Ishte viti 2017 kur Meta (asokohe Facebook), prezantoi projektin për një pajisje të aftë të lexojë mendjet e njerëzve. Konkretisht, ishte një ndërlidhje tru-kompjuter, e aftë të skanojë mendimet tona qindra herë në sekondë, duke i përkthyer ato në tekst të shkruar.
Edhe pse projekti specifik u braktis në vitin 2021, muajt e fundit Meta ka prezantuar sisteme të reja që përdorin Inteligjencën Artificiale dhe magneto-encefalografinë për të deshifruar mendimet tona dhe për t’i shndërruar ato në tekste apo edhe imazhe.
Në sektorin e të ashtuquajturave neuroteknologji dhe ndërlidhjeve tru-kompjuter, realiteti më i njohur është Neuralink. Kompania e themeluar nga Elon Musk, e cila së fundmi ka implantuar një çip në trurin e një qenieje njerëzore me qëllim leximin e aktivitetit të trurit, i ka dhënë mundësi të përdorin kompjuterin edhe atyre që kanë pësuar një paralizë të rëndë. Për shembull duke lëvizur mausin përmes mendimit, dhe në këtë mënyrë janë në gjendje të komunikojnë me të tjerët.
Me pak fjalë, pajisjet neuroteknologjike të dizenjuara nga gjigantët e Silicon Valley – dhe shumë të tjera më pak të avancuara, por që tashmë kanë dalë në shitje – e interpretojnë aktivitetin e trurit tonë, e përkthejnë atë në veprime ose e përdorin për të na dhënë reagime të një lloji (për shembull, duke na ndihmuar të përmirësojmë meditimin).
Për sa kohë që janë pajisje mjekësore, siç është rasti i Neuralink, këto sisteme i nënshtrohen rregulloreve shumë të rrepta. Instrumente të tjera më pak invazive – që nuk kërkojnë të implantohen përmes një operacioni kirurgjikal – dhe që kanë qëllime të ndryshme nga ai mjekësor, nuk i nënshtrohen rregulloreve specifike, duke lejuar që të dhënat nga truri ynë të mblidhen dhe rishiten.
Por a po shkojmë vërtet drejt një të ardhmeje, në të cilën kapitalizmi i mbikëqyrjes po shkon aq larg sa të tregtojë të dhënat e mbledhura drejtpërdrejt nga truri ynë? A do të bëhen mendimet tona pjesë e bazave të të dhënave të Meta, Apple, Amazon, Neuralink dhe të gjithë aktorëve të tjerë potencialisht të interesuar për këtë?
Në realitet, ky skenar futurist po realizohet shumë më shpejt nga sa pritej, si për qëllime tregtare ashtu edhe për mbikëqyrje. Për shembull, një investigim nga gazeta South China Morning Post, raportoi se si punëtorët në Hangzhou Zhongheng Electric – një kompani e produkteve të teknologjisë së lartë e vendosur në Hangzhou (Kinën Lindore, jo shumë larg nga Shangai) – veshin një helmetë që përmban sensorë me valë që monitorojnë vazhdimisht valët e trurit të tyre.
Këto të dhëna i komunikohen kompjuterëve, të cilët falë Inteligjencës Artificiale, identifikojnë kulmet emocionale të lidhura me ankthin, depresionin ose zemërimin. E njëjta gazetë raportoi gjithashtu se si në disa shkolla në Kinë po futen në përdorim mjete të ngjashme për të monitoruar nivelin e vëmendjes dhe përqendrimin e nxënësve.
Nëse në Kinë, frika lidhet kryesisht me atë që është etiketuar si “mbikëqyrje cerebrale”, shqetësimi në Perëndim është se mendimet tona do të bëhen objekt biznesi. Siç raportohet nga një raport nga fondacioni jofitimprurës Neurorights – që mbron privatësinë e të dhënave tëtrurit – në sektorin e neuroteknologjisë ekzistojnë aktualisht shumë kompani që mbledhin dhe potencialisht i shesin të dhënat e trurit të klientëve të tyre.
“Duke analizuar politikat e privatësisë dhe marrëveshjet e përdoruesve të 30 prej këtyre kompanive, raporti zbuloi se shumica e tyre mund të ndajnë të dhëna të tilla me kompani të palëve të treta”- shkruan Vox.
Në thelb, është ajo që ndodh edhe me platformat e mediave sociale – të cilat shesin të dhëna në lidhje me interesat tona për qëllime tregtare – por këtë herë duke mbledhur informacion direkt nga truri ynë. Nëse sot kompani si Meta ose Google, dinë tashmë shumë për ne dhe e shfrytëzojnë atë për objektivat e tyre (në disa raste duke e abuzuar), çfarë mund të ndodhte nëse ato do të kishin në dispozicion edhe të dhënat tona më intime dhe më të fshehta?
Pikërisht për t’u mbrojtur nga ky lloj skenari, Kolorado është bërë shteti i parë në Shtetet e Bashkuara që ka miratuar një amendament që përfshin edhe të dhënat e marra nga truri, midis atyre që mbrohen nga ligji i privatësisë, i cili tashmë përfshin imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.
Shumë shpejt, Kalifornia dhe Minesota po në SHBA, mund të nxjerrin ligje të ngjashme, duke mbrojtur “privatësinë mendore” dhe duke gjobitur kompanitë që e shkelin atë. Megjithëse Kolorado është shteti i parë amerikan që ndërhyn në këtë çështje, pionieri i vërtetë i privatësisë mendore është një vend i Amerikës së Jugut, Kili, i cili në vitin 2021 miratoi një ligj për të ashtuquajturat të drejta neurale.
Edhe vende të tjetra, po diskutojnë mundësinë e hedhjes së hapave të ngjashëm, përfshirë Spanjën, Francën dhe Argjentinën. Ndërsa mbi këtë çështje kanë nisur të interesohen edhe Kombet e Bashkuara.
Në një deklaratë të botuar në shtatorin e vitit 2022, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se kishte ardhur koha për të “përditësuar të menduarit tonë mbi të drejtat e njeriut”, dhe për ta përfshirë edhe neuroteknologjitë në listën e çështjeve delikate që duhen pasur parasysh.
Në përgjithësi, të gjitha vendet që kanë miratuar ligje mbi të dhënat e trurit, apo që po mendojnë ta bëjnë këtë, kanë dëgjuar studiuesin që e ngriti i pari këtë problem, Rafael Yuste, profesor i biologjisë në Universitetin e Kolumbias.
Shqetësimet e tij datojnë që 12 vite më parë, kur ai zbuloi në laboratorin e tij se ishte në gjendje të manipulonte perceptimin vizual të minjve. Duke përdorur një lazer, Yuste mundi të aktivizonte disa neurone, dhe të nxiste shfaqjen në trurin e minjve të imazheve që ai dëshironte, duke i manipuluar ato si ishin kukulla.
Në atë moment, Yuste i bëri vetes një pyetje të thjeshtë: Sa shpejt do të ishte e mundur të bëhej diçka e ngjashme edhe me njerëzit?
Në vitin 2017, së bashku me disa kolegë të tij ai botoi një studim në revistën Nature, duke nënvizuar rreziqet e këtyre teknologjive dhe masave kufizuese që duheshin marrë.
Në përgjithësi, masat e sugjeruara nga Yuste në studim janë pesë:
të ndalohet ruajtja dhe shitja e të dhënave të trurit tonë;
të sigurohet mbrojtje nga ndryshimet e paautorizuara të ndjenjës sonë vetjake;
të sigurohet kontroll i plotë mbi vullnetin dhe vendimet tona të lira;
të sigurohet qasje e barabartë në të ashtuquajturin “përmirësim njerëzor” përmes teknologjisë, në mënyrë që të mos përfitojnë vetëm të pasurit (rritja e pabarazisë);
dhe së fundmi të kërkohet që algoritmet që janë në bazë të sistemeve neuroteknologjike, të mos kenë paragjykime ndaj disa grupeve dhe pakicave të veçanta.
Megjithëse Yuste ka qëllimet më të mira, pesë sugjerimet e tij hasin në disa probleme dhe ngrenë pyetje delikate filozofike dhe psikologjike. Për shembull, si ta garantojmë “të drejtën e vullnetit të lirë” kur nuk jemi as të sigurt se ekziston vullneti i lirë ? Dhe si mund të mbrohemi gjithmonë nga ndryshimet e vetvetes, kur për shembull, drogat psikotrope mund të prodhojnë ndryshime të këtij lloji në një mënyrë të paparashikueshme?