Nga Ermir Hoxha
Rasti i dekorimit nga ana e presidentit Nishani të mbi 60 ballistëve të vrarë nga Mehmet Shehu, ka sjellë dhe njëherë për debat dualitetin jo vetëm ideologjik komunist/ballist. Themi jo vetëm ideologjik pasi është gjithashtu edhe politik, por dhe social. Ish-regjimi nuk u mjaftua vetëm me denoncim, pra, ideologjik e politik të tyre, por dhe me diskretitimin social, duke iu mveshur, fjala vjen, mitin e ngrënësve të panginjur të pulave. Tabloja e kësaj lufte frontale anti-balliste, haset më së miri tek prodhimet e ish-Kinostudios, aty ku filmi, si një gjini artistike jashtëzakonisht e fuqishme propagandistike, ia arriti ta vizatojë figurën e një ballisti me lapsin më të zi të mundshëm. Dhe ne kemi përzgjedhur disa prej tyre. Nëse në realitet, atyre iu fut plumbi ballit, në virtualitet u ekzekutuan dhe me tallje ekstreme.
Në fillim po veçojmë “Njeriu me Top”, filmin ku në qendër është personazhi i Tosum Baçit. Veç adhurimit që ka për pushtuesin, gjermanin, ai shfaqet dhe si grykës që ia shtron me të ngrëna e të pira, ndërkohë që partizanët luftojnë malit. Madje në një skenë, këta të fundit prezantohen dhe si humanë karshi tyre:
https://youtu.be/uev0ktk4ivM
Më pas kemi filmin “Njeriu i mirë”, ku Kiço Pela, i cili nuk do që e motra Vera të lidh jetën me Telon, i bën me dije asaj njollën në biografi që kishte njeriu i saj i zemrës: një dajo më ballin. Vëreni se si tmerrohet Vera nga ky fakt, që më pas koston dhe në dashuri:
https://www.youtube.com/watch?v=j7T6kGExjXw&feature=youtu.be
Kemi gjithashtu filmin “Mëngjese lufte”, me ballistë që u qëllojnë fëmijëve pasi vihen në lojë nga këta të fundit:
https://youtu.be/F7DF1_TTGoQ
Dhe vjen “Malet me blerim mbuluar”, aty ku në fakt Kinoja komuniste ka denoncuar – si pa dashje – dhe vetë komunistët. Partizani Jaho, me naivitetin e tij, nuk arrin ta kuptojë personalitetin burrëror të Safa Ymerit, nuk arrin ta vlerësojë humanitetin e tij, dhe ia plas në një moment duke e quajtur ballist, një gjë tjetër e rëndë për të:
https://youtu.be/MneMcp44C8g
Por kulmin e diskretitimit të figurës së ballistit do e përbënte “I teti në bronx” me të famshmin Sali Protopapa. Ka ndodhu mu aty ajo që thotë operatori legjendar, Ilia Terpini, që përdornin një teknikë xhirimi të tyre me kamerën nga poshtë, për t’i nxjerrë sa më të shëmtuar. Dhe ja “mjeshtëria djallëzore” e Terpinit tek zijafeti ballist në film:
https://youtu.be/H1wFfQ_tQ4Q
Dhe janë plot skena të tjera të Kinos së ish-regjimit ku Balli bëhet helaq, aq sa sot është shumë e vështirë ç’rrënjosja e atij imazhi të skalitur fort. Kjo, edhe për faktij se si ata e si legalistët, nuk arritën të ndrisin në kushtet e demokracisë. Ndoshta ngaqë burra e atyre moteve – si Mit`hat Frashëri me shokë – e kanë lënë këtë botë me kohë. Hysen Selfo, Guri Durollari; Rroqi apo Alimadhi, nuk i thonë asgjë historisë (përveç Shpëtimit si ish-autor i talentuar tekstesh këngësh). /tesheshi.com/