Anëtarët e Parlamentit Evropian, Ivo Vajgëll, Riçard Hovit dhe Eduard Kukan, të cilët kanë ndërmjetësuar në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes në Përzhinë, sot do ta vizitojnë Maqedoninë.
Eurodeputetët pritet të mbajnë takime të ndara me liderët e partive politike, nënshkrues të marrëveshjes.
Vajgëll, Hovit dhe Kukan, gjithashtu, duhet të takohen edhe me prokuroren speciale, Katica Janeva, si dhe me përfaqësues të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
Kjo treshe e Europarlamentit, konsiderohet se do të ketë detyrë të bindë partitë që të përshpejtohet miratimi i obligimeve të tjera të marrëveshjes së Përzhinos dhe të prioriteteve urgjente reformuese, të cilat i rekomandoi Komisioni Evropian.
Nga mesi i muajit pritet edhe ardhja e eurokomisarit për Politikën fqinje dhe negociata për zgjerim, Johanes Han. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, qëllimi i vizitës është të shohë nga afër zhvillimin e zbatimit të pikave të marrëveshjes së Përzhinës, si dhe për prioritetet urgjente reformuese, të cilat i rekomandoi Eurokomisioni.
“E konfirmoj se komisari Han do të vizitojë Shkupin në janar, por nuk kam datë. Shkaku është të bëjë vlerësim të situatës”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë joformale të Bashkimit Evropian, Ketrin Rej./tesheshi.com/