E enjtja e fundit e parlamentit shqiptar, ku pati një incident mes deputetëve Braçe dhe Noka, ishte e radhës për nga shëmtia. Është gati e pamundur që të të shfaqen në ekran seancat parlamentare dhe mos shohësh aty anën më tragjike të realitetit shqiptar në tranzicion, pse jo deri në kufijtë e shpifësirës, degradimin e gjuhës politike, që nuk është gjë tjetër veçse tregues i rrënimit të frikshëm moral të kastës drejtuese të vendit. Më poshtë janë përzgjedhur 9 figura që i japin tonin të murrmes në jetën parlamentare shqiptare, me gjuhën e sjelljen e tyre.
Sali Berisha – I takon vendi i parë pasi ai, si sot e 25 vjet, është zëri kryesor në kakofoninë e jetës parlamentare shqiptare. Fjalimet e tij janë sokëllima të vërteta, ku pak ose aspak, mes frazave mund të hasësh urtësi, mençuri, etikë. Edhe pse vjen nga bota akademike e me një profesion fisnik, doktor, e që mbi të gjitha mbahet dhe si njeri i lëçitur në jetë, pothuajse nuk ka regjistruar në kujtesën e opinionit asnjë fjalim me tharm intektual, edhe pse politik. Ligjërimi i tij i ngjan një shfryrjeje marrazi ndaj kundërshtarëve, në çdo pozicion qoftë, në pushtet a opozitë, duke prodhuar parreshtur akuza, epitete, etiketime me të cilat mund të bëhet një libër…i quajtur “shtëpie”. Modeli i sjelljes së tij politike, ku veçohet gjuha në parlament, është dëshmia më e qartë e një atentati, mbi të gjitha moral, që ai i ka bërë dhe vijon t’i bëjë vendit të tij.
Edi Rama – Eshtë ri në parlament në krahasim me Berishën, vetëm katër vjet ka. Por në kaq kohë, i ka hedhur sa ka mundur benzinë zjarrit të ballafaqimit verbal duke mos mundur për asnjë çast të bëjë investuesin e të kundërtës. Premtoi rilindje dhe në llojin e debatit dhe sjelljes me kundërshtarin; por si një narcist i pashërueshëm, i fiksuar pas batutës së vet, Rama e ka kthyer parlamentin në një vend promovimi sosh duke zgjedhur ta tërbojë sa më shumë opozitën që e cik parreshtur me tehun e gjuhës. Nuk ka vrazhdësinë e Berishës dhe kur flet e shfaq talentin letrar trashëguar nga vitet e protagonizmit në publicistikë, por fakti që nuk di të heshtë kur duhet të heshtë dhe t’i largohet batutës kacafytëse, e bën atë po aq përgjegjës për shpifësinë që ka kapluar parlamentin shqiptar.
Taulant Balla – As ky nuk futet tek gjuhëvrazhdët, por mungesa e një etike në ligjërim, struktuar krejtësisht pa urtësinë që duhet ta ketë një shtetar, e bën një ndër deputetët “zjarrvënës” në parlament. Ka zgjedhur të formësohet si identitet politik me atë të sherrxhiut. Ndaj dhe nuk ka fjalim të tij që të nisë, vazhdojë e mbarrojë pa hedhur shashka drejt opozitës, sidomos Berishës, duke patur gjithnjë misionin e katalizatorit të sherrnajave në parlament. Është pikërisht kjo që ia ka dhënë një antipati, për të cilën nuk dihet nëse është i ndërgjegjshëm.
Flamur Noka – Tipik kamikaz politik. Nocione si “ide”, “sharm”, “fantazi”, “pjekuri”, “intelekt”, nuk kanë asnjë lidhje me të. I ardhur nga hiçi, veç faktit që ka përfunduar studimet për Mjekësi por pa qenë asnjë ditë bluzë e bardhë e prekur pacient me dorë, ai është tipiku i parvenysë. Nuk bëhet fjalë që ta ketë ndjerë emocionin e bukur shoqëruar me drojë kur është gjendur në atë sallë. Përkundrazi, i është dikur si lokali i fshatit ku mund të bëjë çdo gjë, të ikë pa paguar ose të thyejë ndonjë gotë po e nxehu kush. Të zotit të lokalit do i binte pika nëse dikush do i thoshte se Flamuri mund ta marrë menaxhimin e tij; ndërsa më keq akoma, Flamurit i është besuar shteti.
Gent Strazimiri – Ka kohë që nuk ndihet dhe kjo është për t’u bërë merak. Nuk ka asnjë linjë fshatareske a ordinere në origjinë apo rrjedhën e tij jetësore. Përkundrazi, CV-në e tij familjare do e kishte zili çdokush. Por politikisht, performanca e tij nuk lë shumë vend për të menduar se ke të bësh me një njeri të gatuar për të qenë simpatik kur flet.
Arben Ristani – Eshtë fat që ka përfunduar në parlament, pa arritur të jetë në instancat më të larta të Drejtësisë shqiptare. Nëse nuk do dihej së ç’profil ka, nga fjalimet që mban vështirë do ishte të përcaktohen se për ç’vlen në këtë jetë. Përpiqet me sforco të madhe të prodhojë ndonjë batutë, si për ta sfiduar Ramën që e merr gjithnjë nishan, por nuk arrin të bën ndokënd të qeshë qoftë dhe nga të vetët. Nuk është aq e marrëzishme prania e tij në parlament, po ta llogarisësh që në kushtet e riardhjes së PD-së në pushtet, mund t’i besohet të qënit ministër Drejtësie.
Jozefina Topalli – Ka një patetizëm të pahonepshëm në ligjërimin parlamentar. Iu besua 8 vjet drejtimi i parlamentit, si askujt tjetër në 26 vite, por nuk arriti të lërë asnjë gjurmë për mirë, nuk themeloi dot asnjë standart etik për ta përcjellë si trashëgimi tek ata që erdhën më pas. E kishte një model “patriotik” për t’iu referuar, Pjetër Arbnorin, por nuk i ngjau në asnjë detaj. Thjesht, si dje ashtu dhe sot, shërben për të shuar kuriozitetin se si do ishte Berisha në variantin femër.
Edi Paloka – E kishte dhe i ndjeri Pashko deri diku defektin e Palokës në gjuhë – pak thuthuq – por në mendje e aftësi artikuluese, ideshë, pa dyshim, nuk kanë asgjë të përbashkët. Paloka vuan për të nxjerrë diçka me vlerë nga goja, e ka të dukshme përpjekjen, por politikisht e ka të pamundur. I përket krahut militar të PD-së dhe nga jeta parlamentare i mbahet mend vetëm grushti që i dha Arben Imamit këtu e ca vite të shkuara. Zgjedhja e tij si koka e grupit parlamentar duke pasuar Astrit Patozin, ishte afirmim i dramës së demokratëve pas rënies nga pushteti.
Ben Blush – Sigurisht që çudit përzgjedhja e tij në nëntëshen e njerëzve që e kanë çuar në kufijtë e shpifësirës jetën parlamentare shqiptare. I ardhur nga bota e letrave, me një një gjuhë të fazuar këndshëm, gjithsesi, ai është përpjekur të reflekojë sharmin e një njeriu të penës; por shfazimi që pati të enjten në parlament, deri në shpërfytyrim, ku për herë të parë pati ngërçe të frikshme logjike të përcjella me artikulime të cungëta, e heq nga lista e atyre që ia vlen të dëgjohen. E la vetëm Astrit Patozin, njeriun që edhe pse thellësisht politik në qëndrime, është aq i kultivuar në gjuhë dhe i elaboruar në mendje, sa për të menduar që jo gjithcka ka marrë fund në atë sallë, në kuptimin moral dhe etik të fjalës. /tesheshi.com/