Nga Blendi Gashi
Në opinioin publik njihet edhe si komandant “Gjarpri”. Bëhet fjalë për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Që nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, njihet si politikani më i “fortë” në Kosovë.
Por 17 vjet pas luftës vazhdon të mbetet enigmë, nëse i tillë, pra i “fortë” ka qenë edhe në frontet e luftës së fundit përballë armikut, Serbisë.
Përveç që dihet se ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ende asnjëherë nuk tregoi nëse mori apo jo pjesë në ndonjë betejë.
Për të bërë edhe më të mjegullt këtë pjesë, përkujdeset vet Thaçi, ish-komandant “Gjarpri” i cili me deklaratat e tij kontraverse, herë thotë se ka luftuar me armë në dorë, herë thotë se ka qenë larg vijave të frontit.
Deklaratat e tilla përveç që hutojnë opinionin publik, njëherit i qesin edhe një hije të keqe vet ish-komandant “Gjarprit”, pasi ai edhe 17 vjet nga mbarimi i luftës, kur thotë se mori direkt pjesë në frontet luftës, nuk tregon në cilën zonë, në cilën betejë dhe nëse vrau apo jo ndonjë armik në luftë…
Në internet qarkullon një video; ja linku: https://www.youtube.com/ëatch?time_continue=46&v=X32XvZQYTQY ku ish-drejtori politik i UÇK-aë, shfaqet me pushkë në krah, me një grup ushtarësh, në mesin e tyre, edhe Agim Çeku e Ramë Buja, video e cila është regjistruar në muajin prill të vitit 1999, në fshatin Biqefc të Kaçanikut.
Por, në këtë video, Thaçi nuk shihet duke marrë pjesë në ndonjë betej. A shfaqet vetëm me ushtarë tjerë duke biseduar në malin e këtij fshati.
Pra, 17 vjet paslufte, jo vetëm Thaçi që nuk tregon nëse mori pjesë në ndonjë betejë lufte, por një gjë të tillë për të nuk flasin as shokë të tij.
Ndërsa për mediat shqiptare, Thaçi thotë se luftoi krahëpërkrah bashkëluftëtarëve të tij, në mediat e huaja potencon krejt diçka tjetër, duke thënë se ka qenë larg fronteve të luftës.
Shtrohet pyetja se pse Thaçi bën deklarata të tilla kontraverese kur e ka fare më të lehtë të thotë se po, kam luftuar në këtë zone, në këtë betejë…?
Çështjen nëse luftoi apo jo, Thaçi e ngriti në opinion sërish këto ditë kur temë kryesore në vend është ratifikimi apo jo i Demarkacionit me Malin e Zi, duke bërë që të ngrejnë zërin edhe ish-komandatë të UÇK-së.
Ja deklaratat e dhëna nga Thaçi për mediat shqiptare për (mos)pjesëmarrjen në frontet e luftës
Presidenti i vendit në një intervistë dhënë së fundmi për mediat në Shqipëri, kokretisht për gazetën Shekulli deklaroi: “Unë kam luftuar që shqiptarët të vendosin vetë për veten dhe të mos merret leje në Serbi për ato që ne vendosim apo dëshirojmë, kështu që jam krejt indiferent për opinionet e Beogradit për ne”, deklaroi Thaçi.
Presidenti aktual, Thaçi në një intervistë dhënë më datë 24 mars të vitit 2014 për emisionin “Opinion” në TV Klan të Shqipërisë i pyetur nëse ka marrë pjesë direkt në aksione gjatë viteve 1992-1997, deklaroi:
“Unë kam qenë një nga themeluesit e UÇK-së, kam qenë udhëheqës politik i UÇK-së. Kam vepruar me gjithë bashkëluftëtarët e mij në të gjitha rrethanat, në të gjitha sfidat që është ballafaquar UÇK-ja, edhe politike, edhe operative edhe teknike”.
I pyetur sërish nga udhëheqësi i emisionit se “a keni marrë drejtpërdrejt në aksion?”, Thaçi është përgjigjur:
“Unë kam zhvilluar luftën si ushtar i UÇK-së. Unë e kam zhvilluar luftën aty ku e ka kërkuar nevoja dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mij i njohin edhe angazhimet, sakfrificat dhe betejat e mija. Aty ku ka qenë ushtari i UÇK-së në betejën për liri, kam qenë edhe unë”, ka deklaruar Thaçi.
Më pas, në atë kohë ish-kryeministri është pyetur nga udhëheqësi i emisionit se gjatë viteve 1997 dhe deri në mbarimin e bombardimet e NATO-s dhe dorëzimin e Millosheviqit, nëse ka luftuar personalisht, Thaçi u përgjigj:
“E theksova, unë jam një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së dhe nga dita e parë e themelimit të UÇK-së dhe deri në ditën e fundit të transformimit të saj në TMK (Trupat Mbrojtëse të Kosovës), unë kam zhvilluar luftë kundër Serbisë, edhe luftë politike, edhe luftë operative edhe me gjithë mekanizmat që ka pasur UÇK-ja”, deklaroi Thaçi.
Thaçi në Euronews: Kam qenë larg nga frontet e luftës
Për dallim nga deklaratat në mediat shqiptare ku thotë se ka luftuar kundër Serbisë në krahë me ushtarët e tjerë të UÇK-së, Thaçi përgjigje krejt tjetër ka dhënë për mediat e huaja në kohën sa ishte kryeministër i vendit, kur është pyetur nëse ka marrë pjesë në frontet e luftës.
Thaçi në një intervistë për “EuroNews” ka pranuar se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit.
“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe”, ka thënë Thaçi kur është pyetur nëse ka vrarë vetë ose ka dhënë urdhër për të vrarë dikë.
Ja ç’thonë ish-luftëtarë të UÇK-së për deklaratat e Thaçit, për (mos)pjesëmarrjen në luftën e ’99-ës
Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, konsideron se deklaratat e bëra nga Thaçi se herë ka luftuar herë jo e devalvojnë personalisht vet figurën e tij.
“Konsideroj se nuk duket të luhet me fjalor sa i përket vlerave të luftës.Në Kosovë ka qenë një luftë dhe ata që janë rreshtuar dhe e kanë përkrahë duhet të ndihen krenarë. Deklaratat se kam luftu dhe më pas jo nuk kam luftu vetëm sa e e devalvojnë personalisht vet Thaçin. Ai duhet ta mrboj përfaqësimin që ka bërë në luftë”, thotë Isufi, për tesheshi.com.
Hashim, a ke luftu, a jo?
Haxhi Shala, i njohur gjatë luftës si “Komandant Topi”, pas deklaratave të bëra nga Thaçi për luftën, ka thënë se presidenti aktual duhet ta ndajë mendjen nëse ka luftuar apo jo.
“Kur flet për mediet shqiptare Hashim Thaçi thotë se ka luftuar kundër Serbisë, sa ka luftuar nuk e din, por e thotë që ka luftuar! Po ky, i njëjti, kur flet për mediet e huaja, sikur që ishte rasti me intervistën e tij dhënë televizionit Euroneës, thotë se ka qenë larg ‘vijave të frontit’, d.m.th larg nga vendet ku është luftuar. Tash, ndaje mendjen njëherë e mirë Hashim, a ke luftuar a jo?”, thotë Shala.
“E kam taku veç një herë në kohë lufte Hashimin”
Ndërsa, ish luftëtari i UÇK-së në rajonin e Prizrenit, Zafir Berisha, nuk preferon të deklarohet fort rreth çështjes nëse ish-bashkëpartiaku i tij Hashim Thaçi ka marrë pjesë në frontet e luftës apo jo.
Por Berisha tregon se e ka parë një herë Thaçin gjatë kohës së luftës por jo në frontet e luftës.
“Hashimin një herë e kam parë gjatë luftës. Kështu që nuk mundem të them ku ka qenë, ku ka luftu e ku ka ik. Nuk e kam parë në kohën kur është bërë organizimi për me hy në Kosovë”, thotë Berisha, për tesheshi.com.