Votimi simbolik në Parlamentin Europian për ngrirjen e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE, ka alarmuar diplomatët europianë të cilët thonë se nuk është kjo rruga e duhur.
Diplomatët e BE reaguan me habi ndaj vendimit të parlamentit. Duke shkruar në rrjetet sociale, ish-kryeministri suedez, Carl Bildt akuzoi eurodeputetët se po “marrin një qëndrim populist afatshkurtër krahasuar me qasjen strategjike afatgjatë që nevojitet me Turqinë”.
Shefja e Politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, than ë fillim të javës se ndalja e bisedimeve me Turqinë do të ishte një skenar ku palët vetëm humbasin. Ajo u tha eurodeputetëve se po rrezikojnë të humbasin shansin e një kanali vital dialogu. “Duhet të pyesim veten se cilat mjete dhe instrumente kemi në dispozicion për të rritur dhe jo për të reduktuar, ndikimin tonë mbi reformat në Turqi dhe shoqërinë e saj”, tha ajo.
BE dhe Turqia kanë shpenzuar vite me radhë me bisedime shumë të vështira. Negociatat nisën në vitin 2005, pothuajse dy dekada pasi Turqia bëri aplikimin në vitin 1987.
Nga ana e saj, Turqia reagoi me zemërim pasi Parlamenti Europian kërkoi ngrirjen e bisedimeve të anëtarësimit të saj me Bashkimin Europian me anë të një votimi simbolik që analistët thonë se mund të shtojë tensionin dhe të vendosë në rrezik marrëveshjen e rëndësishme për reduktimin e emigracionit.
Kryeministri turk, Binali Yildirim, e vlerësoi votimin si të parëndësishëm, por paralajmëroi se lidhjet me Bashkimin Europian edhe pa të, janë të tensionuara. “Ne presim që BE të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë vizionin e së ardhmes me ose pa Turqinë”, tha ai.
Me herët, gjatë kësaj jave, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, paraprakisht e rrëzoi votimin, duke thënë se nuk kishte asnjë lloj vlere. Erdoğan disa herë në vazhdimësi ka deklaruar se do ta prishë marrëveshjen e emigracionit midis Turqisë dhe BE-së nëse Europa nuk arrin të realizojë bisedimet e pranimit apo udhëtimin pa viza.
Votimi i Parlamentit Europian nuk është detyrues, mirëpo përfaqëson një hap dramatic në prag të një takimi kyç të ministrave të BE-së muajin e ardhshëm. Ministrat e Jashtëm do të debatojnë kërkesën 11-vjeçare të Turqisë për t’u anëtarësuar në BE ndërsa në këto vende po përcillen me shqetësim ngjarjet pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në Turqi dhe arrestimeve në këtë vend.
Vota me gjasa do të përkeqësojë situatën me marrëveshjen e shënuar për emigracionin të arritur në mars. Turqia ka shtuar përpjekjet për të ndaluar trafikimin e njerëzve, e kjo ka kontribuar në një reduktim të madh të fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve që kërkojnë të udhëtojnë në Europë përmes detit Egje.
Në këmbim, BE kishte premtuar ndaj Turqisë një fond prej 3 miliardë eurosh për të ndihmuar Ankaranë në përballimin e tre milionë refugjatëve që ka strehuar në territorin e saj, udhëtimin pa viza për qytetarët turq. Debatet për ndalimin e kërkesës për anëtarësim mund të përkeqësojnë marrëdhëniet mes palëve.
Erdoğan e kishte komentuar që më herët votën e pritshme, pasi në një konferencë në Stamboll të mërkurën ai u shpreh: “Dua të them në avancë, nga këtu dhe të më dëgjojë e gjithë bota që më sheh në ekran: kjo votë nuk ka asnjë vlerë, pavarësisht se çfarë rezultati del prej saj.
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmuş, tha se partneriteti midis Turqisë dhe BE-së është në rrezik si rezultat i votimit.
Erdoğan theksoi se Turqia do të mbajë një referendum për negociatat me BE-në, vitin e ardhshëm, që ndoshta do t’i japë fund fushatës për t’u bashkuar me bllokun që dikur ka qenë në qendër të platformës së partisë së tij, për Drejtësi dhe Zhvillim.
“Le të presim deri në fund të vitit dhe më pas të pyesim popullin’, tha Erdoğan në një fjalim në Ankara. “Le të pyesim popullin që ata të marrin vendimin përfundimtar. Edhe Britania pyeti popullin. Britania tha: le të largohemi dhe ata u larguan”.
Deklaratat e tij dhe të zyrtarëve të tjerë nënvizojnë shkallën në të cilën janë përkeqësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Europës që nga negociimi i marrëveshjes së emigracionit.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/