Policia arrestoi në kufirin Kosovë-Shqipëri aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Sahiti, për një aksion simbolik të ndërmarrë muaj më parë.
Sipas VV-së, policia me veprime të tilla po konfirmon se është e instumentalizuar dhe se në vend të angazhimit për rend e ligj, është e përqendruar në zbatimin e urdhërave politikë të pushtetit të kriminalizuar.
“Arrestimet e tilla, përndjekja e persekutimi i vazhdueshëm i aktivistëve të Vetëvendosje-s nga pushteti përmes organeve të rendit dhe të drejtësisë, janë të papranueshme. Frika nga humbja e pushtetit i ka përshkallëzuar të këqijat e pushtetarëve dhe sheshazi e ka nxjerrë fytyrën e këtij regjimi autoritar, që qëllimin kryesor e ka- luftimin e zërave opozitarë”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kjo parti kërkon që këto veprime të marrin fund, si dhe të lirohet menjëherë aktivisti Sahiti, duke shtuar se asnjë lloj veprimi, nuk do ta zmbrapsë aktivizmin e tyre për një shoqëri të drejtë dhe një shtet demokratik. /tesheshi.com/