Nëntë kosovarë janë lënduar, dy prej tyre rëndë në mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Kurshumli, pasi një autobus që udhëtonte nga Lubjana e Sllovenisë për në Kosovë, u aksidentua.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e cila njofton se dy pasagjerët e lënduar rëndë po trajtohen në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike, por me gjendje shëndetësore stabile.
MPJ njofton se të gjithë udhëtarët e tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit të nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, derisa Policia serbe ka filluar hetimet për këtë rast.
Për këtë aksident ka reaguar edhe kryeministri Haradinaj.
“Sapo u informova nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, për aksidentin e autobusit në Serbi, me udhëtarë nga Kosova. Nga zotëri Sadiku u informova që dy udhëtarë janë hospitalizuar dhe janë jashtë rrezikut për jetë, kursë te tjerët nuk kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Do të vazhdojmë ta përcjellim në çdo moment gjendjen e qytetarëve tanë, por edhe të udhëtarëve tjerë”, shkruan Haradinaj në Facebook.