Pas cilësimit për të dytën herë në pak të ditë të situatës COVID si “katastrofë”, kreu democrat Basha morri një përgjigje me gjuhë shifrore nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Nga ky institut u publikuan treguesit kryesore krahasimorë, referuar të dhënave globale, të cilat, siç u komentuan, nuk e përfshijnë Shqipërinë te situatat “katastrofale”.
Nga ana tjetër, reagoi dhe Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se “nëse do të pyesë stafet mjekësore që shërbimin ua ofrojnë qytetarëve tek koka e krevatit, dhe jo nëpërmjet dritares së Facebook-ut, me siguri do të mësonte se Shqipëria është ndër të paktët vende të rajonit ku mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar për as edhe një sekondë, që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit në Shqipëri”.
“Shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi si veprimet e thjeshta aritmetikore. Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë – aspak më të keq – se sa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund”, u tha nga MSH. /tesheshi.com/