“Në Shkodër do të jetë e vështirë, por Italia do të kualifikohet”. Kështu është shprehur për “La Gazzetta dello Sport”, ish trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi, aktualisht trajner i skuadrës së Alavesh në Spanjë.
Sipas tij, Shqipëria mund të jetë disi më inferiore nga aspekti teknik e ai historik me Italinë, por jo për nga grinta e dëshira. “Shqipëria ka dëshirë të habisë këdo dhe këtë e di mirë, se e kam stërvitur deri para disa muajsh.
Tani me trajner Panuçin, do të kenë edhe më shumë dëshirë për të impresionuar” – është shprehur De Biazi, i cili zbulon se ka qenë edhe shumë pranë pankinës së Italisë, para zgjedhjes së Venturës si trajner. “Isha në avantazh me Venturën për të drejtuar Italinë, por Shqipëria nuk deshte që unë të largohesha, ndaj ndodhi ndryshe nga çfarë kisha dashur unë. Por nuk jam pishman”, është shprehur ish trajneri i Kombëtares kuq e zi, Xhani de Biazi. /tesheshi.com/