Astrit Patozi foli sërish këtë të enjte në parlament. Në fakt nuk flet shpesh. Duket se i ka vënë një grafik vetes. Por kur flet çoç thotë. Dhe ndoshta është i vetmi që ia vlen të dëgjohet nga opozita. Nuk është as gojështhurrur e as prej atyre që tunden nga vendi për t’u hakërryer edhe fizikisht mazhorancës. Gjithçka ka në gjoks ia ka besuar fjalës, rëndësisë dhe peshës së saj, për të goditur në mënyrën e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur. Ka marrë dhe një qëndrim simetrik në porcionet e kritikës opozitare, gjysmën kah pushteti e gjysmën kah të tijtë, opozita. Siç dhe në rastin e fundit. Fiks një Ben Blush i opozitës, në kushte opozite.
Ai nuk ka shkruar libra, por gjuhën e ka brisk, siç dhe Beni.
Astrit Patozi ka qenë gazetar, por jo shumë i njohur si i tillë në publik. Aftësia e tij ligjëruese nis e afirmohet me hyrjen në politikë.
Astrit Patozi, garoi për deputet që në vitin 2001 por u bë i njohur pas vitit 2005 ku u zgjodh në zonën e Vorës dhe u emërua zëvendësi i Bamir Topit në grupin parlamentar të PD-së.
Kur Topi u zgjodh President, Patozi u kthye në një nga figurat qëndrore të PD-së duke u bërë kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetar i partisë më të madhe qverisëse.
U vu re menjëherë aftësia e tij si polemist i hidhur, shumë serioz si staturë, por që nuk u përzie apo u përfol për afera siç shumë politikanë të mazhorancës.
Edhe pse ishte deputet i zonës ku ndodhej Gërdeci, në të gjithë atë zallamahi emri i Astrit Patozit nuk u shënjestrua.
Nuk ishte kurrë figurë qëndrore e PD-së në parlament, pasi ishte Berisha që mbante protagonizmin, por duhet thënë se ylli i Astrit Patozit ndriçoi kur Partia Demokratike doli në opozitë.
I zhveshur prej aureolës së pushtetit, që në fillim kërkoi falje publike për humbjen, duke folur në radhë të parë për Vlorën që e kryesonte si qark dhe më pas u tërhoq.
Mbështeti Sokol Olldashin në garën dramatike për kryetarin e PD-së pas dorëheqjes së Sali Berishës dhe më pas mbi të nisi ndëshkimi i lidershipit të selisë blu.
Nuk u zgjodh në asnjë post të lartë të PD-së së re, por Patozi në vend që të tërhiqej rriti edhe më shumë tonin dhe sasinë e fjalimeve.
Thuajse çdo të enjte ka pasur fjalime brilante, në një ditë me Ben Blushin, të cilat gjithashtu botohen si editoriale në thuajse të gjitha mediat online.
Por fjalimi më i famshëm i Patozit ishte ai i pas zgjedhjeve lokale të 2015-s, ku i deleguar në Vorë arriti t’i shkaktojë Ilir Metës humbjen më të rëndë për bashkinë më të re.
Ai ishte dhe lejtmotivi i tij politik, pikërisht kur Lulzim Basha po ndërtonte të gjithë supestrukturën politike për të krijuar një aleancë me Ilir Metën, duke i ndërprerë në mes Edi Ramës mandatin. Dhe kjo përkonte me nisjen e reformës në Drejtësi. Por gjërat nuk rrodhën kështu pasi në opozitë u krijua një lob i fuqishëm kundër Ilir Metës dhe LSI-së, duke i ndërtuar një gardh sanitar Lulzim Bashës. Deri sa e detyroi të nxjerrë frazën e famshme: S’ka koalicion me Ilir Metën!
Ndaj edhe pse e nxori nga dritarja, Astrit Patozi iu imponua Bashës si njeriu qëndrestar intelektual i opozitës. Me staturën e re, ai tashmë është kryetari moral të grupit parlamentar të opozitës, pasi ai reali është ish-kryeministri Sali Berisha. Edi Paloka le ta zgjedhë vetë se ç’është…tesheshi.com/