“Emiratet e Bashkuara Arabe qëndrojnë prapa hakimit të rrjeteve sociale dhe mediave qeveritare të Katarit, që rezultoi me publikimin e citateve të rreme në lidhje me Emirin e Katarit, e cila shkaktoi krizën e Gjirit dhe izolimin diplomatik të Katarit”, shkruan Washington Post, duke cituar burime amerikane të zbulimit.
Kriza në Gji u përshkallëzua më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë lidhjet dhe bllokuan Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të dyshuar të terrorizmit, akuza këto që u mohuan nga autoritetet në Doha.
The Washington Post thotë se Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani është cituar në mënyrë të rreme të ketë lavdëruar Hamasin dhe të ketë thënë se Irani është “forcë islame”.
Mediat e Katarit u hakuan më 24 maj, kurse Washington Post shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane zbuluan javën e kaluar se zyrtarë të lartë të qeverisë së Emirateve një ditë më parë kanë diskutuar në lidhje me hakimin e planifikuar.
Pas kësaj, disa vende arabe të udhëhequr nga Arabia Saudite ndaluan punën e mediave të Katarit, para se të shkëpusin përfundimisht marrëdhëniet diplomatike me Doha-n.
Abu Dhabi ka hedhur poshtë akuzat, kurse ambasadori i tyre në Uashington i quajti të rreme akuzat e fundit të mediave.
“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kishin rol në hakimin e pretenduar të përshkruar në artikull”, thuhet në deklaratë.
Në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes vendeve të Gjirit mori pjesë edhe Sekretari amerikani i Shtetit, Rex Tillerson, i cili javën e kaluar ishte në Arabinë Saudite. Ai me këtë rast nënvizoi nevojën për kompromis dhe tha se kjo krizë mund të destabilizojë përpjekjet në luftën kundër organizatës terroriste ISIS. /tesheshi.com/