Nga Donat Maloku
Stina e verës padyshim mund të quhet edhe si ‘stinë e dasmave’. Ahengjet familjare në trevat kudo që ka shqiptarë zakonisht përzgjedhen të bëhen në këtë stinë për arsye të shumta. Një prej kryesorëve është se mërgimtarët kthehen për pushime në vendlindjet e tyre dhe më pas në dasma takohen me të afërmit ku edhe organizimi familjar bëhet më i begatë.
Dasmat bëhen nga më të ndryshme, sipas traditës së vendit ku çifti ka kaluar pjesën më të mirë të jetës, të ndikuara nga emigracioni, ekonomia e familjeve dhe koncepti i fisit.
Deri në fillim të viteve 90-ta, dasma shqiptare zgjaste një javë rresht dhe të ftuar ishin mbi 100 vetë. Harxhimet ishin të mëdha për familjen, por që i merrnin mbrapsht pasi të ftuarit nuk bënin dhurata, por hidhnin lekë në tabaka, “zakon” i stisur gjatë sistemit komunist, ardhur prej varfërisë, por që ka mbetur dhe sot. Sot janë të rralla dasmat e tilla të mëdha. Më e zakonshmja është ajo e tipit ku dasma zgjat një natë ku zakonisht ditën e dielë në mbrëmje bëhet martesa, ftohen 200 apo më shumë persona varësisht nga të ardhurat e familjes dhe atë natë përfundon gjithçka.
Janë shpeshtuar rastet kur familjet për shkak të kushteve familjare nuk organizojnë dasma të tipit që cekëm, ku dhëndëri dhe nusja ftojnë vetëm familjen e ngushtë, hallat, tezet dhe shoqërinë rreth 50, 70 veta, shtrohet një banket i vogël; gjatë të cilit nusja ndërron dy dhe tre fustane, pasi sigurisht është dita e saj.
Tradita tek dasmat shqiptare ka mbetur vetëm te vallet tradicionale. Kjo valle është më e pëlqyera tek familjet shqiptare dhe dominon në ahengje, duke i mbijetuar kohës përdallim nga shumë tradita të mëherëshme.
Deri në vitet 40 nuk kishte dasëm ku të mos kërciste pushka për qejf. Më pas në vitet e sistemit komunist për dasmat me armë as që bëhej fjalë, ndërsa pas vitit ‘97 ato u rishfaqën përsëri ku edhe sot armët krisin në ahengje të ndryshme familjare.
Profesorët e etnologjisë dhe sociologët të pyetur për organizimin e dasmave dikur dhe sot, thonë se kanë ndodhur ndryshime të mëdha, ndoshta edhe për shkak të kushteve ekonomike, pasi dasmat dikur zgjatëshin më shumë se një muaj tani janë reduktuar në netë. Derisa, thonë se nuk ekziston ndonjë dallim i madh mes organizimit të dasmave në Kosovë dhe Shqipëri.
Koreografi, Dilaver Kryeziu, njëherit profesor në Fakultetin Filozofik, dega Etnologji, ka deklaruar për portalin “Te Sheshi”, se nuk mund të krahasohet e as të bëhet fjalë për ndonjë krahasim në mes të dasmave që organizohen ditët e sotme dhe atyre që janë organizuar në të kaluarën, por gjithmonë duke u bazuar në tradicionalen. “Këtë e them duke u bazuar në tri karakteristikat themelore të dasmave tradicionale: Kulaqi (nisja e dasmës në shtëpinë e djalit), Kangjegji (vënia e kanës në shtëpinë e vajzës) si dhe dasma në shtëpinë e djalit (pritja e mysafirëve), organizime që sot mungojnë”, ka deklaruar profesor Kryeziu.
Ndërkaq, lidhur me atë se sa dallojnë dasmat që organizohen në Kosovë dhe ato në Shqipëri, koreografi Dilaver ka thënë se një gjë e tillë varet se për cilën krahinë flitet, megjithatë mendon se nuk ka shumë dallime të mëdha kur dihet se kemi një kulturë dhe një traditë.
Sociologu, Ferdi Kamberi, në një prononcim për portalin “Te Sheshi”, ka thënë se dasma konsiderohet një ngjarje e rëndësishme e jetës shoqërore dhe është pjesë e memories kolektive që pasqyron identitetin, kulturën, artin, traditën e një populli.
“Edhe tek shqiptarët, qysh herët dasmat kanë pasur karakter festiv, ato janë shoqëruar më shumë karakteristika interesante. Në përgjithësi tek shqiptarët pjesa më e madhe e karakteristikave janë potencuar në të drejtën zakonore e cila qysh në shekullin XIV ka qenë unifikuese për trevat shqiptare, megjithëse dallimet e secilës trevë kanë qenë të ndryshme. Nëse bëjmë një krahasim ndërmjet dasmave në të kaluarën dhe të tashmën, mund të shohim se dikur kryesisht dasmat (kemi fjalën për martesa) zgjatnin më shumë se një muaj, mirëpo me kalimin e kohës këto dasma filluan të reduktoheshin në një javë, më vonë në tri ditë dhe netë.
Mendoj se ka humbuar shumë tradita e dikurshme, këtu kanë ndikuar edhe faktorët socio – ekonomik, jeta individuale, kriza e vlerave, kriza e moralit, kriza e identitetit, si dhe faktorë të tjerë. Kjo ka bërë që pikërisht këta faktorë të ndikojnë jo vetëm në dasma, por edhe në prishjen e konstruktivitetit të familjes si agjent i parë i socializimit, sepse në momentin kur kemi krizë të vlerave ajo pastaj krijon një efekt domino edhe në proceset të tjera të vlerave dhe kulturave. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare si duket po vuan nga një gjendje ‘anomike – mungese të normave sociale’ dhe imitim i diçka që është kopje apo siç thotë Derrida ‘Simulakra’, kopje e diçkaje e cila nuk ekziston”.
“Sa i përket dallimit të organizimit të dasmave në Kosovë dhe Shqipëri, sociologu Kamberi thotë se nuk janë aq të mëdha. “Dasmat si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë janë pothuajse të njëjta, ku përfshijnë natën e beqarisë, fejesat apo ndërrimin e unazave dhe darka, pastaj muaji i mjaltit, ftesat e musfarivëve, etj. Ndërsa, në Kosovë kemi raste kur edhe organizojnë dasma dy llojeve: një me familjar dhe një me shoqëri të gjërë”, ka deklaruar Kamberi.
Legjendë gjakovare: Si u përleshën krushqit dhe nuset?
Në Dushkajë të Gjakovës dasmat janë bërë madhështore deri në marrëzi. Një legjendë ekziston nga këto anë. Ku janë Varret e Krushqve, në një mal të Dushkajës, në mes të fshatrave: Gergoc, Maznik, e Kralan, janë takuar në rrugë dy krushqi, nga dy dasma dhe janë vra deri në një, ku nuk ka mbetur asnjë i gjallë, edhe nuset zbritën nga qerret dhe dolën në dyluftim me njëra tjetrën dhe sot është vendi i asaj gjakderdhjeje.
E gjithë kjo për çfarë? Vetëm mos t’ia lëshojnë udhën njëri-tjetrit, dy krushqitë, me pretekst, se udha e krushqeve, nuk thyhet…sepse rrugët ishin të ngushta vetëm, vetëm një kahëshe. E sot, në ato treva, kur bëhet dasma, kur takohen dy krushqi në rrugë, njëra krushqi ndalet, ia heqin zinxhirët e qerreve të kuajve, i lëshojnë përtokë, derisa kalon kolona e krushqve të tjerë, derisa të ndërrohen në rrugë, shkëmbejnë cigare, pijnë në këmbë, përshëndeten dhe ia urojnë njëri-tjetrit martesat dhe vazhdojnë udhën. /tesheshi.com/