Disa anëtarë të Partisë Demokratike në Vlorë kanë firmosur sot një peticion, me anë të të cilit kërkojnë anulimin e zgjedhjeve për kryetarin.
Ata kërkojnë nxerrjen e pavlefshme të akteve të nxjerra në kundërshtim me statutin nga kryetari dhe nënkryetarët e PD-së për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, ku garon kryetari i vetëngrirë Lulzim Basha dhe Eduart Selami.
Demokratët e Vlorës thonë se zgjedhjet e 25 qershorit e kanë çuar PD-në në prag të asgjësimit dhe për këtë ata fajësojnë kryetarin Basha.
Peticioni është firmosur nga anëtarët e PD në Vlorë, të cilët më tej kërkojnë mbledhje të Këshillit Kombëtar të partisë së tyre. Ky peticion vjen pas një vale deklaratash nga baza demokrate kundër Bashës. Dhe duket se diçka po zien brenda partisë më të madhe në opozitë.
Nisma kundër Bashës, i cili po kërkon një mandat të dytë në krye të partisë dhe pas humbjes së zgjedhjeve, u inicua fillimisht nga ish-krerët e degëve në rrethe.
Në një letër të bërë publike pre tyre, ata e akuzojnë Bashën se po bën një fushatë fiktive për kryetarin e partisë, pasi ai i ka larguar të gjithë kundërshtarët e tij; ndërsa kandidati përballë tij, Eduard Selami, ndonëse është një figurë e mirë për të ringritur PD, nuk ka mbështetje.
Ata shprehen se, nëse Basha do të vijojë me këtë sjellje, atëherë nuk ka dyshime që ky është një skenar për shpërbërjen e PD-së.
Ish-kreu i degës demokrate në Dibër, Rrahim Kaleci, në një prononcim për gazetën “Sot”, thotë se një njeri i pamoralshëm që nuk merr përgjegjësitë që i takojnë, nuk mund të bëjë fushatë për kreun e partisë, por rruga më e mirë është dorëheqja.
“Është e turpshme që Basha vazhdon akoma të bëjë fushatë, sepse ka vetëm pak kohë që e mori përgjigjen. Eduard Selami do ishte një zgjedhje e mirë, por nuk ka mbështetje. Sepse kështu e ka ndërtuar Basha PD, duke nxjerr nga radhët kundërshtarët e tij. Nëse do të vijohet kështu, do të thotë që është një skenar i mirëfilltë për të shpërbërë përfundimisht PD. Disfata që pësoi në 25 qershor ishte e paimagjinueshme, dhe tani del i njëjti person dhe bën moral se ka gabuar dhe do korrigjojë gabimet. Nuk janë gabime por përgjegjësi të mëdha. Ky është personi më i pamoralshëm që duhet të bëjë moral”, tha Kaleci.
Ish-kreu i degës së PD së Vlorës, Moisi Meminaj, akuzoi Lulzim Bashën për shkelje të statutit dhe i bën thirrje të marrë përgjegjësinë e humbjes.
“Basha duhet të kishte ikur me kohë sipas statutit të partisë. Aq më keq akoma në atë humbje të madhe që pësoi, Basha duhej të dorëhiqej. Ai mori përgjegjësinë se lista e kandidatëve për deputetë do të ishte liste fituese. Siç merr përgjegjësinë për listën fituese, merr përgjegjësi edhe për humbjen”, tha Meminaj.
Ish-kreu i PD së Durrësit, Osman Stafa foli bashkë me kolegët e tij. Ai thotë se duhet të zbatohet statuti dhe të analizohen shkaqet e humbjes së 25 qershorit.
“Duhet të respektohet statuti dhe vlerat e PD dhe mbi të gjitha qytetarët dhe veçanërisht demokratët. Jepni alternativa zgjidhje duke analizuar rrugën tuaj të gabimeve.Rriteni veten me vendimet dhe zgjidhjet që bëni. Në vlerat që ju mbartni kemi dhe ne aksionet tona, sepse dhe ne kemi investuar në rritjen tuaj. PD ka 27-të vite që ka lindur, në rrugën e saj plot suksese dhe dështime, ju më shumë se ne jeni pjesë dhe përfitues nga pushteti i saj, ne thjesht ndamë dhimbjet e mëkateve tuaja”, thotë ai.
Këto deklarata që vijnë nga një pjesë e bazës së partisë duket se e kanë frymëzimin në Tiranë dhe pikërisht nga grupi kundërshtar i Bashës, i cili nuk u përfaqësua në garën për kryetar dhe pse njëri prej tyre, Astrit Patozi, ishte protagonisti kryesor.
Vetë Patozi ka paralajmëruar se do të ndërmarrë një tur takimesh në bazën e partisë për të përforcuar idenë se ajo kërkon largimin e Bashës si humbës i zgjedhjeve dhe jo ta rizgjedhë në krye të partisë./tesheshi.com/