Ka që prej vitit 1999 që rruga Durrës-Kukës, apo siç quhet ndryshe “Rruga e Kombit” u ha para pafund shqiptarëve dhe nuk po mbaron kurrë.
Pandeli Majko, kryeministër gjatë kohës së tragjedisë kosovare, në pranverë ’99, sapo lufta mbarroi shpalli nismën për ndërtimin e një rruge moderne që të do lidhte Durrësin me Prishtinën dhe angazhoi një grup ekspertësh të bënin studimin e fizibilitetit. Ishte kohë e ëndrrave të mëdha. I kishte provokuar liria.
Kryeministri i asaj kohe vendosi një taksë që mori emrin e tij “Majko”, ku gjithkush që kishte automjet do e paguante atë për rrugën patriotike. Bëhej fjalë për një segment nga Miloti në Kukës, pasi rruga për në Tiranë dhe Durrës do të përshkrohej në autostradat ekzistuese.
Trupat e NATO-s ndërtuan në shtratin e Fanit pjesën nga Miloti në Rubik, duke e asfaltuar dhe ndërtuar të gjerë. Traseja e saj zëvëndësoi në një gjatësi jo të vogël të gjithë trasenë e hekurudhës së mbetur përgjysmë, Milot-Rrëshen.
Pas tre vjetësh, kur kryeministër u bë Fatos Nano, ky i fundit futi trupat e xhenios për të ndërtuar segmentin nga Rubiku në Reps.
PD-ja, kur ishte në opozitë akuzoi qeverinë se ka shpërdoruar paratë e taksës “Majko”. Preç Zogaj, kreu i një komisioni hetimor mbi këtë çështje, tha se janë mbledhur 83 milionë dollarë por vetëm 3 milionë kanë shkuar në llogarinë e rrugës.
Kur PD-ja erdhi në pushtet, kryeministri Sali Berisha shpalli aksionin që ta mbyllë rrugën brenda mandatit të parë.
I dha një kontratë me prokurim direkt një konsorciumi turko-amerikan, Bechtel-Enka. Amerikanët e Bechtel do të ndërtonin tunelin e Thirrës, kurse Enka pjesën e autostradës nga Repsi në Kalimash. Pjesën nga Kalimashi në Morinë do ta ndërtonin firmat shqiptare.
Kostoja fillestare u tha se do të jetë 450 milionë euro, por në fund shkoi 1.4 miliardë euro.
Qeveria “Berisha” pjesën më të madhe të financimit e përballoi me paratë e buxhetit, ndërkohë 300 milionë euro u morën me interesa të larta në bankat e nivelit të dytë. Interesi ishte 11%.
Edhe pse u inagurua në zgjedhjet e 2009-s, rruga nuk ka mbaruar ende. Por përveç kësaj, rruga kishte një kleçkë të konsiderueshme dhe ky është tuneli i Thirrës. Ai nuk është një tunel që kërkon mirëmbajtje thjesht të armatimit e asfaltit.
Tuneli ka një impiant të plotë funksionimi 24 orë në 24 me sistem ventilimi, thithje ujrash, matje lagështire etj. etj., që ka një kosto të lartë. Nëse nuk do të mirëmbahet me parametra të larta, tuneli mund të shembet. Masivi ku është ndërtuar tuneli është shtuf apo gur i butë.
Gjeologët shqiptarë kanë qenë kategorikisht kundër ndërtimit të tij, po ata s’i pyeti askush. Një projekt paralel për këtë rrugë ka qenë pa tunel, por në fund vendosi “kryearkitekti”.
Pra mirëmbajtja e tunelit të Thirrës nuk mund të bëhet nga Autoriteti i Rrugëve të Shqipërisë, por nga një kompani e posaçme që e ka ndërtuar impiantin. Kjo kompani, vit për vit nga 2009-a merr para nga buxheti i shtetit. Por kostoja e kësaj mirëmbajtje nuk u zbardh kurrë.
Qeveritë shqiptare kanë thënë gjithmonë e prej në fillim se do të vendosnin taksë për tunelin pas ndërtimit, por asnjëra nuk e merrte iniciativën nga frika e kostos elektorale.
Dy vjet më parë, Edmond Haxhinasto, ministër i LSI-së organizoi tenderin, që u fitua nga një kompani turke.
Më pas atë kompani e mënjanuan dhe kualifikuan një konsorcium shqiptar ku bien në sy dy kompani të mëdha, Salillari dhe Kastrati.
Konsorciumi ka nisur sot që të fillojë testimin, pra ka filluar të vjelë paratë. Një veturë paguan 5 euro, kurse një kamion 10 euro.
Menjëherë pas saj ka filluar edhe një fushatë frenetike në rrjete sociale nga opozita, sidomos LSI-ja. Petrit Vasili bën thirrje që të bojkotohet taksa.
Po a nuk e bëri një ministër i LSI-së tenderin që kishte që atëherë të gjitha detajet e sotme, pra pagesën 5 euro?
Natyrisht që po. Por si gjithmonë politika tek ne merr trajtat e OJF-ve kontestatore që nuk trajton as kujtesën historike të ngjarjeve e as nuk propozon një version alternativ që do t’i kundërvihej vendimit zyrtar.
Meqë ra fjala, përse LSI nuk nxjerr të flasë Edmond Haxhinaston dhe Sokol Dervishajn?
Nga ana tjetër, opinoni sillet a thua se kap krejt gafil nga testi i pagesës. Kjo çështjë ndërkohë ka 5 vjet që paralajmërohet. Pra nuk shtë diçka e re. Edhe Basha madje, si “padashje” ne reagimin e tij shprehet se dhe PD do e kishte vënë taksën – sigurisht që si ndërtuese e saj, aq më tepër kur Basha si ish-ministër Transporti ka lidhje direkt me yçklat e kësaj rruge, e di fort mirë se ajo e do me patjetër një pagesë ekstra, me tra. Sidomos tuneli i cili është impiant. Por që ofronte tjetër variant nga ky i qeverisë. /tesheshi.com/