Mësohen detajet e takimeve që ka pasur sot ambasadori amerikan Donald Lu me dy kryetarët e partive të mëdha opozitare: Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Deri tani kanë dhënë deklaratat e tyre vetëm selitë e PD-së dhe LSI-së, të cilat konsistojnë në kundërshtimet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Partitë e opozitës kanë theksuar se ekziston dyshimi se Rama nëpërmjet prokurores së re do të mbyllë dosjet e qeveritarëve.
Por siç mësohet, ambasadori amerikan ka garantuar Bashën e Kryemadhin se komuniteti ndërkombëtarë nuk do të lejojë që nëse ka fakte dhe dosje ndaj qeveritarëve, që të mbyllen dosjet.
Gjithashtu Lu u ka bërë të ditur qëndrimin amerikan se përshkallëzimi i politikës me akte dhune dhe përplasje fizike konsiderohet si “e papranueshme”.
Në deklaratën e PD-së, theksohet se Basha ka garantuar Lu-në që opozita do të përdorë vetëm instrumente demokratike.
“Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të”,theksohet në njoftimin shtyp të PD-së./tesheshi.com/