Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka kthyer përgjigje një prej komentuesve të saj, i cili e quajti atë kineze, në një foto të publikuar të saj me këngëtaren Ermira Babaliu.
“Dashuria Shqiptaro-Kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”, shkruan komentuesi.
Kim i ka kthyer përgjigje duke e ftuar për një bisedë në zyrën e ambasadës Amerikane për t’i treguar historinë krenare të vendit nga vjen dhe ai t’i tregojë pse mendon se ajo është kineze.
“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një ‘Komb i Emigrantëve’, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam kineze. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, i përgjigjet ambasadorja Kim.
Pas ftesës së rrallë, komentuesi i cili e quajti “kineze”, plot entuziazëm pranoi ftesën.
Ai shprehet se ndihet njeriu më me fat në botë në Shqipëri, pasi është i pari që merr një ftesë zyrtare nga Ambasada Amerikane për një kafe.
Në komentin e tij, ai shkruan se e vlerëson shumë këtë ftesë dhe se mezi pret të diskutojnë së bashku.
“Jam njeriu më me fat në Shqipëri! Askush nuk ka marrë një ftesë publike nga Ambasada Amerikane për një kafe dhe një bisedë të sinqertë! Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona dhe të tjera. Zoti bekoftë Amerikën!”, shkruan komentuesi. /tesheshi.com/