Të jesh person i privuar fizikisht nga fati, kjo nuk do të thotë që ta mbyllësh jetën duke mos bërë asgjë. Edhe kur të mungon goja e veshët.
Këtë e vërteton edhe 65-vjeçari, Sejdi Rashiti nga fshati Peran i komunës së Podujevës, i cili ndonëse nuk dëgjon dhe ka pengesa në të folur, ka disa vite që ka krijuar emër si rrobaqepës i mirë e punëtor i zellshëm.
Në dalje të qytetit, afër urës së lumit Llap, mes dhjetëra lokaleve njëra pas tjetrës, zë vend edhe lokali i Rashitit që është adresë për shumë njerëz, të cilët kanë nevojë për të shkurtuar apo edhe ngushtuar rrobat.
“Ndonëse në këtë qytet ka edhe shumë rrobaqepës të tjerë, tash e disa vite adresë për shumë banorë të anës së llapit ka mbetur lokali i 65-vjeçarit nga Perani”, shkruan “Koha Ditore”.
Temperatura e lartë që e kishte pasur kur ka qenë fëmijë, ia kishte dëmtuar të dëgjuarit dhe të folurit, por kjo nuk e kishte penguar që pas disa viteve të gjente një profesion nga i cili do ta mbante familjen disa anëtarëshe. /tesheshi.com/