Kadri Veseli, i rizgjedhur në postin e Kryetarit të Kuvendit, ka ftuar klasën politike kosovare për unitet dhe bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve në funksion të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Veseli ka thënë se do të përpiqet që zyra e kryetarit të Kuvendit të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve për unitet kombëtar, për bashkëpunim dhe mirëkuptim mes forcave politike parlamentare.
“Së bashku mund dhe duhet ta kthejmë Kuvendin e Kosovës nga vend inatesh personale në vend bashkëpunimi; nga shesh akuzash në forum idesh e ligjesh për zhvillimin e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të orientohemi në çështje të interesit strategjik të vendit, forcimin e shtetit, rikthimin e madh të besimit qytetar në institucione dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit tonë”, tha Veseli, në fjalimin e tij pas zgjedhjes si kryeparlamentar.
Çështjet që kanë rënduar situatën politike në dy vitet e fundit, sipas Veselit, nuk janë tema që mund t´i zgjidhë vetëm një parti politike, sepse ato janë çështje shtetërore që lidhen drejtpërdrejtë me të ardhmen sovrane dhe multietnike të Kosovës dhe jetën e qytetarëve.
“Sa më shumë vonohemi, humb Kosova. Sa më shumë konfliktohemi, vetëm sa ndjejmë vetizolimin dhe mos zhvillimin tonë. Kemi shumë miq në Botë, por kemi edhe skeptikë dhe kundërshtarë të shtetit tonë. Është obligim i kësaj gjenerate të mbyllë çështje të hapura; është mençuri të largohemi nga kohëra dhe momente që mund të ngrenë dilema në shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ai i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare që t’i harmonizojnë qëndrimet në 5 çështje jetike për progresin e Kosovës.
“Të kemi qëndrim unik për implementim të reformave që mundësojnë zhvillim ekonomik dhe punësim, në implementimin e reformave në arsim dhe shëndetësi, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, në implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe për agjendën tonë të integrimit euroatlantik e për dialogun me shtetin fqinj, Serbinë”, ka thënë Veseli. /tesheshi.com/