Egërsohet situata në Mal të Zi, duke kërcënuar rëndë paqen sociale dhe pozitën e shqiptarëve atje. Persona të paidentifikuar kanë djegur flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës që ndodheshin në sheshin kryesor të Podgoricës.
Flamujt e Italisë dhe Malit të Zi janë lënë paprekur.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi dënoi ashpër djegien e flamurit.
“Ministria shpreh keqardhje dhe dënon ashpër aktin e vandalizmit dhe djegies së papërshtatshme të flamurit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës para ndërtesave të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Podgoricë”, – thuhet në një komunikatë të ministrisë.
Më tej shtohet se “Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat dhe autoritetet kompetente dhe kërkon se duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të sqaruar çështjen dhe identifikimin e autorëve. Ne jemi të bindur se këto raste të izoluara nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira bilaterale dhe miqësore midis vendeve tona”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i partisë së boshnjakëve, e cila e quan akt vandal.
“Një veprim i tillë është i papranueshëm në sistemin e sotëm të qytetërimit, veçanërisht për shkak se ajo është një vend mik të Malit të Zi. Kjo sjellje ka për qëllim nxitjen intolerancën etnike, e cila është në kundërshtim me vlerat dhe idealet e një shoqërie demokratike”, thekson kjo parti.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Podgoricë, i cili është një serb i Kosovës, Srdjan Sentiç nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi.
Ngjarja e djeshme nuk është e izoluar, siç thotë ministria e Jashtme e Malit të Zi, pasi në gazetën Vijesti ku është botuar lajmi, ka komente të tmerrshme nga lexues anonim. Në shumicën e tyre komentet janë ksenofobe dhe thellësisht antishqiptare. Aty kërkohen të vriten shqiptarët dhe djegia e flamurit duhet të jetë vetëm gjesti fillestar.
Situata në Mal të Zi është acaruar menjëherë pas ftesës për Malin e Zi që të pranohet në NATO. Rusia ka bërë të ditur se nuk do ta lejojë një anëtarësim të kollajtë, pasi kjo bie ndesh me vullnetin e malazezëve./tesheshi.com/