Tek ne shqiptarët, emri Dritëro na përcjell një përjetim të caktuar që lidhet pazgjidhshmërisht me artin e fjalës, botën e letërsisë, mjeshtërinë e vargut poetik; ose thënë më shkoqur me penën e Dritëroit. E ngaqë është jo fort emër i përhapur, ai ngjizet ngushtësisht vetëm me vokacionin social e shoqëror të atij personi.
Fjala vjen, nëse emri Enver do ishte i rrallë, e keqja do lidhej pazgjidhmërisht me këtë emër, por fakti që është mjaft i përhapur dhe ndër njerëz aspak negativë e aq më pak diktatorë me nam, e bën atë atë lehtësisht të gëlltitshëm. Por kjo gjë nuk ndodh në rastin e emrit Dritëro.
Po qe se ky emër do e kalojë gardhin e botës së “letrave” do duhet të gjejë vend me patjetër në ndonjë hapësirë tjetër po kaq fisnike, si përshembull në mësimdhënien universitare, pavarsisht se në ç`lëndë. Ose mund ta hasnim dhe në shkencat ekonomike. Por kur ndodh që e has në trungun e një rrapi si këngëtar turbofolku, tronditja është e pashmangshme.
Të duket sikur dikush ka hyrë si kaçak në rezidencën e letërsisë, ka grabitur që aty një emër, për ta shitur më pas në tregun duhmërëndë të “gabit muzikor” me emrin turbofolk.
Vërtet, edhe Dritëro edhe këngëtar turbofolku, sikur nuk shkon. Sa për mbiemrin Shaqiri nuk ka ndonjë problem.
P.S. Shkrimi në fjalë nuk tenton aspak të cënojë dinjitetin e personit në foto. Kështu që, ndjesë për çdo keqkuptim të mundshëm. /tesheshi.com/