Vizita e presidentit amerikan dhe e sekretarit amerikan të Mbrojtjes në Arabinë Saudite ka sjellë rezultatet e para. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet arabe të Gjirit Persik kanë rënë dakort të kryejnë patrullime të përbashkëta detare për të mos lejuar kalimin e anijeve që dërgojnë armë kontrabandë nga Irani drejt Jemenit.
Marrëveshja është arritur në një takim në Riad të Ashton Carter-it, sekretarit amerikan të Mbrojtjes, dhe homologëve të tij arabë të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, Abdullatif ez-Zejani, gjatë një konference për shtyp me sekretarin amerikan të Mbrojtjes.
Gjithashtu është rënë dakort mes palëve për të bashkëpunuar në ndërtimin e sistemeve të përbashkëta të mbrojtjes të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Dhe ngritja e nivelit të sigurisë detare dhe të forcave speciale kanë qenë mes çështjeve për të cilat është gjetur pajtim.
Pas takimit të djeshëm mes mbretit saudit Selman dhe presidentit amerikan, Barack Obama do të marrë pjesë sot në një takim të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, ku përfshihen Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani. /tesheshi.com/