Intervistoi: Memedali Jusufi
Nikolla Dimitrov, i njohur si diplomat karriere në Maqedoni, ish-ambasador në SHBA, flet për zhvillimet më të fundit në vendin e tij: Si do zgjidhet kriza? Kush duhet të kontribuojë për të? Ai nuk ngurron të lëshoja kritika dhe ndaj faktorit evropian për pikën kritike ku ka mbërritur Maqedonia, ndërsa fton shqiptarë e maqedonas që të bashkohen për një Maqedoni ndryshe, të denjë për të gjithë…
Dimitrov, ju po bëni përpjekje për të reformuar partinë që është duke drejtuar shtetin dhe, gjatë kohës që ishit negociator kryesor për çështjen e emrit, në një debat që u organizua nga Qendra për Politika Publike të BE-së, thatë se një pjesë të përgjegjsisë për krizën e fundit në Maqedoni, do duhet të bartë edhe Bashkimi Evropian. Si duhet kuptuar kjo?
Përpjekjet e mia janë shumë më tepër se aq, pasiqë e kam bërë me dije se kjo strukturë udhëheqëse e VMRO-DPMNE, rrezikon ta shthurr idenë historike të VMRO-sër shtetin e Maqedonisë. Gjatë prononcimeve të mia publike iu drejtohem të gjithë qytetarëve. E ndjej si përgjegjsi timen morale të flas dhe të veproj hapur në një kohë jo të mirë për Maqedoninë.
Tani, kur të gjitha abuzimet kanë dalë në pah, e që kurrë nuk kemi rënë kaq poshtë, të gjithë së bashku si qytetarë kemi përgjegjësinë, por edhe një mundësi, që t`i japim fund këtij rrethi vicioz: t`i vemë një kufi politikës së vjetër që bazohet me ndarjen e shërbimeve, tenderave ose vendeve të punës për shërbimet që bëjmë ndaj partisë, një allasoj politike të ulët që e kanë praktikuar qeveritë e mëhershme, e që e “përsosi” Gruevski; ta heqim atë që është partiake nga mediumet, nga biznesi, nga administrata, nga gjygjësori, nga jeta jonë.
Maqedonia ka nevojë për institucione të fuqishme dhe jo për liderë të fuqishëm. Institucione që do të sigurojnë shërbime të barabarta për të gjithë dhe jo një sistem i verbër për përkatësi partiake. Sepse, asgjë s`kemi bërë nëqoftëse trashëgimtarët e Gruevskit vazhdojnë me avazin e vjetër.
Sa për Bashkimin Evropian, them se për një kohë të gjatë na la në mëshirën apo jo-mëshirën e Greqisë, pjesërisht edhe me hapat tona të gabueshme. Procesi i zgjerimit ka kuptim vetëm kur bazohet në një performancë të vërtetë reformuese.
Në këtë drejtim, edhe pse jo drejtëpërdrejt, Brukseli ka ndikimin në krijimin e një klime pothuajse të pamundur për forca të reja proevropiane në Maqedoni. Pikërisht për këtë, për interes të stabilitetit, si dhe për shkak të gjitha atyre milionave që Evropa i ka investuar në Maqedoni, në demokracinë tonë, për shkak edhe të vlerave të veta, Evropa duhet të na ndihmojë qartë dhe zëshëm, duke deklaruar fort se kjo qeveri është tashmë e delegjitimuar. Dhe kjo është e vërteta lakuriqe që duhet pohuar. Nuk mundet që Bashkimi Evropian të ketë partnere një qeverisje të tillë; e nga ana tjetër, menjëherë, pasi të stabilizohet vendi, Bashkimi Evropian duhet të na ndihmojë që të largohet bllokada greke
Një ndër faktorët për integrim patjetër që janë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Si i perceptoni ju për momentin këto marrëdhënie? A besoni në konceptin “qytetarë të shtetit”?
Tragjedia aktuale është aq e thellë, sa që hapi një proces të lidhjes së njerëzve që i tejkalon linjat tradicionale. Është aq ashiqare keq, saqë qytetarët detyrohen të bashkohen duke çuar në shuarjen e ndarjeve etnike. Sepse të gjithë e kanë të qartë se jemi në të njëjtën “anije” dhe ndajmë të njëjtin fat.
Prandaj, kjo sfidë nuk është vetëm politike. Kjo është arena e luftës për një Maqedoni ndryshe, që nuk e drejtojnë vetëm partitë e ndryshme, por mbi të gjitha qytetarë të bashkuar. Shikojini flamujt, shikojeni njerëzit që protestojnë. Asnjëherë më parë nuk kam qenë kaq i bindur se koncepti “qytetarë për Maqedoninë” do të triumfojë. Eshtë një koncept i së ardhmes: shqiptarë, maqedonas, turq, të gjithë së bashku ta ndërtojmë Maqedoninë tonë, në një demokraci të vërtetë.
Cila është përvoja e juaj me shqiptarët e këtushëm, ose me ata të rajonit?
Privatisht, kam shumë miq ndër shqiptarë, në Maqedoni, por edhe nga rajoni. Zyrtarisht, i kam takuar pothuajse të gjithë liderët. Kam punuar shumë ngushtë me ambasadorin e Shqipërisë në Uashington, Fatos Tarifën, por dhe me të tjerë, teksa mbaja mandatit e ambasadorit në SHBA. Jam njohur dhe kryeministrin Rama në Institutin e Hagës, në vitin 2014, kohë kur Shqipëria morri statusin e vendit anëtar për në BE. Dhe unë në atë kohë botova një shkrim si ndihmesë për marrjen e statusit.
Dhe pse e bëtë këtë?
Sepse jam i bindur se e ardhmja e gjithë shteteve të Ballkanit është e përbashkët: në Evropë. E ardhmja nuk është ndryshimi i kufijve, por mospasja e tyre. Maqedonasit dhe shqiptarët në Maqedoni ndajnë të njëjtin fat. Dhe duhet ta ndalim avazin e vjetër që çështjet që janë të një rëndësie të veçantë t`i fusim ndër qilim; jo, ne duhet t`i zgjidhim sa më parë ato, me sinqeritetin dhe predispozitën e duhur, sepse ky është një investim i madh për të ardhmen. Maqedonia mund të jetë shembull për të tjerët dhe kjo varet shumë nga ne, maqedonas e shqiptarë bashkë. Çështja e parë që duhet të punohet më seriozisht është afrimi i të rinjve mes njëri-tjetrit, duke i integruar në në arsim, kulturë dhe sfera të tjera jetësore. Përfundimisht, për mua pak rëndësi ka përkatsia etnike; me shumë prioritet duhet të ketë njeriu, vlera e tij në shoqëri.
Si e vlerësoni politikbërjen e shqiptarëve të Maqedonisë, përpjekjet e tyre?
I çmoj lartë përpjekjet e shqiptarëve, përpjekjet e partive të tyre për të drejtat dhe statusin e tyre në Maqedoni. Janë synime esenciale dhe të logjikshme. Sakaq, duhet kuptuar që qytetarët shqiptarë janë qytetarë të Maqedonisë dhe ndajnë të njëjtat probleme me bashkëqytetarët maqedonas. Dhe në këtë këndvështrim, më lejoni që edhe unë të shtroj një tezë ndryshe për të reflektuar: si qytetarët shqiptarë, ashtu dhe ata maqedonas, edhe të etnive të tjera, duhet ta shohin një subjekt politik, të pranojnë ose jo, duke u nisur jo nga emblema e tyre etnike, por nga programi i tyre, idetë dhe vizoni i tyre politik e shoqëror.
Si e shikoni krizën aktuale, dorëheqjet e disa prej funksionarëve të lartë; kur do jetë fundi i kësaj krize?
Unë nuk kam asnjë dilemë rreth përfundimit të kësaj krize të thellë: kjo qeveri do të zvëndësohet më një qeveri kalimtare me një mandat special për të departizuar institucionet, e që do krijonte kushtet për zgjedhje të drejta dhe demokratike; pra, që do përpiqet t`jua kthejë shtetin qytetarëve. Çështja është se si do të shkojë ky proçes, kur gjithcka do të përfundojë: sa do zgjasë dhimbja për të gjithë ne.
Ndërkohë, kjo varet nga dy faktorë: e para, vendosmëria që sa më masivisht të dilet në protesta të qeta duke kërkuarë lirinë, drejtësinë dhe përgjegjsinë; e dyta, porositë dhe prezenca e faktorit ndërkombëtar të jenë më të fuqishme dhe më direkte. Eshtë dhe një e tretë: dorëheqja e vetë Gruevskit, por që varet gjithashtu nga dy të parat. /tesheshi.com/