Shqipëria ka hyrë në një vit politik që ka dhe pak 97-të, por vetëm politike. Pas 20 vitesh, brenda një stine do të ketë dy palë zgjedhje: ato të përgjithshmet parlamentare, si dhe presidenti i ri. Kjo ndodhi vetëm atë vit të kobshëm, ku brenda pak javësh PS-ja u kthye në pushtet dhe një prej eksponentëve të saj, Rexhep Mejdani, u zgjodh president i Republikës. Madje, si asnjëherë tjetër, kjo zgjedhje u festua me të shtëna armësh.
Dhe duhet thënë se që prej 4 janarit, kur nisin aktivitetet zyrtare dhe transmetimet live, do të shohim një politikë krejt tjetër: më të ashpër me shoqi-shoqin, më të dashur me popullin, atje nga buron vota.
Nga vetë qeveria nuk pritet të ketë në këto 6 muaj “rreptësi ligji”, “kupon tatimor” apo “informalitet”.
Por dilema më e madhe e 2017-s është se si Ilir Meta do të bashkëngjitet sërish në koalicion me Edi Ramën, kur ata nuk i besojnë fare njëri-tjetrit. E tha Rama në intervistën e fundit tek Opinion.
Ndërkaq, në të njëjtën natë, Ilir Meta, i pyetur për koalicionin, u shpreh se do ta “vendosin strukturat e LSI-së”.
Fiks e njëjta skemë si ajo me largimin nga PD-ja në vitin 2013, kur ikja formale u bë më 1 prill.
Gjithsesi, gjasat janë që Rama e vijon dhe për një mandat tjetër 4-vjeçar qeverisjen. Dhe siç duket për këtë është e përgatitur dhe vetë opozita, pra që ta shtyjë dhe një katërvjeçar tjetër me akuza ndaj qeverisë.
Më pas vjen presidenti. Aktuali, Nishani, ka dhënë shenja se e ka me shumë dëshirë që ta vazhdojë dhe për një mandat tjetër drejtimin e shtetit. Dhe çuditërisht këtë e kërkon ndërkohë që partia që e zgjodhi nuk është në pushtet, ndërkohë që ajo që është nuk e honeps dot dhe mezi pret ta zëvendësojë. Madje në konferencën e fundvitit, Rama e tha troç këtë. Por nga ana tjetër, ai paralajmëroi se pasaradhësi i Nishanit do zgjidhej nga radhët e koalicionit të majtë.
Dhe deri më tani, emri i hedhur në treg është ai i një gruaje, Mimi Kodhelit; jo thjesht për faktin se e ka shprehur që nuk do jetë më ministre e Mbrojtjes, por se, jo rastësisht, emrin e saj si një presidente e mundshme e ka përmendur kolegu partiak, Alfred Peza. Dhe, nga ana tjetër, “kërcënueshëm” për këtë post qëndron LSI-ja, prej së cilës mund të dalë dhe aty një emër gruaje, Monika Kryemadhi.
Por dhe diçka tjetër po aq përndezëse pritet të ketë 2017-ta në politikën shqiptare: prangat! Në duart e kujt “të madhi” do të vihen ato, që do të kurorëzojnë dhe reformën në drejtësi? Pra, do jetë një vit i ndezur politik më shumë se zakonisht. /tesheshi.com/