Konflikti i armatosur që ndodhi dje mes dy familjeve në Prishtinë përfundoi me dy të vdekur dhe dy të plagosur rëndë. Kjo gjë tronditi kryeqytetin por ngriti edhe shumë pikëpyetje.
Dëshmitarët nga të dy familjet që kishin probleme me një tokë të banimit thonë se konflikti ishte i parashikueshëm, duke pasur parasysh se kishte më shumë se 10 vite që kërkesat e tyre nuk ishin marrë në konsideratë nga organet e gjykatave.
Problemi i një vije kadastrale i cili do të mund të shoshitej më një vendim prokurorial, u shndërrua në fatalitet që ka rrezik të përkeqësimit, duke ditur se gjendja e të plagosurve është tejet e rëndë.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka fajësuar gjykatat e Kosovës për neglizhencë në kontestet pronësore.
Ata thonë se nuk është hera e parë në Kosovë që ndodhin vrasje për shkak të kontesteve pronësore të pazgjidhura apo shkaku se këto konteste zgjasin në pakufi deri sa ato të zgjidhen e në disa raste bëhet vonë.
“Në KMDLNj ka pasur raste kur për shkak të neglizhencës së gjykatave apo stërzgjatjes së proceseve gjyqësore, kur është shënuar dhunë brenda familjes, apo edhe raste të vrasjeve të familjarëve të ngushtë si vëllai, djali, babai, etj. Kontestet gjyqësore në rastet që kanë të bëjnë me pronën dhe çështjet tjera civile ka mundësi edhe ligjore të shtyhen për një kohë të gjatë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
“Rastet e ndjeshme siç janë ato brenda familjes dhe rastet ku ka përshkallëzuar kontesti duhet të kenë prioritet absolut nëse është qëllimi të parandalohen dhuna dhe vrasjet në të ardhmen”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së, përcjell Koha.net. “Gjithashtu është me rëndësi që të profilizohen gjykatësit dhe t’u ndahet puna e jo që të merren me të gjitha rastet e fushës civile”.
Burimet nga brenda dy familjeve thonë se ata kishin qenë fqinj për më shumë se 50 vite, në një lagje dikur periferike të Prishtinës, por që së fundmi është urbanizuar në saje të projektit “Prishtina e Re”. /tesheshi.com/