New York ka krijuar një aplikacion për të ndihmuar qytetarët dhe turistët në sinjalizimin e aktiviteteve të dyshimta nëpërmjet smartfonit të tyre. Aplikacioni është pjesë e një fushate të krijuar për të inkurajuar qytetarët në lajmërimin e autoriteteve, në rast se rrezikohen nga ndonjë kërcënim i mundshëm.
“Këto masa janë të nevojshme në luftën kundër terrorizmit”,- ka thënë guvernatori i shtetit, Andrew Cuomo. Aplikacioni lejon përdoruesit të dërgojnë një fotografi të çfarëdo lloj gjëje që ata e konsiderojnë si të dyshimtë.
“Kemi intensifikuar përgatitjen tonë, pas atentateve në Paris dhe do të vijojmë të jemi vigjilentë ndaj atyre që kërkojnë të shpërndajnë frikë dhe dhunë”,- shtoi Cuomo.
Aplikacioni mund të shkarkohet falas në iPhone dhe në Android. Përdoruesit duhet thjesht të dërgojnë një fotografi të asaj që e konsiderojnë si të dyshimtë dhe një mesazh shoqërues./tesheshi.com/