Pas shpalljes së zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen me 22 tetor të këtij viti, partitë politike kanë filluar përgatitjet për garën në nivelin lokal. Në kuadër të përgatitjeve kanë filluar edhe aderimet e reja nëpër subjekte politike. Një aderim i tillë sot është bërë edhe në Komunën e Podujevës, ku sociologu Ragip Fetahu i është bashkuar Vetëvendosje-s.
Fetahu i cili ka mbaruar studimet e magjistraturës në Gjermani, ka thënë për tesheshi.com se aderimi i tij në LVV është bërë duke marrë parasysh gjendjen e keqe që po mbretëron në Kosovë dhe veçanërisht në Podujevë, komunën kjo që udhëhiqet nga LDK-ja që nga paslufta.
“Siç e dini në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit është krijuar një frymë e re, një frymë e ndryshimit, njëkohësisht ka lindur një shpresë se qytetarët me vullnetin e tyre mund ta ndryshojnë këtë situatë, e ky ndryshim konsideroj se mund të bëhet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky ku më është premtuar hapësirë konkrete për t’u angazhuar dhe për të punuar për të mirë të qytetarëve dhe gjithë përvojën dhe edukimin e marrë në Gjermani të mundohem ta sjell në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Fetahu.
Ai ka thënë se në Komunën e Podujevës është punuar keq dhe se qytetari nuk ka qenë asnjëherë prioritet i pushtetit lokal, por pushteti ka qenë në vazhdimësi në shërbim të klaneve partiake, familjare dhe grupeve tjera të interesit.
“Kjo situatë është e domosdoshme që të ndryshojë, qytetarët e Podujevës nuk e meritojnë një qeverisje të tillë, një trajtim të tillë. U pa edhe në zgjedhjet e 11 qershorit se qytetari nuk voton me ‘bllanko’, por voton në bazë të programit dhe për ndryshim dhe se ata që kanë keq qeverisur janë ndëshkuar”, theksoi Fetahu.
Ndryshe, në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rritje të madhe në Podujevë dhe pritet të jetë një rivale e re e LDK-së dhe PDK-së për të parin e Podujevës. Në zgjedhjet e 11 qershorit, në Komunën e Podujevës LDK ka marrë 39,77%, LVV 32,71% dhe PAN 24,84%. /tesheshi.com/