Policia e Shtetit vendosi të kryejë një rol humanitar në “dramën” shqiptare në segmentin Kakavijë-Jorgucat, aty ku me qindra qytetarë shqiptarë pritet të kalojnë në tokën greke.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek”, u tha në një deklaratë.
Deklartata e Policisë së Shtetit vijon më tej:
“Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19.
Shërbimet e Policisë janë shtrirë përgjatë aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë, duke i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek”. /tesheshi.com/