Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë për vitin 2014, sipas vlerësimeve të BQK-së ishte 2.7 për qind, ndërsa për vitin 2015, pritet që ekonomia të ketë rritje për 3.5 për qind.
“Rritja ekonomike për vitin 2014 bazohet kryesisht në vlerësimet për rritjen e konsumit, përderisa investimet dhe neto eksportet vlerësohet të kenë kontribuar negativisht”, thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin tremujor të ekonomisë. Sipas raportit për vitin 2015, pritet që ekonomia e Kosovës do të karakterizohet me përshpejtim të rritjes ekonomike, e cila pritet të arrijë në 3.5 për qind.
Ky përshpejtim i rritjes ekonomike pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme dhe investimet.
“Investimet publike deri në mars të vitit 2015 kanë shënuar rënie prej 20.2 për qind, ndërkohë që investimet e huaja direkte (IHD) kanë shënuar rritje për 103.8 për qind. Aktiviteti i sektorit privat është përkrahur edhe nga kreditë e sistemit bankar për ndërmarrjet të cilat në tremujorin e parë të vitit 2015 kanë shënuar rritje prej 2.9 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së. /tesheshi.com/