Irani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pesë fuqi të tjera botërore kanë arritur pas bisedimeve të tejzgjatura një marrëveshje kornizë që përvijon caqet e programit bërthamor të Iranit, për t’ia pamundësuar prodhimin e armëve atomike.
Marrëveshja do ta mbajë nën fre programin bërthamor të Iranit dhe do t’i japë fund shumicës së sanksioneve të imponuara mbi këtë të fundit.
Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së, e cila veproi si një bashkërenduese për gjashtë fuqitë, për Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe SHBA-të, u shpreh të enjten në mbrëmje se është bërë një “hap vendimtar”.
Si SHBA-të dhe Irani i përshëndetën përpjekjet e diplomatëve të tyre gjatë tetë ditëve të bisedimeve në Lozanë.
Presidenti amerikan, Obama, e quajti një “marrëveshje të mirë”, dhe tha se SHBA-të dhe aleatët kishin “arritur një mirëkuptim historik me Iranin”.
Ashtu siç pritej, Izraeli e shprehu menjëherë kundërshtinë e fuqishme ndaj marrëveshjes. Në një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, bëri me dije se një marrëveshje përfundimtare e bazuar në këtë ujdi “do të kërcënonte mbijetesën e Izraelit”.