e integrimit të emigrantëve. Por ky vullnet ndaj politikave migratore po sabotohet nga kriza ekonomike, dhe kjo krizë do të shkaktojë një shumëfishim të nivelit të papunësisë.
Sa është papunësia aktualisht në Greqi, dhe më specifikisht te emigrantët?
Papunësia në Greqi është shumë e lartë 26 %, ndërsa e emigrantëve është në nivelin 40 %, ku 1 në 2 emigrantë janë të papunë. Kjo pasi sektorët që po goditen më shumë janë sektorët ku punojnë emigrantët siç është bujqësia, ku për shkak të krizës nuk do ketë më subvencione dhe financime nga qeveria për fermerët, dhe kështu nuk do ketë punë për emigrantët. Nga ana tjetër edhe sektori i turizmit do të preket nga masa fiskale, ku do rritet TVSH, do rriten taksat, kështu që rritja e kostove të prodhimit do të kërkojë që pronarët të heqin nga puna emigrantët dhe ata të kthehen në shtëpi. Kështu që janë mjaft sektorë të shërbimeve që preken në mënyrë të drejtpërdejtë nga pakësimi i financimeve publike dhe private dhe të ardhurat e emigrantëve pritet të bien. Edhe paga minimale do të ulet nën nivelin 520 euro që është aktualisht, dhe një nga zgjidhjet për emigrantët është kthimi në Shqipëri.
Por sa i vështirë është kthimi i emigrantëve shqiptarë, riintegrimi në shoqëri dhe barra që do ketë shteti shqiptar për t’i mbajtur?
Sigurisht që kthimi i tyre këtu nuk është i lehtë, se pjesa më e madhe e tyre kanë nga 20 vjet që jetojnë në Greqi, janë stabilizuar atje me punë, shtëpi, shkollim të fëmijëve dhe nëse kthehen këtu gjithçka do e nisin nga e para. Kështu që edhe kthimi i tyre është i vështirë. Dhe duhet të kuptojmë që kthimi i emigrantëve nuk është se po fillon tani, ka nisur në 4 apo 5 vitet e fundit ku janë kthyer deri në 200 mijë emigrantë. Por pritet një valë dhe një fluks tjetër i kthimit të tyre, dhe kjo na bën ne si shtet të kemi përgjegjësinë ndaj tyre dhe të jemi në vështirësi serioze; sepse pjesa më e madhe e emigrantëve nuk do kthehen në Shqipëri me projekte investimesh, por se kanë mbetur pa të ardhura, ndaj dhe pjesa më e madhe e tyre do të kërkojnë të jenë pjesë e shërbimeve sociale të shtetit; do kërkojnë shërbime shëndetësore; pagesa papunësie apo ndihmë ekonomike; shkollë për fëmijët etj. Por do ketë prej tyre që do kenë disa kursime që mund t’i përdorin për të ngritur biznese të vogla familjare dhe për këtë shtresë duhet që qeveria t’i përkrahë me lehtësira fiskale kështu që nuk do mbahen nga shteti. Probleme do ketë edhe shërbimi shëndetësor, shkollat do përballen me fluks nxënësish, mësues shtesë të gjuhës shqipe etj. Kështu që vala e kthimit të emigrantëve duhet pritur me qetësi duke shtuar edhe disa burime financiare. Qeveria do të rrisë projektbuxhetin dhe unë mendoj që rritja e fluksit të emigrantëve duhet të vijë paralelisht me rritjen e financimeve në disa sektorë bazikë.
Por pavarësisht krizës, kjo nuk do të thotë se të gjithë emigrantët shqiptarë do kthehen nga Greqia, ka prej tyre që mund ta përballojnë edhe atje…?
Po jam dakord. Ritmet e kthimit mund të mos jenë ato që priten, pasi ka edhe emigrantë shqiptarë që nuk do kthehen pasi kanë kursimet e tyre në bankat greke, dhe nuk do mund t’i marrin lehtë me pengesat që po hasen kohët e fundit. Nga llogaritjet e bëra rezulton se emigrantët shqiptarë kursejnë rreth 1 mld euro në vit. Kështu që këto janë një burim i mirë për të mbijetuar. Rregullat e bankave greke për kapitalet do jenë të forta, kështu që kjo do t’i mbajë peng si të thuash emigrantët atje që ta kalojnë krizën me kursimet e tyre.
Pra, nëse e analizojmë situatën në këtë formë, Greqisë i intereson që të qëndrojë emigrantët gjatë krizës në mënyrë që të mos transferojnë depozitat e tyre jashtë bankave greke?
Po ajo që i intereson Greqisë është që kapitalet në banka të mos dalin jashtë saj. Pra më shumë i intereson të mos dalin kapitalet se sa emigrantët, sepse ata të papunë nuk kanë çfarë i duhen, janë barrë i sistemit të mirëqënies nga të punësuar dhe pagues taksash, kthehen në barrë për sistemin shtetëror.
Një problem tjetër që i takon qeverisë ta zgjidhë është çështja e pensioneve sepse ka qytetarë shqiptarë që për të përfituar pension në Greqi, kanë hequr dorë nga pensioni në Shqipëri, tani do kthehen prapë këtu. Meqë pensioni në Greqi nuk po jepet më apo mund të kufizohet, atëherë, sado qofshin këta individë kjo është një çështje që duhet rishqyrtuar. Prej disa kohësh qeveria greke ka hequr dorë nga pensioni; pra nuk i paguan më pensione të moshuarve të Diasporës, skema prej së cilës përfitonin edhe pensionistët minoritarë shqiptarë.
Kjo a e rrezikon edhe marrëveshjen që ka nisur të negociohet më herët mes dy qeverive tona për një bashkim të viteve të punës të emigrantëve shqiptarë?
Natyrisht që kjo e shtyn por që faktikisht çështja e njohjes reciproke të kontributeve nuk është çështje e lehtë, do shumë kohë për tu zgjidhur, kërkon vite të tëra për tu negociuar dhe për të rakorduar sepse janë lloj-lloj treguesish dhe koeficientësh, pra është një proces që kërkon kohë, për më tepër që duhet të kemi parasysh që sa e vështirë është kjo, aq sa vendet anëtare të BE-së nuk e kanë zgjidhur me njëri-tjetrin akoma çështjen e njohjes së pensioneve.
Por në fakt ne si shtet kemi lidhur marrëveshje me vende të tjera, (më pak të rëndësishme) nëse nisemi për nga numri i emigrantëve që jetojnë atje, dhe kemi ngecur me Italinë dhe Greqinë që kanë mijëra shqiptarë. Si shpjegohet kjo zvarritje?
Në fakt qeveria jonë ka lidhur marrëveshje me ato shtete që i përgjigjen; me Belgjikën; me Rumaninë; Turqinë vende ku ne nuk kemi një komunitet të madh emigrantësh dhe me këto vende është krijuar disponibilitet për të lidhur këto lloj marrëveshje. Ajo që na intereson ne është që edhe pse po ecim me hapa të ngadaltë, të hedhim hapa të qëndrueshëm; të sigurtë, të matur dhe produktiv, në nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla me Greqinë dhe me Italinë që janë dy vendet më të mëdha pritëse të emigrantëve shqiptarë pastaj të merren me vendet e trjera. Shumica e emigrantëve shqiptarë 70-80 % janë në këto dy vende, kështu që nëse zgjidhim problemin me këto dy shtete ne kemi zgjidhur problemin me shumicën e vendeve ku janë emigrantët shqiptarë. Është një barrë e lartë buxhetore për sistemin e pensioneve të këtyre dy vendeve.
Në momentin që lidhet marrëveshja cili shtet do e japë pensionin për emigrantët?
Se ku do e marrë pensionin një emigrant i caktuar, kjo do varet nga historia kontributive, dhe se ku do vendosë të dalë në pension. Marrëveshja bashkon vitet e punës dhe kontributet, që të marrin një pension jo dy pensione. Është një proces i vështirë, por jo pa zgjidhje, do kohën e vet. Ne kemi në Greqi 600 mijë emigrantë aktivë që punojnë, plus që janë edhe të tjerë. /tesheshi.com/
Intervistoi: Entela CANAJ