Rrahman Rraja, deputeti socialist, është dorëzuar më në fund duke dorëzuar mandatin. Dhuna e paëarmbajtshme e gjakut të tij ndaj dy kushërinjve ka detyruar njeriun e Rajave në parlament që të heq dorë nga detyra e lartë, duke e shoqëruar aktin e dorëheqjes me një ndjesë publike.
Njëherësh, Rrahman Rraja i ka bërë thirrje të birit që të dorëzohet duke shtuar se tashmë ka një “turp mbi shpatulla si gur.”
“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithe këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im.
Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike.
Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej dy mandatesh si deputet.
Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time.
I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir.
Në fund, mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”.
Kujtojmë se mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja.
Sipas policisë shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një gurore në fshatin Borizanë në pronësi të Përparim Rrajës, i afërm i deputetit socialist i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për aktivitetin.
Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin bërë denoncim në polici se shpërthimet gjatë punimeve në gurore kishin krijuar dëme materiale në banesat e tyre por edhe shqetësime. Bashkë me ta janë dhe shumë fshatarë të Borizanës, të cilët ankohen për guroren e Rajave. /tesheshi.com/