Ditën e djeshme, Lulzim Basha, kryetar i PD-së, zhvilloi një takim me përfaqësues të partisë Kristian Demokrate holandeze (CDA) në kuadër të përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin dhe për ristrukturimin e forcës politike që drejton.
Por ky takim ka krijuar debate dhe akuza të ndërsjellëta në distancë mes dy ligjvënësve të rinj, Elisa Spiropali e PS dhe Ervin Salianji i PD-së.
Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Elisa Spiropali, e ka cilësuar takimin e kreut të opozitës, Lulzim Basha, me përfaqësues të Partisë Kristian Demokrate Holandeze CDA si të turpshëm.
Në një koment në rrjetet sociale, Spiropali e ka pyetur kryetarin e Partisë Demokratike, Basha, nëse ka apo jo një atdhe dhe i ka kërkuar të mos shpifë kundër vendit të tij.
“Zoti Basha, a e ke ti një atdhe apo ke veç një karrige partie për të mbrojtur, mor burrë i dheut?”, shkruan Spiropali.
Por nuk ka munguar as përgjgia e deputetit të PD-së, Ervin Salianji, që është hedhur në sulm kundër ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave.
“Milionat e vjedhura në doganë e kanë bërë Elisën me çanta luksoze por nuk i blejnë dot mend. Ashtu si Elisa mban Edi Ramën për Skënderbe, ashtu ngatërron atdheun me hajdutët në krye të tij. Grabitën çdo gjë, tani Elisa dhe padroni i saj kanë shqetësim se po e merr vesh tërë bota se si qeverisin ajo dhe padroni i saj, ndaj kanë filluar të barazojnë veten me atdheun.
Elisa është e shqetësuar se një fondacion hollandez i CDA, që ka kontribuar shumë për demokracinë shqiptare, mos merr vesh se sa ka vjedhur Elisa me shokë se pastaj marrin inat Shqipërinë. Rama nuk duhet të trembet dhe shqetësohet, Hollandezët ashtu si dinë të dallojnë bordellot nga Rembrandi ashtu dinë te ndajnë hajdutët nga Shqipëria, të gjithë ata që kanë pak njohuri dhe mënd e dinë se Rama dhe te vetët nuk janë atdheu, nuk janë Shqipëria por mortja që i ka rënë Shqipërisë”, shkruan Salianji. /tesheshi.com/