Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime Ex-Officio për ngjarjet e datës 28 nëntor 2015 tek selia e LVV-së, dhe ka dërguar shkresë tek Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga Avokati i Popullit, thuhet se ata kanë intervistuar disa nga personat e lënduar në QKUK, si dhe personat e ndaluar nga policia në Qendrën e Mbajtjes.
“Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese që të bëj hetime “[…] nëse nga konstatimet, dëshmitë dhe faktet e paraqitura me parashtresë ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut […]” (Neni 16, paragrafi 4 i Ligjit 05/L-019 për Avokatin e Popullit), Avokati i Popullit ka hapur hetime Ex officio nr. 664 /2015, si dhe sot, me një shkresë të veçantë, i është drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Më tej thuhet se duke pasur parasysh seriozitetin dhe peshën e kësaj çështjeje, shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, si dhe interesin e opinionit publik të shprehur lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit i kërkon Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me ngjarjet e 28 nëntorit 2015, ngase bazuar në pohimet e të intervistuarve në QKUK dhe Qendrën e Ndalimit, bëhet fjalë për përdorim të forcës së tepruar nga ana e policisë. /tesheshi.com/