Në zgjedhjet e 25 qershorit votuan mbi 1.608.561 zgjedhës, nga të cilët, 44% ose 715,117 ishin votuese të gjinisë femërore.
Instituti i Studimeve Politike analizon se si kanë votuar gratë në këto zgjedhje.
Referuar të dhënave të IPR Marketing të datës 25 qershor, rezulton se gratë e vajzat ishin dukshëm mbështetëse të Partisë Socialiste dhe fushatës së saj. Konkretisht, 5% më shumë gra sesa burra llogariten si votues të PS, krahasuar me 4% më shumë burra sesa gra votuese për PD.
Në LSI ka balancë përfaqësimi gjinor, kryesisht edhe për shkak të natyrës së përqendruar familjare të partisë dhe bazës mbështetëse, në PDIU ka dominim të lehtë të votuesve meshkuj, kurse në LIBRA rezultati midis votës mashkullore dhe femërore është pothuajse i njëjtë.
Nga votuese konservatore në votuese të majta
“Në studimet sociale vota e grave e vajzave tradicionalisht është votë e ndarë, – në zonat rurale është kryesisht votë konservatore, në zonat urbane është kryesisht votë e majtë ose liberale. Kjo vlen sidomos për shoqëritë e zhvilluara. Në Shqipëri vota gjinore ka ndyrshuar kah në varësi nga zgjedhjet dhe periudhat politike. Në fillim të viteve 90 gratë e vajzat ishin më shumë votuese konservatore sesa të majta, dekadën e fundit trendi është tjetër”, vë në dukje studimi i ISP-së.
Por vota gjinore ka rëndësi në një vend ku barazia gjinore në politikë vijon të jetë një shqetësim.
KQZ penalizoi me gjobë tri partitë kryesore, PD me 5 milion lekë të reja, PS me 1 milion lekë të reja dhe LSI me 1 milion lekë të reja, për mosrespektim të kuotës gjinore sipas Kodit Zgjedhor.
Dallimi mes tri partive ishte se dy të parat kishin mungesa të grave e vajzave në listë, kurse Lsi u gjobit se në tre vendet e para në Tiranë nuk kishte asnjë mashkull.
Gratë dhe vajzat përbëjnë gjysmën e votuesve, por nuk kanë arritur akoma gjysmën e përfaqësimit në Kuvend. Në parlamentin e ri kemi vetëm 28% gra e vajza deputete./tesheshi.com/