Një mision i beftë ka qenë vizita e Edi Ramës sot në mëngjes në Paris, ku ka zhvilluar në Pallatin Matignon, dy takime me homologun e tij Manuel Valls: njërin me delegacion dhe tjetrin kokë më kokës.
Siç mësohet, Parisi ka kërkuar bashkëpunim mes shërbimeve inteligjente të të dy vendeve në mënyrë që agjentët francez të kenë akses në Shqipëri për të ndjekur lidhjet e dyshimta të rrjeteve që vijnë nga Siria apo vendet e tjera të Lindjes së Mesme.
Pas atentateve të Parisit, qeveria franceze ka të dhëna se do të ketë sërish sulme në këtë vend dhe po i ruhen një depërtimi të grupeve të tjera. Siç mësohet, nga të dhënat e shërbimit sekret armët që kanë pasur atentatorët e Parisit ishin siguruar në Ballkan nga grupe te fuqishme mafioze.
Ndaj pritet që të ketë hetime të lidhjeve të bandave ballkanike në Francë me vende të origjinës. Në Francë ka disa grupe problematike shqiptarësh që merren me trafikimin e drogës dhe prostitucionit.
Siçc bën të ditur zyra e shtypit e qeverisë,
“Të dy kryeministrat në takimin dypalësh që zgjati mbi një orë, vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët të dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të në ardhmen, me fokus në fushën e shërbimeve inteligjente, drejtësisë dhe policisë.
Kryeministri Rama i shprehu Kryeministrit francez solidaritetin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në luftën e përbashkët të vendeve kundër terrorizmit, kërcënimit më serioz të vlerave njerëzore në mbarë botën”.
Po sipas këtij njoftimi, :Kryeministri francez Valls vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si një qasje shumë pozitive për hapjen e negociatave, dhe insistoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Bashkëpunimi në fushën e kulturës ishte një prej temave të diskutimit, ku një interes të veçantë për palën mikëpritëse paraqitën nismat shqiptare në fushën e shkëmbimeve rinore, ku Shqipëria me traditën e saj të bashkëjetesës në paqe mes besimeve fetare, është një shembull frymëzues për një rini pa komplekse ndaj kulturave fetare dhe respekt ndaj besimeve të tjera.
Ndërkohë Franca mirëpret Konferencën e Parisit 2016, ku kërkon që Shqipëria të luajë një rol kyç. Më pas, Kryeministri Rama dhe homologu francez Valls zhvilluan një takim kokë më kokë, në kopshtet e Matinjon”.
/tesheshi.com/