Kreu demokrat Basha, i ka kushtuar një status çështjes së largimeve masive nga Shqipëria këto kohë, temë dhe e një konference për shtyp mes kryeministrit Rama dhe eurokomisionerit Hahn, këtë të shtunë në Durrës.
Pasi të dy përcollën apele për pamundësi azili për shqiptarët, por që dhe mos e shohin ikjen si alternativë, Basha ka zgjedhur të denoncojë atë që e konsideron shkaktar të ikjeve, kreministrin:
“Pse ikin shqiptarët; për këtë Rama nuk gjen kohë as të pyesë, dhe as të dëgjojë.
Ky është një kryeministër që nuk e bren ndërgjegja asnjë sekondë për faktin se braktisja e vendit është veprim i dëshpëruar nga mungesa e mundësive dhe e shpresës.
Shqiptarët ikin për të shpëtuar veten dhe fëmijët e tyre nga varfëria dhe injoranca; ikin për të shpëtuar nga droga dhe krimi që pasi pushtoi politikën, tani po pushton ekonominë duke u bërë kërcënim për pronën dhe jetën e çdokujt. Shqiptarët ikin nga vendi ku qeveria dhunon në mënyrë sistematike të pamundurit dhe të pambrojturit dhe favorizon e mbështet vetëm kriminelët dhe grabitqarët.
Rama vetë nuk është komentator, ai është në fakt përgjegjësi kryesor për eksodian masiv te shqiptarëve, për krimin e veshur me pushtet dhe për Shqipërinë e mbushur me drogë. Ndaj dita ditës po shtohen raportet dhe vendet europiane që tregojnë atë dhe qeverinë e tij me gisht për kanabizimin dhe kriminalizimin e vendit.
Vetëm të bashkuar dhe të vendosur për tu përballur me të keqen mund ta ndryshojme qeverisjen dhe jetën tonë. Shqipëria ka mundësi të mëdha për të gjithë, nëse qeveriset mirë”, shkruan Basha në një reagim të tij në FB. /tesheshi.com/