Ilir Meta betohet sot dhe sipas të gjitha gjasave do të inagurohet ceremonialisht si Presidenti i shtatë i Republikës së Shqipërisë, i zgjedhur pas rrëzimit të komunizmit.
Kryetar i Parlamentit edhe aktualisht dhe lider i LSI-së, Ilir Meta po hyn në portën kryesore të shtetit shqiptar, si pjesë e një marrëveshje të fshehtë, të panjohur dhe më pas të prishur, me njeriun që qeverisi katër vjet dhe më në fund e zgjodhi President për ta larguar.
Ndryshe nga gjashtë parardhësit e tij, që u zgjodhën në krye të shtetit, si një dëshirë apo zgjedhje e partive të tyre, si pjesë e marrëveshjeve të hapura politike, apo si liderë të mazhorancave, Ilir Meta vjen si dëshirë e një mazhorance për ta “hequr qafe”, duke e zgjedhur President.
Presidenti i parë postkomunist, ishte ai i fundit komunist, pra Ramiz Alia, që ishte njëkohësisht dhe kreu i Partisë së Punës që fitoi zgjedhjet e 31 marsit 1991.
Ajo parti kandidoi shefin e saj për President dhe e zgjodhi në Parlamentin që kishte 2/3-at e votave.
Sali Berisha, ishte lideri i Partisë Demokratike që fitoi 60% të votave më 22 mars 1992 dhe gati 2/3-at e Parlamentit. U zgjodh president si një dialektikë politike normale.
Në vitin 1997, Partia Socialiste fitoi 2/3-at e Parlamentit shqiptar. Zgjodhi President të Republikës numrin dy të saj, Rexhep Meidanin, pasi kryetari Fatos Nano u bë kryeministër.
Në vitin 2002, BE kërkoi një President konsensual mes PD-së dhe PS-së.
Fatos Nano dhe Sali Berisha, në një marrëveshje të hapur dhe publike, ranë dakord që në krye të shtetit të vendosin gjeneralin në pension, Alfred Moisiun.
Në vitin 2007, Partia Demokratike që kishte fituar zgjedhjet e 2005-s, zgjodhi kryetar të shtetit, Bamir Topin, numrin dy të saj, si propozim normal i mazhorancës.
Në 2012-n, po Partia Demokratike që kishte mazhorancën në Kuvend së bashku me aleatët e LSI-së zgjodhi President të Republikës Bujar Nishanin, anëtarin e kryesisë së PD-së pas një marrëveshje me Ilir Metën.
Kurse ky i fundit vjen në krye të shtetit, pa një marrëveshje publike, por një të tillë kulisash, ku përveç postin e kreut të shtetit, u fol se i mori Edi Ramës edhe koncensione të tjera misterioze, ndërmjet të tjerave mbi 4 deputetë të LSI-së në listat e PS-së, që i di për të tillë vetëm Edi Rama.
Në karrierën e tij, Ilir Meta ka pasur dy postet e tjera më të larta të shtetit si Kryeministër dhe kryetar Kuvendi.
Me marrjen e Presidencës së Republikës, ai bëhet i vetmi politikan që bën “tris”, pra shijon drejtimin e tre posteve më të larta të shtetit shqiptar, duke thyer një rekord.
Në eksperiencën botërore, njerëzit që marrin të tilla role institucionale përbëjnë figura të rëndësishme, që kanë dhënë prova përbashkuese dhe shtetndërtuese, pra janë burra shteti.
Po Presidenti më i ri i Shqipërisë, Ilir Meta a është një burrë shteti?!
Le të përshkrojmë karrierën e tij të gjatë politike dhe më pas secili bën komentin e tij dhe vlerësimin përkatës.
Ilir Meta, hyri në politikën shqiptare në vitin 1991, edhe pse në dhjetorin e vitit 1990 ai u zgjodh si përfaqësues i Fakultetit Ekonomik për të takuar Ramiz Alinë në emër të studentëve të Dhjetorit. Çuditërisht për këtë përvojë, të lakmueshme për shumë politikanë që s’e kanë, Meta nuk folur dendur, ç’ka duket vërtet e çuditshme.
Haki Morina, një nga themeluesit e Forumit Eurosocialist Shqiptar, ka bërë të ditur mëse njëherë se ka qenë ai që është takuar i pari si përfaqësues i grupit themelues të FRESSH me Ilir Metën që ishte prezantuar nga Musa Ulqini, atëherë nënkryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
Pra Meta hyn në FRESSH i katapultuar nga PS-ja, krerët e së cilës e vendosin atë kandidat për deputet në një zonë shumë të majtë, e cila qëlloi një nga 6 zonat që direkt, pra në mazhoritar, dërguan në Parlament deputetë socialistë.
Skrapari ku u zgjodh deputet Ilir Meta, të dy zonat që kishte ia dha PS-së, duke u bërë si Kukësi sot në anën e kundërt.
Në parlamentin e ri të vitit 1992, Ilir Meta bie në sy pas grevës së punëtorëve të kombinatit të Poliçanit, ku prodhoheshin kallashnikovët shqiptarë, të cilin Ministria e Mbrojtjes kishte vendosur ta shkurtonte.
Në atë kohë, i akuzuar si organizator i përplasjes me policinë, Ilir Metës i hiqet edhe imuniteti i deputetit, por asgjë më shumë. Politikisht fiton shumë pike, sidomos majtas.
Pas burgosjes së Fatos Nanos, në fillim Ilir Meta arrin të marrë mbështetjen e tij për t’u zgjedhur kryetar i FRESSH-it, duke rrëzuar Pandeli Majkon, i cili ishte dekoruar nga Presidenti Sali Berisha me urdhërin “Pishtar i Demokracisë” për pjesëmarrjen në Lëvizjen e Dhjetorit, por Meta çuditërisht nuk u dekorua.
Pas zgjedhjes në krye të FRESSH-it, Ilir Meta bën përpara dhe zgjidhet një nga 4 nënkryetarët e PS-së, në kohën kur kryetari ndodhej në burgun e Bënçës dhe komunikonte me letra.
Por një vit pas zgjedhjes si nënkryetar i PS-së, Meta akuzohet nga Nano si bashkëpunëtor i fshehtë i Sali Berishës dhe në vitin 1996, pas kongresit humbet garën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së me Rexhep Meidanin; mënjanohet thuajse fare dhe nuk zgjidhet në asnjë organ drejtues të PS-së.
Në vitin 1997, Fatos Nano e kandidon sërish në Skrapar, madje pas fitores e fton të bëhet Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme, duke i kërkuar të lërë mandatin e deputetit, por Meta nuk pranon dhe kryeministri socialist tërhiqet duke e vendosur Metën si numrin dy të diplomacisë, duke qenë edhe deputet.
Në vitin 1998, kur Fatos Nano largohet nga qeveria pas tentativës për marrje të pushtetit me dhunë nga grupe të armatosura të PD-së, që sulmuan kryeministrinë, një ditë pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, kryeministër bëhet Pandeli Majko, i cili ishte katapultuar si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, pas zgjedhjes së Rexhep Meidanit si President i Republikës.
Majko, emëron Ilir Metën si zv,kryeministër, pra kundërshtarin dhe rivalin kryesor në PS, për të dhënë një shenjë bashkimi.
Meta punon një vit me Majkon, dhe në vitin 1999, pasi deklaroi se do të mbështeste Pandin për kryetar të PS-së, bëri të kundërtën dhe Fatos Nano, i sapozgjedhur kryetar, e vendosi Ilir Metën si kryeministër të Shqipërisë.
Koha kur Meta u ngrit në detyrën më të rëndësishme kushtetuese, ku fuqia vendimmarëse është shumë e madhe, ishte mjaft e volitshme për të.
Kjo ndodhi sapo ishte çliruar Kosova dhe Shqipëria kishte fituar rolin e partnerit të besueshëm për SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian.
Pas shkatërrimit të 1997-s, buxheti i shtetit po përjetonte një rimëkëmbje ndërsa ekonomia një zhvillim pasi lindi një industri e re-ndërtimi, e cila po përjetonte një boom të vërtetë.
Ilir Meta ishte kryeministri i parë socialist që nga viti 1997 që po firmoste investime të mëdha publike, aq të pritshme për njerëzit dhe ekonominë e etur.
U ndërtua rruga e Shkodrës sipas projektit dhe trasesë së shtruar që nga periudha e Ramiz Alisë dhe u zgjerua rruga e Bregut në qafën e Llogarasë.
Ilir Meta, nis e merr reputacionin e një kryeministri-pune. Madje shumë socialistë u pëlqen ta krahasojnë me Mehmet Shehun.
Disa veprime të forta i japin realisht reputacion tek një pjesë e elektoratit: mbështetja e aksionit të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama për të shkatërruar monstrën e ndërtimeve mbi Lanë dhe Parkun Rinia, si dhe ndalimi i Sali Berishës nga policia, pas sulmit me armë të komisariatit të Tropojës.
Por ajo që e bëri më të fuqishëm Ilir Metën ishte pikërisht aktiviteti shumë i gjerë i qeverisë së tij në privatizimin e ekonomisë kombëtare. Firma e Ilir Metës ka sjellë në Shqipëri dy kompanitë e mëdha të telefonisë së lëvizshme, Cosmote që bleu AMC-në dhe Vodafone Greece, dy gjigandë të ekonomisë greke.
Vetëm këto dy kompani gjeneronin të ardhura marramendëse dhe ridërgonin në Athinë duke transferuar cash mbi 500 milionë euro në vit nga fitimet.
Qeveria e Ilir Metës privatizoi gjigandë të tillë ekonomikq në vend si kombinati ushqimor “Ali Kelmendi” që kishte brenda Birra Tirana, Kombinatin e Bukës, të pijeve etj., duke ua dhënë këtë aset një grupi biznesmenësh shumë pranë tij.
Dhe thuajse të gjithë ata u bënë pronarë të mëdhenj mediash që mbështetën Ilir Metën.
Irfan Hysenbelliu, Ferdinand Ibrahimi, Ilir Xhaferri, djali i Servet Pëllumbit, Luan Bregasi, etj., janë disa nga emrat e të pasurve shqiptarë që përfituan pjesë nga ekonomia kombëtare.
Në kohën kur ishte ne ekspansion industria e ndërtimit, Meta shpërndau edhe kontrata publike për sipërmarrës shqiptarë, klasa e të cilëve po bëhej një pushtet real në vend.
Nisi që atëherë konkurenca e madhe me Edi Ramën, i cili realisht në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ishte i pari që pikasi dhje nuhati fuqinë e biznesmenëve shqiptarë dhe nisi partneritetin me ta.
Ilir Meta u kthye në një fuqi influence dhe klientelizmi që ktheu gjithë grupin parlamentar të PS-së dhe strukturat e saj drejt kreut të qeverisë, duke braktisur kryetarin Nano.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Ilir Meta si kryeministër hyn me fuqi me të shtuar edhe se kryetari i PS-së, Fatos Nano.
Në shtator, pas zgjedhjeve parlamentare, Ilir Meta arrin të zgjidhet kandidat për kryeministër nga Komiteti Drejtues i PS-së, duke fituar thellë mbi Arben Malajn, kandidatin e preferuar nga Fatos Nano.
Por ky i fundit nis një lëvizje të fortë brenda partisë dhe vetëm pas disa muajsh, Meta detyrohet të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, duke propozuar për kryetar qeverie Pandeli Majkon, njeriun që e kishte rrëzuar më shumë se dy vite më parë.
Por qeveria e dytë e Pandeli Majkos nuk qëndron në detyrë as 5 muajsh.
Ilir Meta arrin sërish një marrëveshje me Fatos Nanon, i cili ngjitet në postin e kryeministrit duke e vendosur Metën zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, me synimin për ta lënë “pa tepsinë” e pushtetit.
Madje, një vit më pas nuk e zgjedh as në strukturat drejtuese të PS-së.
Ilir Meta largohet nga qeveria duke mbledhur një grup të pakënaqurish dhe themelon Lëvizjen Socialiste për Integrim, subjektin që arriti për një vit të bëhej faktori determinant për rrëzimin e Fatos Nanos nga pushteti në zgjedhjet e 3 korrikut 2005.
Megjithëse Meta kundërshton zgjedhjen e Edi Ramës si kryetar i PS-së, duke folur shumë ashpër( e akuzoi se zëvendësoi “një anëtar, një votë” me “një pallat, një vote”), në vitin 2007 u bashkua me Ramën në zgjedhjet lokale ku e majta e ribashkuar arriti të fitojë në qytetet kryesore të vendit, ku kryesore ishte fitorja e Edi Ramës ndaj Sokol Olldashit në Tiranë.
Pas kësaj fitoreje i kërkon Ramës që në vitin 2009 të jetë ai kandidati për kryeministër. Rama nuk pranon dhe bën marrëveshje me Berishën, ku ndryshojnë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Meta largohet nga koalicioni dhe i bllokon Ramës buxhetin e bashkisë së Tiranës, duke bërë të njëjtën gjë në të gjitha qytetet.
Në zgjedhjet e vitit 2009, Ilir Meta me LSI-në e tij rrudhen aq shumë sa merr vetëm 4 deputetë.
Por shifra 4 do të jetë oksigjeni për Sali Berishën, i cili me aleatët mori 70 deputetë.
Krijohet kështu qeveria Berisha-Meta, që u pa në opinion si një aleancë e panatyrshme, ngaqë LSI kishte bërë fushatë elektorale më radikale se edhe PS-ja kundër Berishës.
LSI merr nga Sali Berisha rreth 25% të “tepsisë” dhe këtu nis historia e madhe e klientelizmit dhe e përdorimit të pushtetit si instrument electoral. Punësimet, shkollimet etj., që i japin një inxheksion partisë së Ilir Metës duke e rritur nga zgjedhja në zgjedhje.
Në vitin 2011, Meta qe determinant në humbjen e Edi Ramës në Tiranë.
Gjatë kësaj kohe shpërthejnë skandalet e mëdha ku kryesori është ai që filmoi Dritan Prifti, ministri i Ilir Metës në zyrën e tij, së bashku me vetë Metën.
Edi Rama dhe Ilir Meta kthehen në kundërshtarë të egër përpara dhe pas 21 janarit 2011, ku Garda vrau 4 përkrahës së PS-së në bulevard.
Por dy vjet më pas, Rama e Meta bashkohen në një koalicion parazgjedhor që sjell mazhorancën më të madhe që nga viti 1992.
Marrëveshje që pjesën më të rëndësishme kishte anën e panjohur, përkatësisht ndarjen e “tepsisë së pushtetit”, që rezultoi se ishte edhe shkaku që 4-vjeçari i martesës PS-LSI të ishte i frustruar dhe konfliktual.
PS dhe LSI kanë votat për të miratuar edhe ligjet kushtetuese, pra 84 vota. Ilir Meta merr postin numër dy të shtetit-kryetarin e Kuvendit.
Por pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015, sidomos në kohën e miratimit të reformës në drejtësi në korrik 2016, aleanca Rama-Meta nis tatëpjetën por kurrë, asnjëra prej palëve nuk pranoi se aleanca kishte përfunduar.
Secili luajti nën tavolinë, Ilir Meta duke stimuluar opozitën të hyjë në çadër apo kërkuar numrat për ta rrëzuar Edi Ramën në Parlament, duke përgatitur për kryeministër Rexhep Meidanin, ish-rivalin e tij në vitin 1996.
Por largimi ndodhi në mënyrën më të çuditshme. Edi Rama, përpara se të ndahej nga Ilir Meta e zgjodhi atë President me të gjithë votat e deputetëve socialistë, si pjesë e një marrëveshje që kurrë nuk u bë e ditur.
Marrëveshje që i dha Ilir Metës postin e tretë më të lartë të shtetit, duke shënuar një rekord politik në një moshë mjaft të re, ai është vetëm 48 vjeç.
Po a do të jetë Meta, një president që përbashkon apo figurë që do të përfaqësojnë unitetin e shqiptarëve? Ka rastin ta tregojë që nga ora 18.00 e ditës së sotme. /tesheshi.com/